Ndryshimet e propozuara në ligjin për huamarrjen dhe borxhin. që shumë shpejt pritet të shkojnë për diskutim në Kuvend, i rrisin kompetencat ministrit të Financave për të marrë borxh, ndërsa shmangin Kuvendin nga vendimarrja.

Në bazë të këtyre ndryshimeve, Ministria e Financave do të mund të “luajë” më me shpejtësi në tregje, pa pengesa proceduriale, në mënyrë që të garantojë interesa dhe kosto më të ulëta huamarrje.

Ndryshimet në ligjin për huamarrjen shtetërore dhe borxhin publik parashikojnë dhënien e kompetencës së negocimit dhe miratimit për marrëveshjet e borxhit Ministrit të Financave, pa pasur detyrimin që çdo marrëveshje e nënshkruar të kalojë për miratim fillimisht në Kuvend.

Referuar relacionit të projektligjit ky ndryshim bëhet “për të garantuar nivele më të kënaqshme të kostove të huamarrjes shtetërore përfshirë normën e interesit, komisionet etj”, Sipas relacionit, kalimi i çdo marrëveshjeje borxhi përmes procedurave parlamentare ka rezultuar se shkakton kosto shtesë për arkën e shtetit.

Nisur nga kjo Kuvendi i Shqipërisë do të jetë më i kufizuar për të vendosur për huamarrjen, pasi kjo kompetencë tashmë i kalon ministrit të Financave.


Marrë nga ATSH
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)