Më 17 mars do të nisë Botërori i 70 i “Formula 1” me Hamilton i cili është kampioni në fuqi i këtij sporti. Para edicionit të ri britaniku është shprehur: “Ferrari duket më në formë. Po ashtu edhe Vettel. Do të jetë shumë e vështirë për t’i mundur”. Në testet e para që po zhvillohen në Barcelonë këtë javë “Ferrari” është një sekondë më i shpejti se makina “Mercedez”. Për këtë fakt Hamilton është shprehur:
“Unë kam besim te puna e Mercedes, që ashtu siç ia ka dalë mbanë çdo vit do të arrijë të gjejë një zgjidhje edhe këtë sezon. Ne jemi duke studiuar shkaqet e këtyre rezultateve jo të mira, për ta njohur më në brendësi makinën. Gjithsesi, pak a shumë, sa herë që ka nisur një sezon kemi qenë në këto nivele dhe më pas jemi përmirësuar. Edhe vjet, Ferrari ishte i shpejtë në fillim, ashtu sikurse e prisnim edhe këtë vit.”
Më tej piloti 5 herë kampion bote deklaroi: “Ne jemi duke punuar fort dhe kjo situatë është normale. Nuk jam shumë i shqetësuar, pasi Mercedes ka ditur të përmirësohet nga gara në garë çdo vit. Dhe në fund kemi qenë ne ata që kemi qeshur në fund dhe rivalët tanë janë mërzitur. Unë e pranoj që për ne do të jetë një sfidë më e fortë se ajo e sezonit të kaluar, por sa më shumë xhirojmë aq më shumë mësojmë".