KANADA - Çmimi i Madh i Kanadasë në Formula 1 u fitua nga piloti italian i Mercedesit, Andrea Kimi Antonelli. 19-vjeçari siguroi fitoren e katërt radhazi këtë sezon, teksa e gjithë bota e shpejtësisë është duke folur për cilësitë e tij.
Pas një fundjave shumë të mirë për George Russell, i cili fitoi garën Sprint dhe më pas siguroi 'pole position', anglezi dominoi garën deri në xhiron e 30-të, kur më pas një problem në makinë bëri që të dilte jashtë piste i tërbuar.
Deri në këtë moment të garës dyshja e Mercedes, Russell dhe Antonelli, dhuruan emocione të forta me parakalime të ndërsjellta. Pas xhiros së 30-të i riu italian siguroi kreun duke mos e lëshuar deri në valëvitjen e flamurit me kuadrata.
Në vendin e dytë u rendit Lewis Hamilton, shtatë herë kampioni i botës që ia doli të siguronte rezultatin më të mirë me Ferrarin në sezonin e dytë me 'Kokëkuqen'. Hamilton qëndroi gjatë pas Max Verstappen (katër herë kampio bote me Red Bull), por shtatë xhiro nga fundi ndodhi parakalimi që e la në vendin e dytë, ndërsa holandezi përfundoi i treti.
Charles Leclerc me Ferrarin e mbylli në vendin e katërt, duke lënë pas Hadjar, Colapinto, Lawson, Gasly, Sainz dhe Bearman. Lando Norris (McLaren), kampioni në fuqi i botës, nuk mundi ta mbyllte garën për një problem në kutinë e shpejtësisë në xhiron e 40-të. Edhe Perez, Russell, Alonso dhe Albon nuk e mbyllën garimin.
Gara e radhës në Formula 1 është fundjavën e 5-7 qershorit në cirkuitin qytetas të Monacos, aty ku ai që fiton 'pole' do ta ketë shumë më të lehtë për të mbajtur vendin e parë.
Pas garës së Kanadasë, italiani Antonelli kryeson me 131 pikë, 43 më shumë se shoku i skuadrës, Russell (88). Pas tyre vjen Leclerc me 75 pikë, ndjekur nga shoku i skuadrës te Ferrari, Hamilton me vetëm tre pikë më pak.
Për Ndërtuesit, Mercedes dominon me 219 pikë, duke lënë pas Ferrarin me 147 pikë dhe McLaren me 106 pikë.
Oh Canada, you were superb! ?
— Formula 1 (@F1) May 24, 2026
Here are our points finishers in Canada ??#F1 #CanadianGP pic.twitter.com/fh0gq5vi8w
Komente





