Botohet libri "E drejta e internetit"

Botohet libri
TIRANE - Kohët e fundit shtëpia e botimit “Dudaj” ka nxjerrë në treg librin “E drejta e internetit”, i autorit Oltion Spiro. Lexuesit e “Shqiptarja.com” mund ta njohin autorin, pasi ai është një nga bashkëpunëtorët e gazetës në rubrikën “Blog”. Sot, ai vjen me një botim me karakter profesional në një fushë të re por tejet të domosdoshme për botën e sotme, atë të zbatimit të rregullave me karakter juridik në fushën e internetit.

Nëpërmjet këtij botimi, autori është përpjekur të bëjë një sintezë të rregullave aktuale që zbatohen në tregtinë elektronike, formë shkëmbimi e cila, edhe pse në hapat e parë të saj, po njeh një zhvillim të fuqishëm edhe në Shqipëri.

Gjithashtu, ai ka synuar të japë një tablo të qartë të të drejtës së autorit në mjedisin dixhital, problematikë e thellë për të cilën ligjet që janë miratuar si dhe ato që do të miratohen, duken se nuk kanë ende një impakt pozitiv në ruajtjen dhe promovimin e kësaj të drejte në Shqipëri.

Në këtë botim përmendet dhe problematika e të dhënave personale. Siç dihet, në botën virtuale na kërkohet shumë shpesh të komunikojmë të dhënat me karakter personal përpara se të hyjmë në një faqe interneti, ose përpara se të shkarkojmë një program.

Është mëse e nevojshme që konsumatorët të dijnë se ç’bëhet me të dhënat e tyre personale, si i trajtojnë bizneset dhe autoritetet publike gjatë fazës së grumbullimit dhe të përpunimit të tyre.

Autori nuk lë pa përmendur edhe përgjegjësitë e aktorëve të internetit, personave fizikë ose juridikë që mundësojnë krijimin, administrimin e një faqeje interneti, të një rrjeti ose të atyre sipërmarrjeve që furnizojnë bizneset dhe individët me internet.

Botimi është shterues dhe për sa i përket kontratave të internetit, pra ato kontrata të lidhura ndërmjet bizneseve të shoqërive të informacionit me njëra-tjetrën, apo ndërmjet sipërmarrjeve të shoqërisë së informacionit dhe konsumatorëve me objekt ofrimin e shërbimit të shoqërive të informacionit.

Në këtë botim, një vend i veçantë i është lënë dhe reklamave në internet, si një nga motorët më të fuqishëm të promovimit të bizneseve si dhe të rritjes së fitimeve të tyre, në saj të vëmendjes më të madhe që të gjithë ne i kushtojmë botës virtuale.

Botimi i autori Oltion Spiro, është reçensuar nga Prof. Ksenofon Krisafi dhe është një rezultat i praktikës që autori ka akumuluar ndër vite si në fushën e praktikës juridike ashtu dhe në atë mësimdhënies.

Libri e Drejta e Internetit Oltion Spiro
(Në foto kopertina e librit "E drejta e Internetit" i Oltion Spiros)

"E drejta e internetit"
(Aspekte të shkëmbimeve elektronike)
Autor: Oltion Spiro
Botimet: Dudaj

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan