Borxhi rritet 1 mln € në ditë, 'stoku' i
detyrimeve të shtetit kapi 6.4 mld  €

Borxhi rritet 1 mln € në ditë, 'stoku' i<br />detyrimeve të shtetit kapi 6.4 mld  €
TIRANE- Është rritur me afro 1 milionë euro në muaj borxhi total publik i vendit gjatë tre muajve të parë të vitit. Këtë e bën të ditur ministria e Financave, e cila ka publikuar dje statistikat e detyrimeve të brendshme dhe të jashte, afatgjata dhe afatshkurtra. Sipas këtyre statistikave zyrtare, në periudhën janar-mars 2014 totali i stokut të borxhit ka arritur në më se 6.4 miliardë euro, ose 897 miliardë e 800 milionë lekë të reja. Kjo shifër ka qenë 885 miliardë e 83 milionë lekë të reja, çka rezulton në një rritje prej 90.8 milionë eurosh për 90 ditët e para të vitit.

Borxhi në fund të marsit ka arritur në 63.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por ka qenë më i lartë, konkretisht 64.6 për qind në fund të vitit të kaluar.
Mbajtësit e borxhit të brendshëm bankat e nivelit të dytë, që zotërojnë 62 për qind të bonove të thesarit dhe obligacioneve shtetërore, ndërkohë që Banka qendrore dhe individët kanë nga 12 për qind secili. Ky borxh ka arritur në 531 miliardë lekë, me një rritje në tre muaj prej 10.5 miliardë lekësh të reja.

Nga vendet e huaja, kryeson kontributin në borxhin e jashtëm të Shqipërisë Italia, me 273 milionë euro, pasuar nga Gjermania me 219 milionë. Borxhi i jashtëm është rritur me 2.2 miliardë lekë në tre muajt e parë të vitit, duke arritur në 366 miliardë lekë të reja, baraz me 25.8% të stokut total të borxhit publik, me një ulje të lehtë ndaj fundit të 2013-ës, kur ky raport ishte në masën 26.6 për qind.
Gjatë tremujorit të parë janë paguar në formë interesash një shifër e konsiderueshme, prej 10.5 miliardë lekësh të reja, ose afro 76 milionë euro.  
 
Bonot
Ndërkohë, vijon dalja e qeverisë në tregun e letrave me vlerë, me synimin e marrjes së fondeve nga tregu i brendshëm financiar. Banka e Shqipërisë njoftoi se do të shesë sot për llogari të Ministrisë së Financave 10.8 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12 dhe 3 mujor. Për bonot 12 mujore, shuma e shpallur për shitje është 8.4 miliardë lekë, nga të cilat 150 milionë lekë i përkasin Bankës së Shqipërisë. Në ankandin e fundit me të njëjtin maturitet, interesi mesatar zbriti në 3.56%.
Për bonot 3 mujore, shuma e shpallur për shitje është 2.4 miliardë lekë, nga të cilat 1.69 miliardë lekë i përkasin Bankës së Shqipërisë. Në ankandin e fundit me të njëjtin maturitet, interesi mesatar zbriti në 3.14%.

Shkrimi u publikua sot 29 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç