SARAJEVË, 17 nëntor /ATSH-AFP/ - Tre anëtarët serb, mysliman dhe kroat të presidencës kolegjiale në Bosnje-Hercegovinë, të dalë nga formacionet apo koalicionet nacionaliste dhe fitues në zgjedhjet e përgjithshme në muajin tetor, u angazhuan sot të bëjnë kompromise për nxjerrjen e vendit nga një bllokim i gjatë politik që është bërë pengesë për afrimin e saj me Bashkimin Evropian.
"Njerëzit janë lodhur nga mosmarrëveshjet dhe përballjet politike dhe janë mbyllur në rrethin vicioz të krizës ekonomike dhe papunësisë (...) Është i nevojshëm ndryshimi i kësaj situate", deklaroi Mladen Ivaniç, anëtari i ri serb i presidencës, gjatë një ceremonie zyrtare për marrjen e pushtetit.
"Presidenca është institucioni i parë i pushtetit që është formuar pas këtyre zgjedhjeve. Ajo ka vendosur të jetë e para që do të fillojë zbatimin e një politike të re në Bosnje, një politikë kompromisi", shtoi Ivanic, i cili do të marrë presidencën e radhës në vend, për tetë muaj.
Dy kolegët e tij, myslimani, Bakir Izetbegovic, i cili fitoi një mandat të dytë katër vjeçar dhe kroati, Dragan Covic e cilësuan gjithashtu "besim reciprok" dhe "marrëveshje".
"Sigurisht do të jetë e vështirë dhe afatgjatë arritja e një marrëveshjeje për të shkuarën, arritur kurrë më parë. Por, është e rëndësishme të biem dakord sa më shpejt dhe në mënyrë efikase për të ardhmen tonë. Jam i sigurt që kjo presidencë do t'i japë një dihmë të madhe këtij procesi", deklaroi Izetbegoviç.
Zgjedhjet e 12 tetorit u fituan nga formacionet kryesore nacionaliste (muslimane, serbe dhe kroate) të këtij vendi etnikisht të ndarë që prej fundit të luftës (1992-95), gjatë të cilës këto tre komunitete janë përballur dhe ku kanë humbur jetën më shumë se 100 000 persona./
/ec/ a.jor.









