TIRANË - Në parkun e madh të liqenit artificial në Tiranë brenda një jave janë prerë 175 pemë të tipit frashër, akacie dhe vidh. Ndërsa vetëm mëngjesi i sotëm ka gdhirë më 35 pemë të prera. Bëhet fjalë pikërisht për parcelën me numër 22,ndërkohë që ende nuk dihet autori i kësaj masakre natyrore.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka denoncuar dje mediatikisht forcat e rendit, të cilat sips Bozdos nuk kanë marrë në konsideratë denoncimin e bërë nga Bashkia. Nënkryetari Bozdo iu ka bërë thirrje forcave të rendit të marrin përsipër përgjegjësinë që ju takon dhe të ndalojnë këtë masakër në liqenin artificial të Tiranës.

Në parcelën numër 22 janë prerë filiza dhe pemë të cilat janë mbjellë për hirë të parkut dhe për të shtuar gjelbërimin në qytetin e Tiranës. Nënkryetari i Bashisë Bozdo u shpreh se me gjithë denoncimet e bëra ende nuk është bërë asnjë veprim dhe nuk është marrë asnjë masë.

Denoncimi i parë i Bashkisë është bërë para një jave, ndërsa denoncimi i dytë është bërë dje në mënyrë mediatike, në mënyrë që ky park që i shërben gjithë Tiranës të mos masakrohet në një formë të tillë.

Shkrimi u publikua sot(20.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)