Trajneri i Holandës nuk do të ketë në dispozicion shërbimet e mesfushorit Rafael van der Vart në Kampionatin Botëror.
 
Mesfushori 30-vjeçar është lënduar në stërvitje ditën e martë dhe nuk mund të udhëtojë në Brazil.
 
Van der Vart ka bërë 109 paraqitje për kombëtaren e tij që nga debutimi në vitin 2001.
 
Tërheqja e tij është një tjetër goditje për Holandën që nuk do të ketë në dispozicion Kevin Strootman dhe Gregory Van der Viel si pasojë e lëndimeve.
 
 
Beckenbauer sfidon Brazilin
Franz Beckenbauer beson se vetëm kombëtarja e tij mund ta sfidojë Brazilin në Kampionatin Botëror. “E kam parë Brazilin duke luajtur jashtëzakonisht mirë në Kupën e Konfederatave.
 
Ata do të vazhdojnë të luajnë njësoj edhe në Kampionatin Botëror. Brazili mund të sfidohet vërtetë vetëm nga gjermanët.
 
Megjithatë, e di se skuadrat që e kanë fituar Kupën e Konfederatave asnjëherë nuk e kanë fituar Kupën e Botës në të njëjtën periudhë. Prandaj në këtë aspekt, ata kanë problem” tha Beckenbauer.
 
Iniesta: Përgjegjësi mbi supe
Mesfushori i talentuar i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, Iniesta në prag të botërorit deklaron se ende nuk janë ngopur me trofe dhe do të tentojë sërish në Brazil për të rrëmbyer Kupën e Botës.
 
“Nuk ka ndryshuar vendosmëria jonë për t’i bërë gjërat mirë. Këtë herë kemi një përgjegjësi shumë më të madhe për të mbrojtur titullin e fituar, prandaj në Brazil kemi një rol të rëndësishëm.
Parashikojmë ndeshje shumë të vështira, pasi konkurrenca është e madhe, por kam besim që do të fitojmë trofeun” përfundoi ai.
 
 
 
d.b/shqiptarja.com