“Bota serbe” u përmend si koncept për herë të parë në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë në Ballkanin Perëndimor ka pasur paralajmërime se ajo frazë rikujton aspiratat e politikës zyrtare serbe që pati rol kyç në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.
Në anën tjetër, nga Beogradi thonë se elita politike që udhëheq me vendin nga viti 2012 nuk ka aspirata territoriale ndaj fqinjëve, por vetëm tregon kujdes ndaj qytetarëve me kombësi serbe në shtetet që kanë dalë nga rënia e Jugosllavisë.
Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit vlerëson:
“Më duket se ky është një vazhdim i projektit të ‘Serbisë së madhe’ të Sllobodan Millosheviqit, mbase tash me mjete paqësore dhe artikulim të vizionit të presidentit Aleksandar Vuçiq, si udhëheqës i të gjithë serbëve”, thotë Vogel për Radion Evropa e Lirë.
"Ideja themelore është që përderisa 'Serbia e madhe' mbetet një ëndërr, “Bota serbe” mund ta zëvëndësojë atë, ose serbët duhet të presin një ose dy dekada derisa të mund të jetojnë në një shtet të vetëm, por që gjithmonë do ta mbajnë të bashkuar 'shpirtin' serb. Duke pasur parasysh atë që ndodhi në vitet 1990, është e qartë se kjo gjithmonë do t'i bëjë fqinjët e Serbisë jashtëzakonisht nervozë, dhe për këtë kanë arsye, sepse ajo është një ide destabilizuese"”, thotë Vogel.
Deri më tani, fqinjët e Serbisë nuk kanë artikuluar një përgjigje të përbashkët. Nuk ka deri më tash shenja se ata kanë kërkuar zyrtarisht reagimin e bashkësisë ndërkombëtare. Por, deri më tani, sinjali më i qartë se diçka e tillë mund të ndodhë ka ardhur nga Kroacia.
Millanoviç në veprim
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç, më 16 shtator 2021, deklaroi se është detyrë e tij që t’u tregojë partnerëve perëndimor për kërcënimet nga ideja e “Botës serbe”. Ai këto komente i bëri gjatë takimit në Zagreb me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili tha se ky koncept është eufemizëm për politikën e 'Serbisë së madhe'. Millanoviç tha se detyra e tij është të paraqesë këtë në forumet ndërkombëtare.
"Sidomos në të ardhmen, detyra ime do të jetë të tërheq vëmendjen e bashkëbiseduesve të mi të nivelit të lartë në Perëndim, sepse unë e shoh Malin e Zi në Perëndim, për këto gjëra për të cilat ata dinë pak dhe nuk ju interesojnë. Kur shohin ndikimin e disa fuqive të huaja në kufijtë e tyre, nuk e shohin atë në Mal të Zi. Nuk është se ata bëjnë sikur nuk e shohin. Do të doja që dikush t'ua tregonte dhe t'ua tërhiqte vëmendjen. Kjo është puna ime", pati thënë ai.
Nuk dihet se si partnerët perëndimorë reaguan ndaj pikëpamjeve të Millanoviçit, ashtu siç nuk e komentuan konceptin që vjen nga Serbia, dhe i cili ka nxitur nervozizëm në rajon.
Megjithatë nga ana e zyrtarëve kroatë "Bota serbe" nuk shihet vetëm në kontekstin e një ideje, efektiviteti i së cilës varet nga aftësitë e autoriteteve në Beograd.
Në raportin vjetor të publikuar më 27 shtator 2021, Agjencia e Inteligjencës në Kroaci thekson se ky është një koncept i mbështetur nga Rusia për të destabilizuar më shumë Ballkanin Perëndimor.
"Në kontekstin rajonal, disa bartës të politikave shtetërore në Serbi promovojnë konceptin e botës serbe si një popull i vetëm politik serb, domethënë një bashkësi e vetme politike dhe shtetërore e të gjithë serbëve në Evropën Juglindore, në të cilën të gjithë serbët duhet të ndjekin një drejtim politik, atë të Beogradit zyrtar. Promovimi i ideve të tilla nga udhëheqësit serbë destabilizojnë më shumë marrëdhëniet e ndjeshme ndëretnike dhe ndër-shtetërore në Evropën Juglindore, veçanërisht ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi", thuhet në raportin e agjencisë kroate.
Në rajon, jo të gjithë e kanë kuptuar se kufijtë nuk mund të ndryshohen dhe se ende ekzistojnë projekte për krijimin e shteteve të mëdha, thotë ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç.
“Kemi pasur 100.000 të vdekur dhe kufiri nuk ka ndryshuar asnjë centimetër. Kemi një kthim të atyre mesazheve të ‘Botës serbe’ të cilat Ilija Garashanin (diplomat dhe kryeministër i Serbisë në dy periudha në mesin e shekullit XIX) i dërgoi si 'bashkim i vendeve kudo ku jetojnë serbët'. Pastaj Stevan Moljeviq, anëtar i shtabit të Drazha Mihailloviqit (udhëheqës i guerilëve çetnikë nga Lufta e Dytë Botërore), i cili paraqiti idetë për zgjerimin e kufijve serbë. Përsëri kemi këto lloj përpjekje, sepse disa, assesi nuk mund të binden se kufijtë` nuk mund të ndryshohen”, tha Mesiç në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
A është ideator Vullini?
I pari që e ka përdorur termin “Bota serbe” nga ana e zyrtarëve shtetërorë serbë ka qenë Aleksandar Vullin, derisa ishte ministër i Mbrojtjes i Serbisë.
"Vuçiç duhet të krijojë botën serbe. Beogradi duhet t'i mbledhë të gjithë serbët brenda dhe rreth vetes, dhe presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve", tha Vullin më 26 shtator të vitit 2020.
Gjatë një interviste në televizionin serb Happy, Vullin e sqaroi më shumë idenë e tij. Në atë kohë, nga pozita e ministrit të Mbrojtjes, ai tha se rrethanat gjeopolitike aktuale nuk janë të atilla që mundësojnë bashkimin e të gjitha zonave ku jetojnë serbët, por, siç tha, ai beson se kjo do të ndodhë në dhjetë, njëzet ose pesëdhjetë vjet.
"Kudo që ata jetojnë, në Serbi, Mal të Zi, Republika Sërpska. Kujdesi për të gjithë popullin serb duhet të bëhet nga një qendër, që është Beogradi, dhe unë nuk shoh se çfarë është e diskutueshme këtu", pati thënë Vullin.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk sheh asgjë të diskutueshme në këtë ide. Ai i ka quajtur reagimet negative ndaj Vullinit si një fushatë kundër Serbisë.
Sipas tij, politika zyrtare shtetërore, thotë se kufijtë e Serbisë janë të pacenueshëm dhe se Beogradi nuk merret me kufijtë e të tjerëve.
Për ndryshimin e kufijve, Vullin kishte folur me rastin e publikimit të një dokumenti "non-paper" në prill të vitit 2021, i cili propozoi bashkimin me Serbinë të entitetit të Republika Sërpskës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Portali slloven, Uncensored, publikoi një dokument diplomatik jozyrtar, të cilin, siç thanë ata, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, e kishte dërguar në Bruksel, dhe në të cilin ai paraqiti ide për rishikimin e kufijve në Ballkan.
Dokumenti, sipas këtij mediumi, parashihte aneksimin e një pjese të Bosnje dhe Hercegovinës nga ana e Kroacisë. Gjithashtu, dokumenti thoshte që entiteti Republika Sërpska do t'i përkiste Serbisë, ndërsa Kosova do të bashkohej me Shqipërinë.
Jansha mohoi se ekziston një dokument i tillë.
Nën presionin e kritikave, më 19 tetor, Vullin e mori komplet "përgjegjësinë" për krijimin e idesë së "Botës serbe". Gjatë një fjalimi në Parlamentin serb, ai tha se Aleksandar Vuçiç nuk kishte të bënte me të.
"E dini se kush ka problem me botën serbe? Vetëm ata në vendet e të cilëve serbët vuajnë nga diskriminimi. Këtu (në Serbi v.j), hungarezët nuk kanë asnjë problem, pakica serbe atje (Hungari) respektohet dhe zhvillohet", ka thënë Vullin.
Çfarë ka thënë Edi Rama?
Aleksandar Vullin në diskutimet për botën serbe nuk e ka kursyer as Shqipërinë, pavarësisht se kryeministri i këtij vendi, Edi Rama, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, janë iniciatorë të nismës "Ballkani i Hapur" që parasheh krijimin e zonës për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Duke reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se qëllimi i karrierës së tij politike ishte "bashkimi i Shqipërisë me Kosovën", Vullin tha më 10 tetor, se uniteti serb është pengesa e vetme për 'Shqipërinë e madhe'.
"Kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se detyra e karrierës së tij politike është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, të gjitha vendet e Ballkanit heshtin. Hesht edhe UNMIK -u, i cili kontrollon Kosovën në bazë të Rezolutës 1244, dhe as BE-ja nuk i lëshon ato deklaratat e famshme përmes së cilave u bën thirrje të dyja palëve të përmbahen", tha Vulin, raportoi agjencia Tanjug.
Deklarata e Vullinit ishte përgjigje ndaj qëndrimit të Ramës.
I pyetur nëse planifikon të bëhet president i Kosovës dhe Shqipërisë, Rama tha se nuk e ka në plan këtë, pasi donte të kishte një jetë të tretë të fokusuar te të dashurit e tij. Por, ai tregoi aspiratën e tij për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Kur u pyet nga gazetari se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, shoqërohet me një lidership, Rama tha: “Por, kjo nuk është projekt personal. Kjo është aspiratë. Nuk ka asgjë që nuk ka lidhje me personalen te secili person, por tjetër është një projekt personal dhe tjetër është që personi yt të jetë në dispozicion të një aspirate që është më shumë sesa personale”.
Edi Rama ka qenë në krye të Qeverisë shqiptare që nga viti 2013. Ai aktualisht është në mandatin e tij të tretë. Por, fuqia e tij politike në atë vend nuk mund të krahasohet me atë të Vuçiçit në Serbi.
Konkretisht, Partia Përparimtare Serbe e Aleksandër Vuçiçit gëzon mbështetjen e të paktën 180 nga 250 deputetët e Parlamentit të Serbisë, ndërsa socialistët e Ramës gëzojnë mbështetjen e 74 nga 140 deputetët e Parlamentit të Shqipërisë.
Si e sheh Mali i Zi konceptin e “botës serbe”
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, e vlerësoi “botën serbe” si një kërcënim të qartë.
Pozicioni i tij është dobësuar pasi në zgjedhjet e vitit të kaluar, Partia Demokratike e Socialistëve, të cilën ai e udhëheq, u rrëzua nga pushteti pas 30 vjetësh.
Fuqia e Lëvizjes kombëtare serbe në këtë vend, në veçanti për çështjet që kanë të bëjnë më Kishën Ortodokse Serbe është parë gjatë vitit 2020.
Në atë kohë, rezistenca e fuqishme e përbashkët ndaj planeve të Qeverisë së Gjukanoviçit për të zbatuar rregulla të reja mbi pronën e bashkësive fetare ishte një nga proceset kryesore politike që i parapriu ndryshimit të Qeverisë në Mal të Zi.
Gjukanoviç po përgatitet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, dhe nacionalizmin serb e sheh si një ndër sfidat më të vështira.
"Qëndrimi i Serbisë ndaj Malit të Zi në këtë kohë është i ngjashëm me qëndrimin e Serbisë ndaj vendeve fqinje gjatë viteve 1990", tha Gjukanoviç më 4 qershor 2021, gjatë takimit me dy anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiç dhe Shefik Xhaferoviç.
“Përmes maskës se duhet kujdesur për të drejtat, të supozuara se janë të rrezikuara, të popullit serb në shtete fqinje, sovraniteti i këtyre vendeve është në thelb i rrezikuar. Kjo ndodhi në vitet 1990 dhe të gjithë e dimë epilogun", tha Gjukanoviç.
Konstrukti i konceptit të “Botës serbe” u formësua në kuadër të bashkëpunimit politik dhe të sigurisë mes Serbisë dhe Rusisë, thotë Qendra për Forenzikë Digjitale në raportin "Roli i Rusisë në Ballkan: rasti i Malit të Zi".
“Bota serbe” është një modifikim i idesë së Serbisë së Madhe, realizimi i së cilës mund të çojë në destabilizimin e rajonit dhe të ndërlikojë situatën e sigurisë, shkruan studimi.
Aty thuhet se ky koncept nënkupton revizionizëm historik, mohim të identitetit kombëtar të popujve të caktuar në fqinjësi dhe një retorikë se serbët jashtë Serbisë janë të rrezikuar, me ambicie që për çështjet e tyre të vendosë Beogradi.
"Ideja e Serbisë së Madhe ishte një nga shkaqet kryesore të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe konflikteve të përgjakshme etnike që ndodhën në vitet 1990", thuhet në studim.
Në Mal të Zi, koncepti “Bota serbe" mbështetet nga partia në pushtet, Fronti Demokratik (DF). Ata formuan qeverinë me demokratët dhe lëvizjen qytetare URA pas zgjedhjeve të gushtit të vitit 2020.
"Serbëve përtej kufirit u pëlqen ideja e 'Botës serbe', dhe ne tashmë jemi duke punuar në realizimin e saj", tha për N1 në muajin qershor një nga drejtuesit e Fontit Demokratik, Andrija Mandiç.
"Bota serbe" thellon ndarjet në Bosnje dhe Hercegovinë
Ndaj deklaratës së Vullinit se "detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë një 'Botë serbe', të bashkojë serbët kudo që ata jetojnë," u përgjigjën zyrtarët e Bosnje dhe Hercegovinës.
Ministrja e Jashtme e Bosnjës, Bisera Turkoviq, tha se ajo priste që presidenti Vuçiq të distancohej menjëherë nga deklaratat e Vullinit, përndryshe, siç tha ajo, heshtja do të konfirmonte se politika zyrtare e Serbisë është të prishë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit me qëllim të aneksimit të pjesëve të Bosnje dhe Hercegovinës.
Deklarata e Vullinit është një shkelje flagrante e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, destabilizim i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe një kërcënim për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, të cilët u mbrojtën nga agresioni dhe gjenocidi 26 vjet më parë, tha Turkoviq.
Nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, i vlerësoi deklaratat e Vullinit si hegjemoniste, ndërsa zëvendëspresidenti i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Millan Dunoviq, tha se përpjekja për të ringjallur Serbinë e madhe nuk kontribuon në të mirë të marrëdhënieve fqinjësore.
"Ministër Vullin, më lejoni t'ju them, si një serb, serbit tjetër – me mua nuk mund ta ndani bukën, dhe sigurisht jo me Bosnje dhe Hercegovinën", tha Daunoviç.
"Bota serbe" shihet ndryshe në entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës - Republika Sërpskën. Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, thotë se nuk ekziston ndonjë projekt që bën thirrje për Serbinë e madhe.
"Projekti ynë është të forcojmë Republika Sërpskën në atë masë sa të jemi një shtet i pavarur në këtë rajon. Tregimi për 'Botën serbe' është një histori për vlerat që njerëzit kanë, dhe ato janë vlerat që lidhen me besimin dhe identitetin tonë", ka thënë Dodik.
Dodik mban lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë. Ai përgjatë viteve ka mbajtur të njëjtën retorike dhe Beogradi zyrtar nuk e ka kundërshtuar asnjëherë.
Gjatë vizitës së tij të fundit në kryeqytetin serb, ku mori pjesë në Samitin e të Painkuadruarve më 11 tetor, Dodik u ul nën simbolin e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës pasi është anëtar i presidencës së këtij vendi.
Premtimet e tij për të ndarë entitetin e Republika Sërpskës nga Bosnje dhe Hercegovina e kanë një histori të gjatë. Kushtetuta e këtij vendi nuk e mundëson këtë, prandaj prania e tij në samit nxiti vëmendjen se kë në fakt e përfaqëson ai.
Serbia dhe Republika Sërpska, gjithashtu, refuzojnë të njohin gjenocidin e kryer në vitin 1995 nga forcat serbe në Srebrenicë. Uniteti në mohimin e krimit që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli si gjenocid më 2007 nuk përmendet në promovimin e konceptit të "Botës serbe" të përkrahur nga të dyja palët.
Në pritje të përfundimit të negociatave Kosovë-Serbi
Mbi dhjetë vjet, Kosova dhe Serbia po zhvillojnë negociata për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Delegacionet shumë shpesh diskutojnë edhe për zgjidhjen e krizave dhe incidenteve urgjente që ndodhin në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe. Për këto vende është përmendur edhe njohja reciproke si zgjidhje përfundimtare për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Të paktën kështu sugjeroi kancelarja në largim e Gjermanisë, Angela Merkel, në Beograd më 13 shtator.
“Disa çështje do të zgjidhen në fund të një procesi. Të gjithë e dinë se disa vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Çështja duhet të zgjidhet. Nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e një procesi para se të zgjidhen gjërat e tjera dhe pastaj i gjithë procesi”, tha Merkel.
Në reagimet nga Kosova për konceptin e “Botës serbe”, u tha se nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve.
Nga zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, u tha se kthimi në atë diskurs kërcënues është një tregues se Serbia nuk është ende në gjendje të "shkëputet nga politika gjenocidale e regjimit të Millosheviqit".
“Kjo deklaratë nuk përbën asgjë të re. Deklaratat serbomëdha janë vetëm vazhdim i diskursit të viteve '90, të kohës të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, të cilat prodhuan luftëra dhe pasojat e të cilave ende po i bartim. Kjo retorikë duhet gjykuar edhe nga autoritetet e BE-së, pjesë e së cilës synon të bëhet Serbia. Një deklarim i tillë, gjithashtu është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e administratës së presidentit Biden për mosndryshimin e kufijve të shteteve në rajon”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, beson se problemi i Serbisë ka të bëjë me të kaluarën dhe se presidenti i Serbisë nuk po distancohet nga ata që ishin në pushtet në vitet 1990.
"Unë mendoj se ne kemi dhjetë vjet dialog në Bruksel pa një marrëveshje përfundimtare sepse ka rezistencë problematike në ballafaqimin me të kaluarën", tha Kurti pas një raundi të dështuar të bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel më 19 korrik 2021.
Apel kundër rritjes së nacionalizmit në Ballkan
Rreth 250 intelektualë nga rajoni në fillim të muajit maj iu shkruan BE-së, SHBA-së dhe NATO-s një letër duke paralajmëruar pasojat e ringjalljes së nacionalizmit në Ballkanin Perëndimor, të cilat, sipas tyre mund të çojnë në dhunë.
"Nacionalizmi në rritje, idetë për rishikimin e kufijve dhe tensionet në Ballkanin Perëndimor të kujtojnë në mënyrë të pashmangshme vitet '90 dhe çdo relativizim i seriozitetit të situatës do të ishte i gabuar dhe i rrezikshëm", thanë nënshkruesit e apelit.
Midis atyre që e nënshkruan letrën ishin Lulzim Peci - drejtor i Institutit të Kosovës për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, historiania serbe, Latinka Peroviq, Rade Bojoviç nga Iniciativa Qytetare Malazeze 21, Daniel Server nga Universiteti Johns Hopkins, Florian Bieber nga Universiteti i Gracit, Bodo Weber i Këshillit për Politikat e Demokratizimit dhe personalitete tjera.
Vuçiç nuk e përmend "botën serbe" në Bruksel
Një zyrtar i BE-së, gjatë një bisede për Radion Evropa e Lirë, thotë se në pikëpamjet që paraqet, të paktën në Bruksel, presidenti Aleksandër Vuçiç, nuk e përmend "Botën serbe” si qëndrim. Pozicioni i Brukselit është i qartë, shton ky bashkëbisedues, ngritja e çështjes serbe ka pasur pasoja në të kaluarën e afërt në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, dhe ka sjellë vuajtje për vetë serbët në Serbi. "Pra, është e qartë pse kjo irriton fqinjët", thotë bashkëbiseduesi.
Ai, gjithashtu, thekson se një koncept i ngjashëm u përdor gjatë pushtimeve ruse në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë.
E gjithë kjo tregon se këto janë ide të rrezikshme, të cilat mund të shkojnë shumë larg nëse shkëputen nga çështja e edukimit të trashëgimisë gjuhësore ose kulturore, thotë zyrtari.
Cili është qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar?
Kur e pyetën se si Shtetet e Bashkuara e shohin konceptin e "Botës serbe" dhe nismat e fundit të presidentit Vuçiq dhe zyrtarëve të tjerë për të promovuar identitetin dhe "unitetin" serb, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguar për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se "nuk ekziston asnjë konflikt, apo kundërshtim në atë që njerëzit të festojnë kulturën e tyre dhe jetojnë në një vend tjetër".
“Këtu në SHBA ne festojmë traditat kulturore të njëri-tjetrit. Problemi lind kur kjo shndërrohet në një përparësi ushtarako-politike. Ne absolutisht besojmë se qytetarët e etnive të ndryshme, që jetojnë në një vend tjetër, janë qytetarë të vendit ku jetojnë dhe kanë përgjegjësi ndaj atij vendi. Vende të tjera nga jashtë duhet ta kenë këtë të qartë, pavarësisht ku gjenden këto etni, në Kosovë, Maqedoni e Veriut, apo Mal të Zi. Është një çështje që krijon shumë pështjellim për njerëzit në rajon. Por, ne besojmë se Ballkani, si një rajon shumetnik i botës, ka shumë për të festuar në aspektin kulturor, tha Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ndërsa, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë se "në parim, gjuha dhe retorika e provokimit janë në kundërshtim me vlerat e BE -së, dhe nuk ka vend për këtë në BE".
"Udhëheqja e liderëve duhet të jetë shembull në zgjedhjen për të punuar së bashku dhe për të promovuar një klimë të besimit, respektit dhe mirëkuptimit reciprok dhe një atmosferë të favorshme për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal", tha Stano.
Në një samit në Brdo pranë Kranjit në Slloveni udhëheqësit e BE-së kanë riafirmuar angazhimin e tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
"Për më tepër, nevojiten përpjekje vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dhe çështjet dypalëshe të së kaluarës", thuhej në deklaratën e udhëheqësve të BE-së pas takimit.
Bashkimi Evropian, gjithashtu, rikujtoi se deri më tani është investitori dhe donatori më i rëndësishëm në rajon./REL
Kjo "botë serbe" vetëm Ramën nuk e shqetëson, sepse Rama po e ndihmon serbin në këtë rrugë qorre...!
PërgjigjuBota serbe = Stalla e derrave. Kurre s’do kete bote serbe, se derri eshte per tjeter gje.
Përgjigju