Ai premtoi mbështetjen e institucionit ndërkombëtar të cilin e drejton që Shqipëria të sigurojë progres. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, mesditën e sotme Chakrabarti përmendi shifrën 1.6 miliard euro të investimeve në total të kësaj banke.
BERZH: BORXHI PERGJEGJESI E JUAJA, BERISHA: ESHTE BENINJ
Interesit të gazetarëve për borxhin prej 60 % dhe a përbën rrezik për ekonominë kjo shifër, Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u përgjigj se është përgjegjësi e autoriteteve vendore, menaxhimi i tij, ndërkohë që Berisha tha se kemi të bëjmë me një borxh beninj dhe të kontrollueshëm
"Eshtë përgjegjësi e autoriteteve vendore. Ekziston një hapësirë fiskale që menaxhohet nga qeveria qendrore e vendit. Investimet private janë të rëndësishme pasi investimet publike nuk mund të bëjnë gjithçka prandaj duhet bërë shumë për përmirësimin e klimës së biznesit"- tha Chakrabarti.
Nga ana e tij Berisha tha se borxhi 60 % është nën kontroll dhe nuk përbën rrezik. "Borxhi është beninj. 2/3 e tij është në monedhë lokale, lek, dhe 1/3 euro e dollarë dhe i përkushtohet investimeve. Ne e kontrollojmë pa vështirësi.”- tha Berisha.
Ai shtoi se qeveria do i qëndrojë nivelit të borxhit.
“Nuk besoj se 60 % është linjë e kuqe. Linja e kuqe është ai nivel që kërcënon mundësinë e shërbimir të borxhit. Borxhi ka shërbyer për zhvillim e ndërtim dhe kthehet lak në fyt që në momentin kur shfaqen vështirësitë serioze në përgjigje ndaj tij. Qeveria nuk ka pasur asnjë vështirësi në shërbimin ndaj borxhit”- tha Berisha.
Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerësoi si të rëndësishme reformat dhe shtoi se Shqipëria duhet të bëjë më shumë në fushën tatimore dhe të pronave. “Klima e biznesit është e rëndësishme për rritjen ekonomike të një vendi. Vlerësoj se Shqipëria ka bërë shumë hapa para. Ndërkohë që ende duhen bërë reforma në fushën tatimore dhe të pronave. “- tha Chakrabarti.
BERISHA: ARME DEPUTETEVE, LIGJI I BAZUAR NE PRAKTIKA TE PRANUESHME
Pyetjes së gazetares të Tv A1 REPORT pse Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Fyle, gjatë takimit me të, (kur ky i fundit ishte në Tiranë) shmangu çështjen e tre ligjeve, Berisha u përgjigj: “Unë jam gati t’i votoj që nesër ligjet, nuk ka pse të diskutonte me mua.”
Ndërsa pyetjes a duhen subjektet private dhe ministrat të pajisjen me armë, Berisha u përgjigjen: “Është çështje praktikash të ndryshme në vende të ndryshme. Por ato që përcakton ligji janë praktika të bazuara e të pranueshme”.
TAKIMI ME BASHEN
Një takim i veçantë Chakrabartit do të jetë ai me kreun e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Gjithashtu ai do të vizitojë një sërë projektesh ku ka investuar BERZH. Kjo bankë është një nga investitorët më të mëdhenj në sektorin privat në Shqipëri. Fushat kryesore që asistohen nga BERZH janë : sektori financiar, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, infrastruktura, burimet natyrore etj. BERZH ka investuar në projekte të rëndësishme infrastrukturore, siç është modernizimi i aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, terminali i pasagjerëve në Portin e Durrësit, por edhe në atë rrugore për zhvillimin e rrjetit të brendshëm të vendit.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)