Banka e Shqipërisë ka dhënë opinionin e saj në Komisionin e Ekonomisë për projektbuxhetin e vitit 2026, duke e konsideruar optimist, dhe që mbështet rritjen ekonomike dhe konsolidimin fiskale. Por përtej këtyre aspekteve, Banka e Shqipërisë ka bërë 5 rekomandime për qeverinë, nga rishikimi i skemës së pensioneve, tek monitorimi i koncesioneve apo shpërndarja e shpenzimeve gjatë gjithë vitit.
Banka qendrore ka ripërsëritur kërkesën për të rishikuar skemën e pensioneve, pasi plakja e popullsisë dhe demografia janë rrezik për buxhetin, në kushtet kur deficiti i skemës po thellohet.
“Skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, vijon të jetë një barrë e konsiderueshme në buxhetin e shtetit, duke tejkaluar edhe nivelin e deficitit të përgjithshëm buxhetor. Sfidat fiskale të këtyre skemave mbeten të larta duke marrë në konsideratë fenomenin e plakjes së popullsisë, por edhe atë të tkurrjes demografike. Këto tregues pritet të ushtrojnë presion të shtuar mbi financat publike në të ardhmen dhe duke e bërë të domosdoshme ndërmarrjen e reformave shtesë që të garantonin reduktimin e vulnerabilitetit fiskal të lidhura me to. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë rekomandon, rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, me qëllim kontrollin dhe mbështetjen e saj më të mirë, zhvillimin dhe promovimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve nëpërmjet mekanizmave fiskalë dhe rregullatorë nxitës dhe integrimin e analizës së rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të programit buxhetor në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian”, tha zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi në Komisionin e Ekonomisë.
Po ashtu Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të monitorojë koncesionet pasi mund të ngarkojnë buxhetin e shtetit me kosto shtesë.
“Për projektet e partneritetit publik privat, në buxhetin e vitit 2026 është përcaktuar një tavan i sipërm i vëllimit. Vlera totale e projekteve e PPP-ve në masën 27.1% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe është kufizuar shuma totale e shpenzimeve që do të përballohen nga buxheti në masën 5% të të ardhurave tatimore të vitit pasardhës. Në këtë kuadër Banka e Shqipërisë inkurajon përpjekjet për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë, vlerësojnë dhe kontraktojnë, monitorojnë gjithashtu këto projekte sidomos, përsa i përket detyrimeve ligjore dhe financiare, të cilat shpesh ngarkojnë buxhetin e shtetit”, tha Minxhozi.
Kurse 3 rekomandimet e tjera kishin të bënin me realizimin e të ardhurave, uljen e informalitetit dhe shpenzimin e fondeve përgjatë gjithë vitit dhe jo duke u përqendruar në fundvit.
1. Banka e Shqipërisë sugjeron që konsolidimi fiskal duhet të bazohet gjithnjë e më tepër në kahun e të ardhurave. Ky sugjerim faktorizon faktin se presionet për zgjerim të shpenzimeve publike, në kahun e skemës së pensioneve, në kahun e skemës së kujdesit shëndetësor, si dhe për të financuar investimet publike dhe ato në arsim, do të vijnë në rritje në të ardhmen.
2. Banka e Shqipërisë mirëpret dhe inkurajon: (i) zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, me fokus uljen e evazionit fiskal, digjitalizimin e administratës tatimore dhe zgjerimin e bazës tatimore; dhe (ii) hartimin e një politike tatimore të qëndrueshme, të thjeshtë dhe koherente, që garanton stabilitet rregullator dhe parashikueshmëri për biznesin.
3. Banka e Shqipërisë vijon të përsërisë sugjerimin për një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve gjatë vitit, në interes të shmangies së përqendrimit kronik të tyre në fundin e vitit. Po ashtu, ne inkurajojmë zhvillimin dhe adoptimin e një metodologjie standarde të vlerësimit të raportit kosto – përfitim për investimet publike, si një praktikë të vlefshme për shqyrtimin dhe miratimin e projekteve të reja.
Sa i takon ecurisë ekonomike, edhe pse vendi ndodhet në ditë të mira, Banka nuk e sheh me optimizëm përqendrimin e ekonomisë në ndërtim dhe turizëm.
“Ju duket i pranueshëm ky ndryshim strukturor i ekonomisë kombëtare, pra me fokus të fortë tek shërbimet dhe te ndërtimi”, tha Braçe.
“Ndërtimi nuk është një model që gjeneron rritje në qoftë se nuk eksportojmë eksporte ndërtimi, një ekonomi nuk mund të vihet me ndërtim. Të ardhurat nga turizmi pritet të vijojnë të rriten edhe në vitin 2026 por duhet pranuar që edhe sektori i turizmit, të paktën në terma të të ardhurave totale që siguron për ekonominë shqiptare, do të jetë një rritje më e ngadaltë gjatë viteve të ardhshme”, tha Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare.
Ndërsa në aspektin fiskal, Banka e Shqipërisë sugjeron të rishikohen përjashtimet tatimore, si dhe të mos përdoren shpesh ‘Paqe Fiskale’.
“Praktika e paqes fiskale është diçka që duhet përdorur në mënyrë të rrallë, nuk është një instrument që mund të përdoret në vazhdimësi për këtë, po patjetër ekonomia shqiptare ka një nivel të lartë informaliteti, patjetër që mund të bëhet më shumë. Ka nevojë për rishqyrtimin të normave të diferencuara të sistemit tatimor për sektorët e ekonomisë të cilat kanë një ecuri dhe performancë të mirë, mbetet për t'u parë efektiviteti i këtyre taksave të ulëta”, thotë Themeli.
Banka e Shqipërisë kërkon gjithashtu të monitorohen me kujdes koncesionet pasi mund të ngarkojnë buxhetin e shtetit me kosto shtesë.
Banka e Shqipërisë vlerëson pozitivisht punën që po bëhet nga institucionet për formalizimin e ekonomisë, por këshillon që të vlerësohen edhe përjashtimet tatimore sesa efektive janë në raport me objektivin për uljen e informalitetit.
“Ne kemi folur edhe në kuadër të buxhetit të mëparshëm, ka nevojë për rishqyrtimin të shpenzimeve tatimore ose me fjalë të tjera, aplikimi i normave të diferencuara të sistemit tatimor për sektorët e ekonomisë të cilat kanë një ecuri dhe performancë të mirë, mbetet për t'u parë efektiviteti i këtyre taksave të ulëta”, thotë drejtoi i politikës monetare Erald Themeli.
Madje banka nuk është optimiste as për përsëritjen e amnistive fiskale.
“Për formalizimin absolutisht ka vend për përmirësim, domethënë ne konstatojmë në atë lexim të projektbuxhetit që kemi bërë, faktin që ka një përpjekje shtesë për hyrjen në formalizimin e ekonomisë, megjithëse praktika e paqes fiskale është diçka që duhet përdorur në mënyrë të rrallë, nuk është një instrument që mund të përdoret në vazhdimësi për këtë, po patjetër ekonomia shqiptare ka një nivel të lartë informaliteti, patjetër që mund të bëhet më shumë”, thotë Themeli.
Përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë iu përgjigj në komision edhe pyetjeve të ngritura nga deputetët e mazhorancës në lidhje me ekonominë e projektbuxhetin, pasi opozita nuk është e pranishme. Deputeti i PS-së Erion Braçe kërkoi një opinion të Bankës qendrore në lidhje me strukturën e ekonomisë së vendit, e fokusuar jo më në bujqësi dhe industri por në ndërtim.
“Në relacionin e projektbuxhetit nuk shihet ndonjë politikë ndryshe, që minimalisht të ndalë rënien e fortë edhe të thellë në dy sektorë të tjerë shumë të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare, që kanë edhe punësim të gjerë, praktikisht tek industria dhe bujqësia. Mendoni që do duhet që në projektbuxhet të adresohen politika që tani, veçanërisht në këto dy sektorë që prej një seri tremujorësh janë me rënie të fortë dhe të thellë”, pyeti deputeti socialist Erion Braçe.
Drejtori i Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë Erald Themeli përgjigjet duke thënë se turizmi do të vazhdojë të mbështesë rritjen ekonomiek edhe në 2026-ën por në ngadalësim me vitin aktual.
“Të ardhurat nga turizmi pritet të vijojnë të rriten edhe në vitin 2026 por është e qartë se rritja eksponenciale që ky sektor ka pasur në dy, tre vitet e shkuara, ka pak gjasa që të vijojë edhe në të ardhmen. Pra duhet pranuar që edhe sektori i turizmit, të paktën në terma të të ardhurave totale që siguron për ekonominë shqiptare, do të jetë një rritje më e ngadaltë gjatë viteve të ardhshme. Gjithashtu dua të shtoj dhe diçka, është e vërtetë që ne kemi pasur një rritje të shpejtë të të ardhurave të turizmit, por gjithashtu kemi pasur një rritje e faturës së importeve të lidhur me turizmin. Pra, një pjesë e madhe e shpenzimeve të turistëve këtu, shkojnë për shpenzime për import. Kjo duhet parë si një mundësi për ekonominë shqiptare, pra, fakti që vlera e shtuar e në ekonominë shqiptare duhet të rritet më tej nëpërmjet integrimit të zinxhirëve prodhues në furnizimin e konsumit të turizmit, dhe këtu ka patjetër më shumë për t'u bërë, qoftë në termat e industrisë agro-përpunuese, qoftë edhe në termat e industrisë së shërbimit të kateringut të turizmit”, tha Themeli.
Ndërsa shqetësimit të Braçes mbi përqendrimin ekonomik në ndërtim, Themeli ndan të njëjtin shqetësim.
“Ju duket i pranueshëm ky ndryshim strukturor i ekonomisë kombëtare, pra me fokus të fortë tek shërbimet dhe te ndërtimi dhe pastaj në zbehje, në sektorin e industrisë së bujqësisë, që kanë ulur edhe peshën e tyre në aktivitetin ekonomik”, tha Braçe.
“Ndërtimi jo absolutisht, nuk është një model që gjeneron rritje në qoftë se nuk eksportojmë eksporte, ndërtimi, shërbime, ndërtimi, partnerët tanë tregtarë, një ekonomi nuk mund të vihet me ndërtim. Me shërbime po. Është një strategji e vlefshme megjithëse e rrezikshme. Domethënë, për vende të cilat kanë një bazë të ulët prodhuese dhe një fuqi të kufizuar punëtore, ka një diskutim edhe teorik edhe praktik midis diversifikimit të bazës ekonomike dhe specializimin në sektor të caktuar. Vende të vogla, mund të shkojnë drejt specializimit ekstrem. Vende më të mëdha e kanë vështirë të luajnë këtë lojë të specializimit ekstrem, si strategji të rritjes ekonomike”, u përgjigj Themeli.
Banka e Shqipërisë këshillon qeverinë që të marrë masa për industrinë, por të fokusuar më së shumti tek industritë e reja dhe jo në tekstile.
“Rënia negative që ka pasur sektori i industrisë është diçka që duhet të vlerësohet, dhe në periudhën afatmesme-afatgjatë të ketë një kontribut më të madh, që duhet theksuar jo me segmente tradicionale në Shqipëri, pra në industrinë e fason tekstile e kështu, po në segmente të tjera që kanë produktivitet më të madh. Flas për industrinë e automotivës, industrinë elektronike ose gjëra të tjera që janë më të pranishme tani edhe në vende të rajonit”, thotë Themeli.











