Historia do të shkruhet sonte në New Jersey. Pas rreth 40 ditëve të mbushura me emocione dhe numër rekord golash, por edhe përfaqësuesesh pjesëmarrëse, Spanja dhe Argjentina do të përballen në finalen e Botërorit 2026. Një finale e paprecendentë që nis në orën 21:00, pasi kurrë më parë këto dy kombëtare nuk janë përballur në këtë fazë.
Spanja konsiderohet lehtë favorite ndaj Argjentinës që është edhe kampionia në fuqi e Botërorit. Do të jetë hera e parë që në finale përballën kampionët e Evropës me atë të Amerikës së Jugut, teksa Argjentina mund të të bëhet kombëtarja e dytë në historinë e këtij sporti që fiton dy Botërorë radhazi pas Brazilit.
Në prag të finales Lionel Messi i është drejtuar me një letër popullit argjentinas, teksa shkruan ‘se çfarëdo të ndodhë sonte gjëja më e bukur nuk janë trofetë, por rrugëtimi i bërë përgjatë këtyre viteve. Ky grup ka shkruar historinë që akush nuk mund ta harrojë. Forca Argjentina,’-mbyll letrën e tij Lionel Messi. 8 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ do të bëhet sonte futbollisti i dytë në histori pas Cafu-s së Brazilit i cili merr pjesë në 3 finale të Botërorit si dhe i pari që i luan të trija titullarë.
Për t’u theksuar se në stërvitjen e fundit të Argjentinës para finales atmosfera ka qenë tejet pozitive, teksa buzëqeshja shihej te çdo lojtar, ndërsa Spanja nuk u stërvit dot në fushën e gjelbër për shkak të motit të keq, me shi dhe rrufe. Për rrjedhojë pati përgatitje vetëm në palestër. Trajneri De La Fuente u pyet nëse pret që Argjentina të luajë pisët, por kërkoi respekt për kundërshtarin, duke pohuar se ‘kam admirim dhe rrespekt për ta’.
Përveç trofeut ikonik dhe prestigjit fituesi sonte në New Jersey merr edhe 50 milionë dollarë, ndërsa humbësi 33. Sakaq FIFA do të shpërndajë edhe 30 unaza për triumfuesit, të cilat kapin vlerën e 130 mijë dollarëve secila. Për herë të parë pas 96 viteve në ceremoninë e dorëzimit të trofeut nuk do jetë vetëm presidenti i FIFA-s Gianni Infantino, por edhe Donald Trump, duke thyer kështu traditën. Si Trump ashtu edhe Infantino kanë deklaruar se kjo mund të jetë Kupa e Botës më e suksesshme e organizuar ndonjëherë.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Pak orë përpara finales së Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës, vëmendjen e tifozëve e ka tërhequr edhe një bast i bujshëm i reperit kanadez, Drake.
Sipas platformës së basteve Stake.com, artisti ka vendosur 1.5 milionë dollarë për fitoren e Argjentinës brenda 90 minutave. Nëse kampionët në fuqi arrijnë të triumfojnë në kohën e rregullt, Drake do të arkëtojë plot 5.1 milionë dollarë.
Megjithatë, ky bast ka ringjallur edhe njëherë diskutimet për të ashtuquajturin “Mallkimi i Drake”, një fenomen që tifozët e sportit e lidhin me humbjet e skuadrave ose sportistëve që mbështeten publikisht nga reperi.
Historia nuk ka qenë gjithmonë në favor të tij. Në gjysmëfinalen e Copa América 2024 mes Kanadasë dhe Argjentinës, Drake vendosi 300 mijë dollarë për fitoren e Kanadasë, por Argjentina triumfoi me rezultatin 2-0.
Edhe në finalen e Kupës së Botës 2022 ai vendosi basti 1 milion dollarë për Argjentinën ndaj Francës në kohën e rregullt. Edhe pse skuadra e Lionel Messit fitoi trofeun pas penalltive, basti rezultoi humbës, pasi ndeshja u mbyll 3-3 pas 120 minutave dhe jo me fitore në 90 minutat e rregullta.
Një tjetër zhgënjim për reperin erdhi edhe në UFC, kur vendosi 1 milion dollarë për Conor McGregor. Luftëtari irlandez u dëmtua në gju vetëm 69 sekonda pas nisjes së duelit, duke humbur sfidën.
Sipas statistikave të publikuara nga TheDrakeCurse.com, Drake ka bërë deri më tani 87 baste publike sportive, duke fituar vetëm 32 prej tyre dhe humbur 55, ose një përqindje suksesi prej 37.2%.
Ndërkohë, kompanitë e basteve nuk e shohin Argjentinën si favorite. Shumica e platformave ndërkombëtare vlerësojnë Spanjën me më shumë shanse për të fituar finalen, falë paraqitjeve mbresëlënëse gjatë turneut. Iberikët kanë pësuar vetëm një gol në shtatë ndeshje dhe nuk kanë qenë asnjëherë në disavantazh në këtë Botëror.
Pak orë përpara finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, FIFA ka publikuar rezultatet e sondazhit të organizuar me tifozët nga e gjithë bota për të parashikuar fituesin e trofeut.
Sipas votimit, Spanja konsiderohet favorite për të triumfuar në finalen e madhe, duke siguruar 53% të votave. Në anën tjetër, Argjentina, kampionia në fuqi e botës, ka marrë 47% të mbështetjes, çka konfirmon se pritshmëritë për një finale të ekuilibruar janë shumë të larta.
Diferenca mes dy përfaqësueseve është minimale, ndërsa miliona tifozë në mbarë botën presin me interes sfidën që do të kurorëzojë kampionen e re të botës.
Spanja synon të rikthehet në majën e futbollit botëror dhe të fitojë titullin e saj të dytë në histori, ndërsa Argjentina kërkon të mbrojë kurorën e fituar në Botërorin e kaluar dhe të marrë yllin e katërt.
Rezultatet e sondazhit
Ai përfundoi në një bordello, pa lojëra fjalësh. Slavko Vincic, arbitri i finales së Kupës së Botës 2026, ndeshjes më të rëndësishme të futbollit në botë mes Argjentinës, kampione e botës, dhe Spanjës, kampione e Evropës, gjashtë vite më parë u arrestua gjatë një “feste me seks dhe drogë”, e cila u ndërpre nga policia në kuadër të një hetimi për një rrjet prostitucioni. Më pas ai u lirua pa u ngritur asnjë akuzë ndaj tij.
Festa
Në vitin 2020, menjëherë pas lehtësimit të masave kundër Covid-19, Vincic u përfshi në një operacion policor gjatë një feste në një vilë në qytetin boshnjak të Bijelinës. Atë mbrëmje, policia bastisi pronën, ndaloi nëntë gra dhe 25 burra, sekuestroi katër pako me kokainë (rreth 50 gramë), 10 pistoleta, tre jelekë antiplumb dhe më shumë se 11 mijë dollarë në para.
Akuza
Vincic u ndalua përkohësisht nga autoritetet, pasi dyshohej se ishte një nga klientët e Tijana Maksimović, e cila drejtonte një rrjet prostitucioni. Më vonë, Maksimović u arrestua teksa përpiqej të kalonte në mënyrë të paligjshme kufirin përmes lumit Drina me një varkë, së bashku me tre vajza të tjera. Pas marrjes në pyetje, arbitri u lirua dhe ndaj tij nuk u ngrit asnjë akuzë.
Tijana Maksimovic
Shpjegimi
Vincic deklaroi: "Përfundova në atë vend krejt rastësisht. Kam kompaninë time dhe ndodhesha në Bosnje dhe Hercegovinë për një takim pune. Pranova një ftesë për drekë, e cila rezultoi gabimi më i madh që kam bërë. Më vjen keq për këtë. Isha ulur në një tavolinë me kolegët e mi, kur papritur mbërriti policia dhe ndodhi gjithçka që ndodhi."
Ai shtoi: "Unë dhe partnerët e mi të biznesit nuk kemi asnjë lidhje me grupin e personave që u arrestuan dhe u ndaluan. Është e vërtetë që na shoqëruan në komisariat dhe na morën në pyetje."
Botërori i tij
Vincic ka drejtuar tre ndeshje në Kupën e Botës të kësaj vere, barazimin mes Brazilit dhe Marokut, fitoren e Algjerisë ndaj Jordanisë dhe fitoren e Meksikës kundër Ekuadorit. Ai ka qenë gjithashtu arbitri i një prej ndeshjeve më të rëndësishme të futbollit evropian, finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2024, mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit./ La Repubblica
Spanja dhe Argjentina do të përballen këtë të diel në orën 21:00 në finalen e Kupës së Botës 2026.
Spanja nuk ka asnjë mungesë pasi të gjithë yjet pritet të jenë gati për ta dëshmuar kualitetin nën urdhrat e Luis de la Fuentes. Vetëm Mikel Merino pritet të jetë në stol dhe më pas të hyjë në pjesën e dytë, me synimin për të bërë ndryshimin në rast se nevojitet, sikurse ndaj Portugalisë dhe Francës.
E njëjtë situatë pritet të jetë edhe te Argjentina. Trajneri Lionel Scaloni nuk ka asnjë lëndim ndaj pritet të hedhë në fushë më të mirët, me një ndryshim, rikthimin e de Paul nga minuta e parë.
Formacionet e mundshme:
Spanja (4-2-3-1): Simon; Cucurella, Laporte, Cubarsi, Porro; Ruiz, Rodri; Baena, Olmo, Yamal; Oyarzabal Trajner: Luis de la Fuente
Argjentina (4-1-3-2): Dibu Martinez; Molina, Romero, L.Martinez, Tagliafico; Paredes; de Paul, Mac Allister, Enzo Fernandez; Alvarez, Messi Trajner: Lionel Scaloni
Spanjë - Argjentinë, formacionet e mundshme
Gjyqtari slloven Slavko Vincic është përzgjedhur nga FIFA për të drejtuar finalen e madhe të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës.
Vendimi iu komunikua 46-vjeçarit nga kreu i Komitetit të Arbitrimit të FIFA-s, Pierluigi Collina. Vincic nuk arriti t’i fshihte emocionet, pasi emërimi për të gjykuar finalen e Kupës së Botës konsiderohet kulmi i karrierës së çdo arbitri.
Finalja do të zhvillohet sot në stadiumin "MetLife" të New Jerseyt, me fillim nga ora 21:00. Vincic do të ndihmohet nga asistentët Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic.
Përveç prestigjit të madh sportiv, drejtimi i finales sjell edhe një shpërblim të konsiderueshëm financiar. Sipas medias sllovene 'Delo', arbitri kryesor pritet të përfitojë rreth 60 mijë dollarë (afërsisht 52.500 euro) vetëm për finalen.
Po sipas të njëjtit burim, të ardhurat totale të Vincic gjatë gjithë turneut mund të arrijnë në rreth 140 mijë dollarë (120 mijë euro), megjithëse shuma përfundimtare varet nga bonuset dhe llogaritjet e FIFA-s.
Raportohet se kjo shumë përfshin edhe një tarifë fikse prej 70 mijë dollarësh për pjesëmarrjen në Kupën e Botës, ndërsa pagesat për çdo ndeshje kanë qenë rreth 3 mijë dollarë në fazën e grupeve dhe mbi 5 mijë dollarë në fazën me eliminim direkt.
Megjithatë, FIFA nuk ka publikuar zyrtarisht shifrat që lidhen me pagesat e gjyqtarëve, ndaj informacioni bazohet në raportimet e mediave sllovene.
Komente





