TIRANE- Guvernatori Ardian Fullani ka shmangur përgjigjet për shpenzimet luksoze në zyrat e BSH-së, duke iu përgjigjur vetëm akuzave për ushqim, si një investim për burimet njerëzore. Ai i ka cilësuar shpifje akuzat e bëra një ditë më parë nga deputeti I PS-së, Erjon Braçe, duke thënë se: "Duhet të jemi shumë korrekt për të mos rënë në rrjetën e shpifjeve. BSH nuk bën shpenzime luksi, ka krijuar kushtet për një konsolidim të një institucioni të pavarur. Ne nuk shpenzojmë, investojmë tek njeriu, tek elementi më i rëndësishëm që është profesionisti".

Në lidhje me akuzën e deputetit socialist, Erion Braçe, se Fullani ka shpenzuar 300 mijë dollarë për "shpenzime sporti" dhe 110 mijë dollarë për "kompensim ushqimi", Guvernatori është përgjigjur se nuk mund të lërë punonjësit e vet që të marrin bukë me vete në punë. "Sa i takon ushqimit është menca, sa i takon sportit është pjesë e zhvillimit të një institucioni botëror. Vajzat e BSH-së, volejbolliste, fituan çmimin e dytë në Ballkaniadën e bankave qendrore. Banka po bën revolucioni për rikonstruktimin e godinave të saj. Në një hark trevjeçar BSH do të ketë një godinë prestigjioze. Me këtë element ajo bëhet pjesë e eurosistemit. Këto janë investime dhe duhet me doemos të krijojmë profesionistë të vërtetë. Nuk mund t'i lëmë punonjësit të shkojnë në restorante apo të marrin bukë me vete. Të gjitha janë transparente, mund të gjenden me një klikim në Bankën e Shqipërisë", u shpreh Fullani.

Por ka reaguar sërish deputeti Braçe duke iu drejtuar guvernatorit: "Ti nuk ke moral, por as pikën e turpit!".
"Kur thua që shqiptarët janë prirur ndaj kursimit dhe investimet janë të dobeta, ke moral ti që shpenzon për ushqim e sport? Natyrisht që nuk ke pikën e turpit! Je vërtetë zyrtari më i pacipë i këtij shteti, por i denjë për të dhe luksin e tij". Sipas Braçes shpenzimet për kompesim ushqimi janë mbulimi i një kontrate tërësisht personale të kërkuar prej Fullanit, në favor të një kompanie, jo prej punonjësve të BSH, ndërsa shpenzimet për sportin janë tërësisht jashtë çdo logjike edhe pse po të shohesh numrat janë ulur shumë pas 2009-tës kur kanë qenë në kulm. Dhe Braçe I drejtohet me ironi Fullanit: "Paguhen me to përpjekjet e tua për tu kthyer në elegancën biologjike qe s'e ke patur kurrë?"

Duke iu referuar dokumenteve të bankës Braçe thotë se janë 1 milion dollarë të shpenzuara për qera në vitin 2011, bëhen gati 3 milionë dollarë prej 2009-ës, në një kohë kur janë harxhuar para pa hesap për të blerë godina për bankën, e restauruar të tjera, ndërsa shpenzimet e transportit, ato që klasifikohen si "bileta avioni, treni, autobusi", të tjerat që klasifikohen si "shpenzime për udhëtime biznesi, jashtë shteti" arrijnë respektivisht në 400 mijë e 550 mijë dollarë vetëm për këtë vit!
(sg/shqiptarja.com)