Ndërsa hetimi ndaj tij ka tronditur familjen mbretërore dhe ka hapur një krizë të re në Londër, ish-princi Andrew Mountbatten-Windsor duket sikur jeton në një realitet paralel. Sipas atyre që e shohin nga afër, ai sillet si të mos ketë ndodhur asgjë.
“Është shumë i pasjellshëm. Jeton në një botë tjetër.” Kështu e përshkruajnë njerëzit që banojnë pranë tij, rrëfen shkrimtari i njohur i biografisë së Elisabetës dhe Karlit, Robert Hardman.
Portreti që del prej tyre është i ftohtë dhe i ashpër: një njeri që ankohet pa pushim dhe që nuk e ka përmendur asnjëherë skandalin që e ka futur nën hetim për abuzim të mundshëm me detyrën.
“Që kur ka ardhur, vetëm ankohet,” ka treguar një person pranë familjes. “Nuk flet fare për atë që po ndodh. Është më i shqetësuar se ku do t’i vendosë kuajt apo ku do ta parkojë makinën.”
Sipas të njëjtit burim, fakti që shpenzimet e tij mbulohen nga mbreti do të duhej të sillte pak mirënjohje. “Por as kjo nuk shihet”, shton ai.
Këto komente janë bërë përpara të enjtes së shkuar që ndryshoi gjithçka. Atë ditë Andrew u ndalua, u mor në pyetje për 11 orë dhe iu kontrolluan banesat. Që prej atij momenti, nga familja mbretërore nuk ka dalë asnjë reagim publik. Heshtje totale.
Mbreti kishte reaguar më herët me një qëndrim të prerë: ligji duhet të bëjë rrugën e vet. Pas kësaj, familja po mundohet të shfaqet sa më e qëndrueshme në publik.
Në skenë dalin figurat më të forta të saj. Kate u shfaq në një ndeshje rugby në Twickenham, e buzëqeshur si gjithmonë. Princesha Anna, motra e mbretit dhe e Andrew, vazhdon angazhimet pa u ndalur. Ajo prej kohësh është konsideruar si një nga më të disiplinuarat e familjes, madje ishte ndër të parat që zgjodhi të mos u japë fëmijëve titullin “Lartmadhëri Mbretërore”.
Një hap që më pas e ndoqi edhe princi Edward, por jo Andrew, vajzat e të cilit, Beatrice dhe Eugenie, e përdorin ende titullin.
Sipas vëzhguesve të familjes mbretërore, kjo duket si fillimi i një strategjie të re të drejtuar personalisht nga mbreti. Një strategji për të shpëtuar imazhin e kurorës nga një krizë që po thellohet.
Madje flitet hapur për heqjen e Andrew nga radha e trashëgimisë së fronit, ku aktualisht renditet i teti.
Downing Street ka konfirmuar se qeveria po punon me Buckingham Palace për një ligj të posaçëm që do ta largonte nga rendi dinastik. Procedura nuk është e thjeshtë, sepse kërkon miratimin e 15 vendeve të Commonwealth-it ku mbreti është kreu i shtetit. Por nuk është as e pamundur.
Në sfond mbetet hija e çështjes që ka tronditur botën vite më parë, ajo e Jeffrey Epstein. Pas arrestimit të Andrew, në debat është rikthyer edhe emri i Ghislaine Maxwell, e dënuar me 20 vite burg për trafikim seksual të të miturve.
Vëllai i saj, Ian Maxwell, ka dalë publikisht në mbrojtje të motrës, duke thënë se ajo është bërë “kokë turku” për krimet e Epstein dhe se nëse ai do të ishte gjallë, do të ishte ai në burg, jo ajo. Ky pretendim bie ndesh me dëshmitë e viktimave.
Por në mes të kësaj krize, po del në pah edhe një tjetër zhvillim që e rëndon historinë: Gazeta Daily Mail raporton se mbreti Charles ishte paralajmëruar që në vitin 2019 se emri i Kurorës rrezikonte të përdorej për interesa private nga lëvizjet dhe lidhjet e princit Andrew në biznes.
Sipas gazetës, një informativë anonime e dërguar në Pallat ngrinte dyshime për lidhje të fshehta mes ish-Dukës së Jorkut dhe financierit milioner David Rowland, i akuzuar se shfrytëzonte kontaktet mbretërore për përfitime. Dokumentet e cituara nga gazeta sugjerojnë se Andrew kishte “deleguar në praktikë” disa detyra institucionale tek Rowland, ndërsa në një email thuhej se veprimet e tij tregonin se ai e konsideronte raportin me Rowland “më të rëndësishëm se atë me familjen e tij”.
Në atë dosje, sinjalizuesi pretendonte gjithashtu se Rowland e kishte paguar Andrew për të siguruar një licencë bankare në Luksemburg për Banque Havilland, duke bashkëngjitur edhe detaje të supozuara për llogari të princit. Sipas raportimit, Rowland i kishte dhënë 40 mijë paund ish-bashkëshortes së Andrew, Sarah Ferguson, për ta ndihmuar të shlyente borxhe, ndërsa në vitin 2017 kishte shlyer edhe një hua prej 1.5 milion paundësh për vetë Andrew.
Artikulli shton se Andrew i kishte rrëfyer Jonathan Rowland, djalit të David Rowland, për një “bisedë inkurajuese” me David Cameron dhe Ed Miliband gjatë dasmës së princit William në 2011, ndërkohë që po shpërthente skandali i fotove me Virginia Giuffre. Po sipas të njëjtit rrëfim, ai kishte përdorur edhe misione tregtare për të hapur rrugë për marrëveshje milionëshe, përfshirë një projekt nafte me persona të lidhur me rrethin e Jeffrey Epstein.
Ndëkohë Gloria Allred, avokate e 27 viktimave të Epstein, u ka bërë thirrje mbretit Charles, princit William dhe Kate që të bashkëpunojnë me hetuesit, duke kërkuar të flasin hapur për atë që dinë mbi rolin e Andrew në çështjen Epstein.
Kështu, ndërsa Andrew përshkruhet si njeri që “s’po e ndien” krizën, dosjet e reja po e kthejnë pyetjen tek Pallati Buckingham: çfarë u dinte, kush e dinte, që kur dhe pse nuk u veprua më herët. /CorrieredellaSera
Komente











