Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, nuk mundi ta mbyllte ndeshjen e humbur nga të tijtë 2-0 kundër Irlandës. Ronaldo u ndëshkua direkt me karton të kuq në minutën e 60-të pasi goditi me bërryl qendërmbrojtësin Dara O'Shea.

Ndërsa po largohej nga fusha, sulmuesi i Al Nassr bëri një gjest sarkastik me gishtin e madh lart drejt një tifozi irlandez i cili po e tallte. Pastaj ai u përball me zemërim me trajnerin e Irlandës, Hallgrimsson dhe anëtarët e stafit të tij.

Duke folur për mediat pas ndeshjes, Hallgrimsson, zbuloi se çfarë i tha Ronaldo gjatë përballjes së tyre. “Po, ai më komplimentoi që i bëra presion gjyqtarit. Por dëgjoni, kjo nuk kishte të bënte fare me mua”, ka thënë fillimisht trajneri i Irlandës.

“Ishte veprimi i tij në fushë që i kushtoi kartonin e kuq. Nuk kishte të bënte fare me mua. Përveç nëse ia futa në kokë. Mendoj se folëm mjaftueshëm kur ai u largua. Nuk ka asgjë për të folur. Ky ishte thjesht një moment budallallëku nga ana e tij, do të thoja”, përfundoi Hallgrimsson.

Në 226 ndeshje me kombëtaren, ky ishte kartoni i parë i kuq i Ronaldos me Portugalinë, ose i 13-ti në gjithë karrierën.


Lajmi kryesor:

Botërori 2026/ Franca merr një biletë për në fazën finale, Portugalia dështon dhe rrezikon shumë! Ronaldo sheh të kuqin e parë, fiton Italia