Për shumë turistë, Ballkani mund të mos ketë qenë pjesë e listës së destinacioneve të preferuara të pushimeve.

Por, ndërsa vendet tradicionale të Evropës Perëndimore, si Spanja dhe Italia, përballen me mbipopullim nga flukset e turistëve, disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë nisur të tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë nga Amerika e Veriut, shkruan Rebecca High në median amerikane “Islands”.

Ndër to është edhe Shqipëria, një vend më pak i njohur, por po aq tërheqës.

Ajo po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në rrjetet sociale, në listat e destinacioneve të fshehura, në krahasimet me vende alternative dhe në artikujt për “sekretet më të ruajtura” të Evropës.

Qendrat historike të qyteteve shqiptare janë rigjallëruar. Në të njëjtën kohë, mijëra vende të reja pune janë krijuar falë zhvillimit të turizmit.

Sot, një brez i ri turistësh mund të zbulojë gjithçka që Shqipëria ofron.

Nga Riviera shqiptare dhe Alpet Shqiptare (pjesë e një zone të njohur nga UNESCO), deri te gjurmët e periudhës së Luftës së Ftohtë.

Për më tepër, Shqipëria po shndërrohet edhe në një destinacion të ri për zhytjet nënujore.

Anijet e lashta të mbytura, shpellat dhe kalimet nënujore po ofrojnë eksperienca unike për vizitorët.

Për dekada me radhë, shumica e turistëve e anashkaluan këtë vend. Megjithatë, situata ka ndryshuar ndjeshëm.

Sipas Institutit të Forumit Botëror të Turizmit, Shqipëria mirëpriti rreth 11,7 milionë vizitorë të huaj në vitin 2024.

Kjo shifër përfaqëson një dyfishim të shifrave krahasuar me vetëm tre vite më parë.

Këto shifra janë veçanërisht domethënëse duke marrë parasysh se popullsia e Shqipërisë është rreth 2,75 milionë banorë.

Në vitin 2023, shpenzimet e turistëve u rritën me 45% krahasuar me vitin 2019, duke kontribuar në një rritje ekonomike vjetore prej rreth 4%.

Deri në vitin 2025, numri i vizitorëve ka vijuar të rritet. Parashikimet tregojnë se turizmi shqiptar do të vazhdojë zgjerimin edhe në vitet e ardhshme.

Shqipëria ndodhet në pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik, me dalje në detet Adriatik dhe Jon. Ajo kufizohet me Greqinë në jug, Maqedoninë e Veriut në lindje, Kosovën në verilindje dhe Malin e Zi në veriperëndim. Përtej Adriatikut shtrihet Italia.

Vizitorët që duan të udhëtojnë drejt Shqipërisë zakonisht mbërrijnë përmes kryeqytetit, Tiranës. Megjithëse vendi po bëhet gjithnjë e më popullor mes turistëve amerikanë, ende nuk ka fluturime direkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” (TIA).

Për këtë arsye, shumica e vizitorëve kalojnë përmes aeroporteve të tjera evropiane. Një avantazh i rëndësishëm është se qytetarët amerikanë nuk kanë nevojë për vizë për të vizituar Shqipërinë. Kjo e bën vendin edhe më tërheqës si destinacion turistik.

Historia dhe atraksionet kryesore të Shqipërisë

Shqipëria është cilësuar shpesh nga historianët si “Enigma e Evropës”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, vendi u drejtua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili e mbajti Shqipërinë në izolim të thellë për disa dekada.

Gjatë kësaj periudhe u ndalua feja, u kufizuan udhëtimet jashtë vendit dhe u mbyllën kufijtë. Po ashtu, u ndërprenë marrëdhëniet me pjesën më të madhe të botës.

Regjimi ndërtoi edhe mijëra bunkerë betoni, të konceptuar për mbrojtje nga një sulm i mundshëm i huaj.

Pas vdekjes së Hoxhës në vitin 1985, Shqipëria nisi gradualisht procesin e hapjes. Një nga simbolet e kësaj periudhe, Piramida e Tiranës, u transformua më vonë në një hapësirë moderne për edukim, art dhe aktivitete publike.

Në vitin 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Aktualisht, vendi konsiderohet një nga destinacionet mesdhetare më të përballueshme dhe mikpritëse në Evropë.

Shumë vizitorë e përshkruajnë Tiranën si një nga kryeqytetet më interesante të kontinentit. Kjo vjen si rezultat i jetës së saj të natës dinamike, historisë së veçantë dhe skenës së zhvilluar të artit.

Në kryeqytet ndërthuren ndërtesa shumëngjyrëshe, arkitektura e periudhës komuniste, bunkerë historikë dhe hapësira moderne kulturore.

Edhe gastronomia e Tiranës është kthyer në një atraksion më vete. Tregjet lokale dhe restorantet ofrojnë një përzierje të gatimeve tradicionale dhe moderne.

Megjithëse Tirana mbetet ende një destinacion relativisht i përballueshëm dhe më pak i mbingarkuar nga turizmi masiv, rritja e popullaritetit ka ngritur shqetësime se kjo situatë mund të ndryshojë në të ardhmen.

Një nga pikat më të rëndësishme turistike është Riviera shqiptare. Ajo njihet për plazhet e saj mesdhetare dhe shpesh krahasohet me destinacione ekzotike, duke u quajtur edhe “Maldivet e Evropës”.

Bregdeti karakterizohet nga shkëmbinj spektakolarë, fshatra piktoreskë, gjire të fshehura dhe ujëra të kristalta. Riviera ndodhet disa orë larg Tiranës me makinë. Disa vizitorë zgjedhin gjithashtu të mbërrijnë këtu, përmes Korfuzit dhe më pas me traget.

Shqipëria, destinacion i ri për turizmin malor

Shqipëria vazhdon të ofrojë shumë vende të pazbuluara për turistët.

Alpet Shqiptare, të njohura edhe si Bjeshkët e Nemuna, përbëjnë një alternativë më të qetë dhe më pak të frekuentuar krahasuar me Dolomitet italiane.

Sipas legjendave lokale, këto maja të thepisura u krijuan nga djalli gjatë një dite trazirash, duke formuar peizazhin dramatik që karakterizon zonën.

Një nga destinacionet më të njohura është fshati i Thethit, i vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare pranë Parkut Kombëtar të Thethit.

Ai ofron pamje mahnitëse, natyrë të paprekur dhe burimin e famshëm të ujit të ëmbël, Syrin e Kaltër.

Nga Thethi, turistët mund të ndjekin një nga shtigjet më të bukura të ecjes drejt Valbonës. Kjo luginë konsiderohet një nga itineraret më spektakolare të turizmit malor në Shqipëri.

Përveç natyrës, vizitorët mund të eksplorojnë edhe qytetet historike dhe fshatrat tradicionale.

Eksperti i udhëtimeve, Rick Steves ka vlerësuar veçanërisht Gjirokastrën, një qytet i ndërtuar mbi shpatet e kodrave, i dominuar nga një kala e lashtë.

Një tjetër destinacion i rëndësishëm është Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”. Ai përmban ndërtesa historike të periudhës osmane që datojnë kryesisht nga shekulli XIII.

Si Gjirokastra ashtu edhe Berati janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shqipëria është një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në rajon. Zhvillimi i turizmit pritet të vazhdojë të transformojë vendin.

Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i cili synon të përmirësojë lidhjet me bregdetin jugor, është përballur me vonesa.

Ndërkohë, projekti për një resort luksoz shumëmiliardësh në ishullin e Sazanit ka shkaktuar debate dhe protesta.

Ndërsa Shqipëria përgatitet të mirëpresë edhe më shumë vizitorë, autoritetet po bashkëpunojnë me Bankën Botërore për të gjetur një ekuilibër mes zhvillimit turistik dhe mbrojtjes së qëndrueshme të pasurive natyrore dhe kulturore të vendit. /ATA