Përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë iu përgjigj në komision edhe pyetjeve të ngritura nga deputetët e mazhorancës në lidhje me ekonominë e projektbuxhetin, pasi opozita nuk është e pranishme. Deputeti i PS-së Erion Braçe kërkoi një opinion të Bankës qendrore në lidhje me strukturën e ekonomisë së vendit, e fokusuar jo më në bujqësi dhe industri por në ndërtim.
“Në relacionin e projektbuxhetit nuk shihet ndonjë politikë ndryshe, që minimalisht të ndalë rënien e fortë edhe të thellë në dy sektorë të tjerë shumë të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare, që kanë edhe punësim të gjerë, praktikisht tek industria dhe bujqësia. Mendoni që do duhet që në projektbuxhet të adresohen politika që tani, veçanërisht në këto dy sektorë që prej një seri tremujorësh janë me rënie të fortë dhe të thellë”, pyeti deputeti socialist Erion Braçe.
Drejtori i Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë Erald Themeli përgjigjet duke thënë se turizmi do të vazhdojë të mbështesë rritjen ekonomiek edhe në 2026-ën por në ngadalësim me vitin aktual.
“Të ardhurat nga turizmi pritet të vijojnë të rriten edhe në vitin 2026 por është e qartë se rritja eksponenciale që ky sektor ka pasur në dy, tre vitet e shkuara, ka pak gjasa që të vijojë edhe në të ardhmen. Pra duhet pranuar që edhe sektori i turizmit, të paktën në terma të të ardhurave totale që siguron për ekonominë shqiptare, do të jetë një rritje më e ngadaltë gjatë viteve të ardhshme. Gjithashtu dua të shtoj dhe diçka, është e vërtetë që ne kemi pasur një rritje të shpejtë të të ardhurave të turizmit, por gjithashtu kemi pasur një rritje e faturës së importeve të lidhur me turizmin. Pra, një pjesë e madhe e shpenzimeve të turistëve këtu, shkojnë për shpenzime për import. Kjo duhet parë si një mundësi për ekonominë shqiptare, pra, fakti që vlera e shtuar e në ekonominë shqiptare duhet të rritet më tej nëpërmjet integrimit të zinxhirëve prodhues në furnizimin e konsumit të turizmit, dhe këtu ka patjetër më shumë për t'u bërë, qoftë në termat e industrisë agro-përpunuese, qoftë edhe në termat e industrisë së shërbimit të kateringut të turizmit”, tha Themeli.
Ndërsa shqetësimit të Braçes mbi përqendrimin ekonomik në ndërtim, Themeli ndan të njëjtin shqetësim.
“Ju duket i pranueshëm ky ndryshim strukturor i ekonomisë kombëtare, pra me fokus të fortë tek shërbimet dhe te ndërtimi dhe pastaj në zbehje, në sektorin e industrisë së bujqësisë, që kanë ulur edhe peshën e tyre në aktivitetin ekonomik”, tha Braçe.
“Ndërtimi jo absolutisht, nuk është një model që gjeneron rritje në qoftë se nuk eksportojmë eksporte, ndërtimi, shërbime, ndërtimi, partnerët tanë tregtarë, një ekonomi nuk mund të vihet me ndërtim. Me shërbime po. Është një strategji e vlefshme megjithëse e rrezikshme. Domethënë, për vende të cilat kanë një bazë të ulët prodhuese dhe një fuqi të kufizuar punëtore, ka një diskutim edhe teorik edhe praktik midis diversifikimit të bazës ekonomike dhe specializimin në sektor të caktuar. Vende të vogla, mund të shkojnë drejt specializimit ekstrem. Vende më të mëdha e kanë vështirë të luajnë këtë lojë të specializimit ekstrem, si strategji të rritjes ekonomike”, u përgjigj Themeli.
Banka e Shqipërisë këshillon qeverinë që të marrë masa për industrinë, por të fokusuar më së shumti tek industritë e reja dhe jo në tekstile.
“Rënia negative që ka pasur sektori i industrisë është diçka që duhet të vlerësohet, dhe në periudhën afatmesme-afatgjatë të ketë një kontribut më të madh, që duhet theksuar jo me segmente tradicionale në Shqipëri, pra në industrinë e fason tekstile e kështu, po në segmente të tjera që kanë produktivitet më të madh. Flas për industrinë e automotivës, industrinë elektronike ose gjëra të tjera që janë më të pranishme tani edhe në vende të rajonit”, thotë Themeli.
Lajmi kryesor:
Pr.buxheti 2026/ Banka e Shqipërisë rekomandon rishikimin e skemës së pensioneve: Plakja e popullsisë, sfidë e madhe fiskale! Monitoroni PPP-të











