Kështu, deputeti socialist, Erion Braçe, shprehet se ajo që po ndodh me listat e kandidatëve të ardhshëm për deputet të PS, nuk është e ndershme dhe produktive. Sipas tij kjo gjë duhet të marrë fund sa më parë, duke nënkuptuar faktin se deputetët socialistë nuk mund të mbahen varur.
Braçe iu referua deklaratave të djeshme të Berishës dhe Topallit, të cilët prej kohësh tashmë çdo deputeti socialist i kujtojnë faktin se nuk do të jenë më në listat e deputetëve. “Dje jam ndjerë keq personalisht. Më keq se kurrë në këto 4 vitet e fundit në Kuvend. Gjithnjë personalisht.
Dy herë. Herën e parë kur Sali Berisha mu drejtua duke më thënë: Ti nuk do të jesh më deputet. Të ka hequr dhe bëri me dorë shenjën e thikës që pret kokën. Herën e dytë kur Jozefina Topalli mu drejtua duke më thënë: Ah mar Erjon kush pa ta za venin këtu, ti mbase e ke dashtë PS, por ai që po ta zë e ka luftu PS”, reagon Braçe në profilin e tij në rrjetin social facebook.
Sipas tij, pavarësisht se për kandidatët e PS vendosin vetë socialistët e mira është që kjo gjendje të marrë fund dhe të mos i jepet rast mazhorancës që të përdorë listat e PS si kazus për luftën politike. “Natyrisht, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli s’vendosin në PS. S’kanë asnjë lloj mundësie të vendosin në PS.
Kjo është fare, fare e qartë. Siç është e qartë që në mungesë të argumenteve mbi çështjet që unë dhe kolegët e mi mbrojtëm dje, posaçërisht privatizimet e atdheut, zgjodhën të mos përgjigjen për to-s’kishin ç’të thoshin e të merren me listat e PS”, nënvizon Braçe.
Për të cilin duhet të marrë fund kjo histori nga vetë drejtuesit e PS. “Kjo histori duhet të marrë fund. Për mua e kolegët e mi. Nuk është e drejtë, as e ndershme, as parimore, as produktive kjo që po ndodh. Sa për Sali Berishën, gojën ia tapos vetë”, shprehet deputeti socialist.
I cili me sa duket nuk e ka kapërcyer dot shigjetimin e Berishës dhe Topallit në seancën e dy ditëve më parë në Kuvend, kur ka thënë se një pjesë e deputetëve socialistë që janë aktualisht në sallën e Kuvendit, mes tyre dhe Braçe nuk do kandidojnë më në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Nënkryetari i grupit të PS, ndër më aktivët në luftën politike opozitare është shprehur se nuk e ka problem të përballet me eksponentët kundërshtarë të mazhorancës në funksion të rritjes së kuotave politike të opozitës, por kërkon nga drejtuesit e forumet drejtuese të PS që të marrin masat në mënyrë që të shpallin sa më shpejt të jetë e mundur listën me kandidatë për deputetë të kësaj partie, në mënyrë që të mos mbahen më varur as deputetët aktualë, dhe as ata që pretendojnë të kandidojnë për PS në zgjedhjet e qershorit.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.03 2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)