Pavarësisht nga frenimi i ndjeshëm i investimeve buxhetore dhe nga rritja e të ardhurave në vitet e mandatit aktual, qeveria Rama nuk po arrin të vendosë nën kontroll borxhin publik.

Sipas statistikave më të fundit të ministrisë së Financave, më datë 31 dhjetor 2016 detyrimi i përgjithshëm – ndaj kreditorëve të jashtëm dhe të brendshëm – llogaritej në 1 trilion e 67 miliardë lekë të reja. Shifër kjo, e barabartë me ekuivalentin në valutë 7.84 miliardë euro.

Ajo që të bën përshtypje në këtë mes është fakti që, ndonëse nga viti në vit Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur, borxhi në raport me të mbetet shumë i lartë. Aktualisht ky raport është 71.01 për qind, ndërkohë që në fund të vitit 2015 shifra tregonte 72.66% dhe në fund të 2014-ës ishte 70.13%.

Pra, jemi kthyer sërish në nivelet e dy viteve më parë. Por synimi ka qenë që gradualisht borxhi të ulet në nivelet 60% dhe më poshtë akoma. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, një vend i vogël si Shqipëria rrezikon shumë me nivele të tilla borxhi, ndërkohë që ajo duhej të synonte tek 40 përqindëshi.   
 
Prognozat
Optimizmi i fillimit, kur u rrit të shlyheshin detyrimet e prapambetura ndaj biznesit privat, kryesisht në fushën e infrastrukturës, që shkonin gati 700 milionë dollarë, ja ka lënë vendin tani një korrigjimi të vazhdueshëm të prognozave. Kështu, qeveria publikoi në janar projeksionet e reja në lidhje me ecurinë e borxhit publik për periudhën afatmesme, 2017-2019, të cilat i ka rishikuar me rritje. Tabela e konfiguruar në buxhetin afatmesëm, e publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare, tregon se parashikimet e reja e çojnë me rritje borxhin publik me 0.5 deri në 2 pikë përqindje nga viti 2016 në vitin 2019.

Në janar të vitit 2016, Ministria e Financave kishte parashikuar që borxhi publik të arrinte në 70.9% të PBB në fund të vitit 2016, por zhvillimet e mëvonshme kanë bërë që treguesi i borxhit të jetë më i lartë. Për vitin 2017, sipas parashikimeve të fundit, totali i detyrimeve do të arrijë në 69.2%, ndërsa në janar të 2016-ës, ky tregues nuk ishte më i lartë se 67.9% e PBB.

Me rritje janë rishikuar edhe treguesit e borxhit për 2018-ën dhe 2019-ën. Sipas projeksioneve të fundit, borxhi do të arrijë vitin e ardhshëm në 65.7% e PBB, teksa parashikimet e janarit 2018 ishin që ai të arrinte në 63.9% e PBB-së.
Në vitin 2019, parashikimi i fundit pret një borxh sa 61.3% e PBB-së, nga 59.3% që ishin pritjet e janarit 2016.

Për të tretin vit radhazi, qeveria shqiptare rishikon me rritje ecurinë e borxhit publik në krahasim me objektivat që i vuri vetes në vitin e parë të qeverisjes së saj.
Më këtë ecuri, qeveria nuk ka mundur të respektojë as marrëveshjet me institucionet financiare ndërkombëtare, FMN dhe Bankën Botërore, të cilat prisnin që totali i detyrimeve të zbriste në 54% të PBB-së në fund të vitit 2019.


dy.b/shqiptarja.com