Siniša Karan, aleati i ngushtë i Milorad Dodikut, presidentit të shkarkuar të Republikës Srpska të Bosnjës, ka fituar zgjedhjet e parakohshme presidenciale në një garë të ngushtë me kandidatin e opozitës një ditë më parë.
Karan fitoi 50.89% të votave, sipas rezultateve paraprake të shpallura para mesnatës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje e Hercegovinës.
Kundërshtari i tij nga Partia Demokratike Serbe, Branko Blanusha, i fitoi 47.81 për qind të votave.
Ai falënderoi votuesit dhe e vlerësoi rezultatin si shenjë mbështetjeje për kursin konfrontues të paraardhësit të tij Dodik kundër shtetit të bashkuar të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe kundër Perëndimit.
"Populli serb dhe Republika Srpska mund të durojnë çdo gjë. Por ata kurrë nuk mund të durojnë poshtërimet e shkaktuara nga të huajt që besojnë se mund të shkatërrojnë vullnetin e popullit serb. Populli serb tani ka dhënë një përgjigje të vendosur: Ata i thonë jo çdo uzurpatori që merr pushtetin. Ata vendosin vetë për fatin e tyre”, tha Karan në fjalimin e tij të fitores.
Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Sërpska (RS) - një nga dy entitetet gjysmautonome të Bosnjës, përkrah federatës boshnjakokroate - nënkuptojnë se fituesi do të shërbejë për më pak se një vit, deri në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2026.
Zgjedhjet shihen si provë vendimtare e mbështetjes për partinë nacionaliste të Dodikut, e cila ka qenë në pushtet për gati dy dekada.
Milorad Dodik dha dorëheqjen pas dënimit nga Gjykata e Drejtësisë e Bosnjës dhe Hercegovinës me një ndalim gjashtëvjeçar të mbajtjes së posteve publike.
Dodiku ka ndjekur një politikë separatiste, nënshkroi ligje ilegale në Republikën Srpska dhe shpërfilli rregullisht institucionet kombëtare të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Komente







