OLSO - Shqipëria i jep leksion Norvegjisë duke fituar në Oslo 1-0. Tre pikë mjaft të rëndësishme në transfertë për kuqezinjtë që ngjiten në kuotën e 9 pikëve në grupin E kualifikues duke vijuar ëndrrën për kualifikim. Heroi i fitores ishte Hamdi Salihi që shënoi një supergol në minutën e 67-të.

Meritë e madhe edhe e trajnerit De Biasi që zgjodhi formacionin fitues duke i dhënë mundësinë e debutimit Migjen Bashës.

Në stadiumin Uvellav të Oslos në temperatura nën 0 ndeshja nis mirë për Kombëtaren që provon me Salihin por rroveshata e shkodranit i shërben vetëm spektaklit. Minutat ecin dhe kuqezinjtë ngacmojnë sërish vikingët ketë herë më Migjen Bashën që për pak nuk shënon.

Pa gola përfundon fraksioni i parë ndërsa në të dytin norvegjezët tentojnë të mësyjnë drejt portës së Berishës por Shqipëria është e mirëvendosur. Vjen edhe momenti kulminant në minutën e 67-të goli më i bukur në karrierë i Salihit.

Një skemë nga goditja e dënimit, Bulku pason shkurtazi për shkodranin i cili fluturimthi e dërgon topin në trekëndësh. Më pas kemi kuqezinjtë në mbrojtje dhe vikingët në sulm total.

Pas dy të verdhëve Andi Lila ndëshkohet edhe me karton të kuq por fatmirësisht vetëm 3 minuta nga fundi. Në sprintin final të vendasve Etrit Berisha është i pakalueshëm dhe në acarin norvegjez festa është e gjitha kuqezi.

Be Biasi: Kjo është Shqipëria që dua
Një nga njerëzit më të kënaqur për fitoren padyshim që ishte trajneri De Biasi, i cili si asnjëherë tjetër pas vërshëllimës së arbitrit ka shpërthyer në festë dhe përqafime më të gjithë stafin. Pas ndeshjes De Biasi u shpreh” Ishte një ndeshje e madhe, e paharrueshme, do të mbetet gjatë në memorien time. E merituam fitoren, zhvilluam një lojë të mirë, kjo është Shqipëria që dua. Goli ishte i mrekullueshëm, por nuk duhet harruar edhe loja e gjithë futbollistëve duke filluar nga porta. Kjo ishte një fitore ekipore e të gjithëve, përfshirë edhe tifozët. Tani jemi në vendin e dytë dhe shpresojmë të bëjmë realitet ëndrrën për kualifikim” përfundon italiani.

Salihi: Goli më i bukur në karrierë

Protagonisti krysor i ndeshjes ishte shkodrani Hamdi Salihi me golin në minutën e 67’ pas ndeshjes sulmuesi u shpreh i entuziazmuar duke e cilësuar ndeshjen në Oslo si më të mirën në karrierën e tij. ‘Golin mund ta cilësoj si më të mirin dhe të rëndësishmin në karrierë, pasi shënova përballë një ekipi të madh dhe jemi në garë për t’u kualifikuar. Fitoren e merituam, pasi zhvilluam një lojë të mirë në të dyja pjesët duke neutralizuar disa herë kundërshtarin. Tre pikët dot na japin besim që cdo gjë është e mundur nëse besojmë në vetëvete” deklaron Salihi.


NORVEGJI-SHQIPERI 0-1
Golat: Salihi 67′

NORVEGJIA: R.Jarstein, Høgli, Forren, Hangeland, J.Riise, Søderlund (V.Berisha 74′), M.Henriksen, Nordtveit, R.Jenssen, Elyounoussi (King 62′), Moa. Trajner: E.Olsen

SHQIPERIA: E.Berisha, Dallku (Hysaj 80′), Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila, E.Bulku, Basha, Roshi, Salihi, Cani (Bogdani 75′). Trajner: De Biazi

Gjyqtarë: Kevin Blom, Rob Van De Ven, Dave Goossens (Hollandë)
Kartonë të verdhë: Forren 53′ / Roshi 43′, Cana 77′, Lila 85′, Agolli 90+3′
Karton i kuq: Lila 88′


Eleminatoret
Shqipëri-Qipro 3-1
Zvicër-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Islandë 1-2
Shqipëri-Slloveni 1-0
Norvegji-Shqipëri 0-1
Shqipëri-Norvegji 7 qershor
Slloveni-Shqipëri 6 shtator
Islandë-Shqipëri 10 shtator
Shqipëri-Zvicër 11 tetor
Qipro-Shqipëri 15 tetor

Renditja, Grupi E
Zvicra 10 pikë
Islanda 9 pikë
Shqipëria 9 pikë
Norvegjia 7 pikë
Sllovenia 3 pikë
Qipro 3 pikë

Redaksia Online
(Gre.M/D.B/A.K/Shqiptarja.com)