Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka ngritur alarmin në lidhje me rrezikun e uljes së efektshmërisë së antibiotikëve si pasojë e keqpërdorimit të tyre në shëndetësi, bujqësi, agronomi, etj.
Departamenti i Farmacisë (UMT) në bashkëpunim me Urdhrin e Farmacistëve të Shqipërisë, Institutin e Shëndetit Publik, Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe me mbështetjen e OBSh-së ka organizuar një sërë fushatash sensibilizuese në popullatë dhe në profesionistë me qëllim zvogëlimin e këtij fenomeni. Për t’i ardhur në ndihmë profesionistëve të Shëndetësisë por edhe për të sensibilizuar pacientët, OBSh-ja i ka kategorizuar antibiotikët në tre kategori. Në kategorinë e parë “Access” janë antibiotikët të cilët duhet të jepen si zgjedhje e parë nga mjeku dhe që nuk japin ose japin pak antibiotiko-rezistencë.
Në kategorinë e dyte “Watch” janë antibiotikët që duhen përdorur vetëm në ato raste kur është e nevojshme dhe mundësisht jo mbi baza empirike. Këto antibiotikë japin antibiotiko-rezistencë. Në kategorinë e tretë “Reserve” janë të listuar antibiotikët që jepen vetëm si mundësi e fundit. Pas këtyre pacienti mbetet pa mjekim të efektshëm. Sipas një studimi (2015) të Qendrës Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) në vendet e hapësirës ekonomike evropiane ka patur në një vit gati 700.000 raste me infeksione antibiotiko-rezistente dhe prej tyre 33.000 pacientë kanë vdekur nga mospatja në dispozicion e një antibiotiku të efektshëm. Studentët e degës së farmacisë, farmacistë dhe profesionistë të tjerë të shëndetësisë kanë kontribuar me shumë mendime e sugjerime pozitive për të bërë të mundur përmirësimin e situatës në Shqipëri. Këtë vit në kuadrin e Javës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Përdorimin e Antibiotikëve 2019, kam dëshirë të përcjell (me redaktime) opinionin e një farmacisti të rrjetit të hapur, Dr. Afrim Plaka, opinion i cili është një përmbledhje reale e situatës dhe e masave që mund të merren për përdorimin racional të antibiotikëve.
“Antibiotikët përbëjnë mesatarisht 22% të inventarit fizik të farmacive të rrjetit të hapur, si një armë e domosdoshme për trajtimin e infeksioneve dhe njëkohësisht si mjet abuzimi për sa i takon përdorimit të tyre pa respektuar kriteret. Janë tre komponentë që nuk respektohen duke sjellë keqpërdorim të antibiotikëve, rritjen e rezistencës ndaj tyre dhe duke i lënë praktikisht mjekët e pacientët pa këtë armë të fuqishme e të domosdoshme.
1. Shitja pa rekomandimin e mjekut të antibiotikëve nga ana e farmacistëve, të cilët në raste sporadike, me iniciativë ndoshta profesionale, ose herë të tjera të vendosur nën presionin e pacientëve për t’i marrë antibiotikët (bazuar në njohuritë e tyre jo të plota të përftuara nga përvoja apo mediat sociale), shtuar këtu përdorimin e disa antibiotikëve të gjeneratave të para për kafshët dhe shpendët shtëpiake. Ky faktor kontribuon në rritjen e rezistencës për antibiotikët e gjeneratave kryesisht të para pasi edhe çmimi i tyre orienton në zgjidhje me kosto të lire (nuk ka iniciativa nga asnjëra palë që të bëj zgjidhje me kosto të lartë dhe për pasojë ky fenomen nuk prek antibiotiëk të grupit 2 dhe 3).
2. Promovimi dhe marketingu agresiv që bëhet nga kompanitë farmaceutike tek mjekët për përdorimin e antibiotikëve ka një rol të konsiderueshëm në rritjen e përdorimit të tyre dhe si pasojë nxitet mosrespektimi i kritereve në përshkrim.
3. E treta nga radha por jo nga rëndësia është përshkrimi nga mjekët i antibiotikëve të gjeneratave të larta pa justifikuar plotësisht përdorimin e tyre dhe pa u bazuar në ndonjë protokoll të caktuar për këtë qëllim (sidomos nga mjekët e urgjencës dhe mjekët e familjes).
Midis përdorimit të antibiotikëve pa recetë nga mjeku dhe përshkrimit të antibiotikëve të grupit të dytë apo të tretë nga ana e mjekut, mendoj se fenomeni i dytë e nxit më tepër antibiotiko-rezistencën sesa i pari. Këtë mendim e argumentoj me faktin se sasia e njësive të antibiotikëve të shitur, të cilat i përkasin grupit të parë (amoksicilinë, ampicilinë, tetraciklinë) dhe të cilat pothuaj nuk hasen më fare në recetat mjekësore është shumë e vogël krahasuar me numrin e njësive të antibiotikëve të grupeve të larta të shitur (ceftriaxon, cefdinir, cefiximë) të cilat shënohen në receta mjekësore shpeshherë pa qenë të domosdoshëm.
Gjithashtu, pengesë për monitorimin e përdorimit racional të antibiotikëve vijnë nga mangësitë në plotësimin e recetës mjekësore, me mosplotësim të pjesës së emrit, mbiemrit, firmës dhe vulës së mjekut. Formalizimi i recetës në Shqipëri mund të jetë një hap i duhur në drejtim të realizimit të sfidës botërore për parandalimin e rezistencës bakteriale ndaj antibiotikëve. Gjithashtu recetat duhen të përshkruhen sipas protokolleve të mjekimit të miratuara dhe hartimi dhe respektimi i protokolleve është urgjent.
Në përfundim dhe në mbështetje të Javës së Ndërgjegjësimit për Përdorimin e Antibiotikëve jepen disa sugjerime:
1. Sensibilizim mediatik i pacientëve për dekurajimin e tyre sa i takon kërkesës për përdorimin e antibiotikëve pa përshkrim nga mjeku, drejtuar kjo personelit farmaceutik apo blerjeve on-line.
2. Rritje e monitorimit në subjektet farmaceutike për mënyrën e dhënies së antibiotikëve.
3. Formalizim i recetës mjekësore dhe sensibilizim i mjekut për mënyrën e përshkrimit dhe kategorizimin e antibiotikëve sipas OBSh-së.
4. Miratim i protokolleve të përshkrimit të antibiotikëve.
5. Planifikim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Cështjeve Sociale i nevojave për antibiotikë të grupeve 2 dhe 3, duke kufizuar mundësine e futjes së sasive të padobishme.”
Bota ka nevojë për antibiotikë të efektshëm, Shqipëria gjithashtu. Ulja e fenomenit të antibiotiko-rezistencës ka nevojë edhe për kontributin tonë. Antibiotikët nuk janë karamele-Përdorini me kujdes!
*Shef i Departamentit të Farmacisë (UMT)