TIRANE – Deputeti socialist Erion Braçe ka folur sot për një “skandal të pashembullt, gjithnjë me detin, gjithnjë në jug të Shqipërisë”. Sipas tij, “grekët ju imponojnë marinarëve shqiptarë, peshkatarëve etj. kufirin e vendosur në marrëveshjen me Berishën dhe jo kufirin shtetëror shqiptar. Grekët gjobisin marinarët, peshkatarët etj. shqiptarë pse lundrojnë brenda ujërave territoriale shqiptare”, tha Braçe.

Reagimi i deputetit socialist, i publikuar në faqen e tij në Facebook, erdhi pas një kronike të transmetuar nga televizioni Top Channel.

“Ky dhunim i hapur i territorit të Shqipërisë duhet të trondisë shtetin”, deklaroi Braçe, i cili i kërkoi Presidentit të Republikës që “të zgjohet e të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të sqaruar deri në imtësi këtë dhunim”.

Sipas deputetit socialist, “gjithçka bëhet me dijeni të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Bëhet në heshtje përmes miratimit të heshtur”.

(im/shqiptarja.com)