TIRANE- Bashkia e Tiranës thotë se ka “prapavijë politike” pezullimin për e kredive të buta.

Nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo tha sot se ky është një lajm i keq për qytetarët e Tiranës pasi me këtë vendim kryeministri u ka privuar qindra familjeve në nevoje, dhe familjeve të reja, mundësinë për të pasur një shtëpi.

"Nuk mund të ketë asnjë rast të ngjashëm në vendet demokratike, që me pretekstin e auditimit të pezullohet puna. Është njësoj si ne të themi që Bashkia do të mbyllë dyert për 3 apo 6 muaj, se do të ketë kontroll nga KLSH. Duket qartë se bllokimi për një vit i këtij procesi ka thjesht dhe vetëm prapavijë politike."- tha Bozdo.

Sipas Bozdos efektet financiare të buxhetit të shtetit janë vetëm për 610 kontrata. "Çdo aludim tjetër është i pavërtetë dhe një justifikim amatoresk për të bllokuar këtë proces."- nënvizon Bozdo.
 
Sipas tij vetëm në Bashkinë e Tiranës janë 872 familje që kanë aplikuar për kredi të butë. Një pjesë e dosjeve të plotësuar prej tyre presin miratim në Këshillin Bashkiak dhe pjesa tjetër është në proces shqyrtimi, në bazë të kritereve të përcaktuara qartë në VKM.
 
"Në vend që qeveria të shtonte kuotat, për të përballuar kërkesat e mëdha që ka qyteti i Tiranës për strehim, kryeministri vendos pezullimin e këtij procesi, në një afat të pacaktuar."- mbyll deklaratën e tij nënkryetari i bashkisë së Tiranës.

Sipas Drejtoreshës së Entit Kombëtar të Banesave, Doris Andoni pezullimi i kredive të buta për strehim do të zgjasë nga 6 muaj deri në një vit.

Ajo ka pranuar se në skemën e këtyre kredive janë hasur abuzime dhe kreditë e buta janë përfituar padrejtësisht nga persona që nuk i plotësojnë kriteret.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)