Mustafa Martinaj, babai i ish-bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, një nga personazhet më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, u paraqit këtë të martë në Gjykatën e Posaçme.

Jashtë sallës së gjyqit, i moshuari u shpreh se për të nuk ka dilema: Djalin thotë se ia kanë vrarë në Durrës, por sipas tij, nuk ka asnjë lëvizje nga institucionet për të zbardhur fatin e Ervis Martinaj, të zhdukur prej 4 vitesh.

 “Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin dosjen e zhdukjes. Unë ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë. Kurbini nuk e zbardh dot atë ngjarje”, thotë Mustafa Martinaj.

Mustafa Martinaj hodhi akuza edhe në drejtim të Policisë së Shtetit, duke deklaruar se drejtues dhe ish drejtues të policisë janë të interesuar për mos zbardhjen e ngjarjes.

“I kam thënë të gjitha në SPAK, kur erdha dhe dëshmova për 3 orë me kërkesën time. Askush nuk është interesuar që atëherë dhe, sa kohë të jenë në polici disa persona, kjo ngjarje nuk ka për t’u zbardhur”, shtoi ai.

Me dilemën e madhe nëse i shumëkërkuari është gjallë apo i vrarë, ndaj tij vijon një proces në Gjykatë, ku SPAK kërkon konfiskimin e 34 pasurive të Ervis Matinaj dhe personave të lidhur me të, me vlerë rreth 10 milionë euro, me akuzën se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Në gjyq munguan avokatët e dy pjesëtarëve të familjes Martinaj, të cilët kanë disa prona në emër të tyre, ndaj gjyqtari Erjon Bani, e shty seancën.

70-vjeçari Mustafa Martinaj i thirrur me kërkesë të prokurorisë, doli për herë të dytë nga dyert e SPAK pa u zhvilluar procesi, pasi edhe në seancën e kaluar, munguan prokurorët. 

Në tetor të vitit 2025, babai i Ervis Martinajt ndërmori edhe një hap ligjor në Gjykatën e Lezhës, ku kërkoi që djali i tij të shpallet zyrtarisht i zhdukur, çështje për të cilën ende nuk ka një vendimmarrje. Për Prokurorinë e Posaçme, për sa kohë nuk ka prova që të faktojnë të kundërtën, Ervis Martinaj konsiderohet i gjallë.

Ervis Martinaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK-ut, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar, ndër të tjera, se Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen.