Gjyqtari slloven Slavko Vincic do të drejtojë finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, që do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në stadiumin 'MetLife' në Neë Jersey. Ai e cilësoi këtë emërim si një “nder të jashtëzakonshëm”.
46-vjeçari nga Maribori i Sllovenisë u njoftua për emërimin nga Pierluigi Collina, Drejtor i Përgjithshëm i Arbitrimit në FIFA dhe Kryetar i Komitetit të Gjyqtarëve të FIFA-s. Vincic tha se lajmi e befasoi plotësisht.
“Fillimisht u trondita. Pastaj erdhi lumturia. Po dridhesha. Është një nder i jashtëzakonshëm të drejtosh finalen e Kupës së Botës. Është diçka që çdo gjyqtar e ëndërron që në fillim të karrierës së tij. Jam shumë krenar për veten dhe për ekipin tim”, tregoi ai.
Me këtë emërim, Vincic bëhet njeriu i 23-të në histori që gjykon një finale të Kupës së Botës dhe i pari nga Sllovenia që arrin këtë sukses.
“Është e vështirë ta përshkruaj me fjalë këtë ndjenjë. Jam jashtëzakonisht krenar që përfaqësoj vendin tim, Slloveninë, në ngjarjen më të madhe sportive në botë. E gjithë skuadra jonë është krenare dhe do të japim maksimumin.”
Vincic është një nga gjyqtarët më me përvojë në futbollin evropian dhe ndërkombëtar. Ai arbitroi ndeshje në EURO 2020, më pas drejtoi finalen e Europa League 2022 mes Eintracht Frankfurt dhe Rangers FC. Dy vjet më vonë ishte gjyqtar i finales së Champions League 2024 ndërmjet Borussia Dortmund dhe Real Madrid, si edhe arbitroi në EURO 2024, përfshirë gjysmëfinalen mes Francës dhe Spanjës.
Vitin e kaluar ai drejtoi ndeshje në Kupën e Botës për Klube FIFA 2025 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është pjesëmarrja e tij e dytë në një Kupë Bote. Në Katar 2022 ai arbitroi dy ndeshje, ndërsa në turneun aktual gjykoi sfidat Brazil - Marok dhe Jordani - Algjeri në fazën e grupeve, si dhe Meksikë - Ekuador në fazën e 1/8-ave.
Vincic ia atribuoi këtë arritje edhe ekipit të tij të arbitrimit, veçanërisht ndihmësve Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic.
“Arbitrimi është punë ekipore. Pa Tomazin dhe Andrazin kjo nuk do të ishte e mundur. Kemi qenë bashkë gjatë gjithë karrierës sonë, jemi miq të ngushtë dhe një ekip shumë i mirë. I falenderoj për gjithçka.”
Adham Makhadmeh nga Jordania do të jetë gjyqtari i katërt i finales, ndërsa bashkëkombësi i tij Mohammad Al-Kalaf do të jetë ndihmës rezervë.
Në finalen Spanjë - Argjentinë, përgjegjës për VAR do të jetë gjermani Bastian Dankert, me ndihmën e kolumbianit Nicolas Gallo, ndërsa zyrtari nga Katari Khamis Al Marri do të jetë në rolin e mbështetjes për sistemin VAR.
Përgatitjet për finalen
Vincic tha se nuk do të ndryshojë mënyrën e përgatitjes.
“Do të vazhdojmë të analizojmë ekipet, edhe pse i kemi ndjekur gjatë më shumë se 40 ditëve të fundit. Do të përqendrohemi maksimalisht, do të përpiqemi të jemi të freskët mendërisht dhe fizikisht dhe do të japim më të mirën, në mënyrë që pas ndeshjes të mos flitet për ne”, tregoi ai.
Gjyqtarët e finales për vendin e tretë
Për ndeshjen e vendit të tretë mes Francës dhe Anglisë, që do të luhet në Miami Stadium të shtunën, është caktuar si gjyqtar venezueliani Jesus Valenzuela, i ndihmuar nga bashkëkombësit Jorge Urrego dhe Tulio Moreno.
Marokeni Jalal Jayed do të jetë gjyqtari i katërt, ndërsa Zakaria Brinsi, gjithashtu nga Maroku, do të jetë ndihmës rezervë.
Janë konfirmuar edhe ekipet e sistemit VAR. Për ndeshjen Francë - Angli, arbitër VAR do të jetë uruguaiani Leodan González, i ndihmuar nga amerikani Armando Villarreal dhe spanjolli Carlos Del Cerro Grande.
Të dielën në orën 21:00 me kohën në Shqipëri, Spanja dhe Argjentina do të përballen në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026. Arbitri slloven Slavko Vincic është përzgjedhur nga FIFA për të qenë gjyqtari i këtij takimi.
Gjatë mbledhjes me arbitrat e Botërorit 2026, 46-vjeçari Slavko Vincic nuk i ka mbajtur lotët kur drejtuesit e Gjykimit në FIFA i kanë komunikuar lajmin. Përqafime dhe duartrokitje nga të pranishmit, teksa Vincic do të ndihmohet nga bashkëkombasit e tij, Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic.
Komente






