Të enjten u zhvilluan tetë ndeshjet e radhës në katër grupet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 për zonën UEFA. Një biletë për në fazën finale e siguroi Franca, e cila bëhet skuadra e dytë evropiane pas Anglisë që ka siguruar diçka të tillë.

Në "Parkun e Princave", Franca mposhti 4-0 Ukrainën në një ndeshje që në pjesën e parë nuk prodhoi gola. Për t'i dhënë epërsinë 'Gjelave' mendoi Kylian Mbappe që në minutën e 55-të shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Më pas Olise shënoi golin e qetësisë, para se Mbappe të shënonte golin e tretë të ndeshjes dhe të dytin personal. Ekitike dy minuta para fundit "vulosi" fitoren 4-0 të Francës.

Në Dublin, Irlanda mposhti 2-0 Portugalinë duke bërë që 'Luzitanët' mos merrnin një biletë për në fazën finale. Për herë të parë në historinë me kombëtaren (226 ndeshje), Cristiano Ronaldo u ndëshkua me karton të kuq. I 13-ti për të në karrierë. Ndeshja nisi me surpriza pasi Irlanda shënoi dy herë me Troy Parrottt në pjesën e parë.

Në Chisinau, Italia vuajti, por fitoi 0-2 kundër vendasve të Moldavisë me golat e Mancinit dhe Espositos në minutat 88-të dhe 90+2. Italia e ka siguruar fazën play-off dhe ndeshjen e fundit e luan në shtëpi kundër Norvegjisë kryesuese. Në bazë të golaverazhit, Italia duhet të fitojë 9-0 kundër Norvegjisë që të marrë vendin e parë në Grupin I dhe një biletë direkte për në finalet e Botërorit. Vetëm matematika e mban në lojë Italinë, pasi në praktikë edhe vetë të kaltrit e kanë ndarë mendjen që do luajnë në play-off për rrugën drejt Kupës së Botës 2026.

Ndeshjet e fundit kualifikuese për të teta skuadrat do luhen të dielën (16 nëntor).

Rezultatet, 13 nëntor:

Grupi D

Azerbajxhan 0-2 Islandë

Francë 4-0 Ukrainë

Grupi F

Armeni 0-1 Hungari

Irlandë 2-0 Portugali

Grupi I

Norvegji 4-1 Estoni

Moldavi 0-2 Itali

Grupi K

Andorra 0-1 Shqipëri

Angli 2-0 Serbi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:26
Cristiano Ronaldo u ndëshkua me karton të kuq, trajneri i Irlandës zbulon çfarë i tha CR7-s: Bëri një budallallik

Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, nuk mundi ta mbyllte ndeshjen e humbur nga të tijtë 2-0 kundër Irlandës. Ronaldo u ndëshkua direkt me karton të kuq në minutën e 60-të pasi goditi me bërryl qendërmbrojtësin Dara O'Shea.

Ndërsa po largohej nga fusha, sulmuesi i Al Nassr bëri një gjest sarkastik me gishtin e madh lart drejt një tifozi irlandez i cili po e tallte. Pastaj ai u përball me zemërim me trajnerin e Irlandës, Hallgrimsson dhe anëtarët e stafit të tij.

Duke folur për mediat pas ndeshjes, Hallgrimsson, zbuloi se çfarë i tha Ronaldo gjatë përballjes së tyre. “Po, ai më komplimentoi që i bëra presion gjyqtarit. Por dëgjoni, kjo nuk kishte të bënte fare me mua”, ka thënë fillimisht trajneri i Irlandës.

“Ishte veprimi i tij në fushë që i kushtoi kartonin e kuq. Nuk kishte të bënte fare me mua. Përveç nëse ia futa në kokë. Mendoj se folëm mjaftueshëm kur ai u largua. Nuk ka asgjë për të folur. Ky ishte thjesht një moment budallallëku nga ana e tij, do të thoja”, përfundoi Hallgrimsson.

Në 226 ndeshje me kombëtaren, ky ishte kartoni i parë i kuq i Ronaldos me Portugalinë, ose i 13-ti në gjithë karrierën.

Ora 13:25
Gattuso 'tërbohet' me tifozët e tij pas fitores së Italisë: Janë një turp

Pas fitores së vështirë 0-2 kundër Moldavisë, trajneri i Italisë, Rino Gattuso u 'tërbua' për Rai Sport pas ndeshjes në Chisinau.

"Dëgjova çfarë thanë tifozët. Është turp që na thonë të shkojmë në punë", tha trajneri i Italisë. "Një turp. Nuk e pranoj, por ne po ecim përpara. Pashë një ekip italian që luajti, ata (Moldavia) kurrë nuk gjuajtën në portë. Jam shumë i kënaqur. Nëse do të kishe një epërsi 11-1 kundër Norvegjisë, është problemi yt."

Gattuso diskutoi gjithashtu formulën e kualifikimit. Italia tani duhet të mposhtë Norvegjinë 9-0 të dielën në mbrëmje në 'San Siro' për të shmangur zonën play-off, gjë që është sinqerisht e pamundur.

"Në vitin 1994 kishte dy ekipe afrikane, tani janë tetë. Në kohën time, nënkampionët më të mirë evropianë shkonin direkt në Kupën e Botës...", tha trajneri.

Pastaj, duke folur për Sky Sport, trajneri italian përsëriti besimin e tij se skuadra e tij italiane do të jetë në Kupën e Botës.

"Mposhtja e Norvegjisë do të rriste vetëvlerësimin e skuadrës sonë. Kur luaja unë, nënkampioni më i mirë shkonte direkt në Kupën e Botës. Sot gjithçka ka ndryshuar, por ne patjetër do të shkojmë në Kupën e Botës . Jam shumë i kënaqur. Isha i shqetësuar për shumë ndryshime, por djemtë reaguan mirë sonte", tha Gattuso.

Ora 11:13
Italia, fitore 9-0 përballë Norvegjisë ose do të luajë në fazën play-off të Botërorit

1763115350_italia.JPG

Pas fitores së ngushtë dhe zhgënjyese kundër Moldavisë (0-2 në fund), Italisë do t’i duhet të mposhtë Norvegjinë 9-0 ose me një rezultat më të thellë për të siguruar kualifikimin direkt për Kupën e Botës 2026.

Arritja e këtij objektivi është thuajse i pamundur, prandaj në kampin italian po mendojnë më shumë për ndeshjet e play off-it dhe kanë filluar të studiojnë kundërshtarët e mundshëm për marsin.

Midis skuadrave kandidate për play off, aktualisht, janë dy ankthe të vjetra nga e kaluara, Suedia dhe Maqedonia, kjo e fundit një kundërshtare e mundshme në finale sipas parashikimeve aktuale. Le t’i hedhim një vështrim më të afërt rregullave dhe sfiduesve të mundshëm për “të kaltrit”.

Ekipi i Gattusos (në Vazon 1) do të luajë gjysmëfinalen e play off në shtëpi kundër njërës prej katër ekipeve që vijnë nga Liga e Kombeve, të cilat aktualisht janë: Uellsi, Rumania, Suedia dhe Irlanda e Veriut.

Finalja do të luhet kundër njërës prej ekipeve në Vazon 2 ose Vazon 3, të cilat aktualisht janë: Skocia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Shqipëria (Vazon 2) dhe Maqedonia e Veriut, Islanda, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova (Vazon 3).

Italia nuk është pjesë e Botërorit në dy edicionet e fundit.