TIRANE - Kryeministri Berisha dorëzohet dhe pranon të heqë imunitetin pasi me zgjedhjen e Presidentit Nishani në krye të Shtetit arriti synimin e tij në kthimin e PD-së në parti-shtet. Ky është, në thelb, shpjegimi dhe analiza që deputeti socialist Erion Braçe ofron mbi debatin politik të heqjes së imuniteteve dhe pozicionit në favor të Kryeministrit Berisha.

“Për 8 vite, Sali Berisha refuzoi propozimin e PS për të hequr imunitetin - shkruan Braçe në faqen e tij në Facebook - Pati shumicën dhe me shumicën e tij bllokoi heqjen e imunitetit. U dorëzua vetëm tani, pas zgjedhjes së Presidentit”.

Më pas ai shpjegon edhe përse ky dorëzim vjen pikërisht tani: “Në 2005 Sali Berisha refuzoi të hiqte imunitetin, sepse Presidenti nuk ishte i tij, Prokurori nuk ishte i tij, Kryetarët e Gjykatave nuk ishin të tij. Në 2008 Sali Berisha refuzoi për së dyti të hiqte imunitetin sepse Presidenti i ri i tregoi kufijtë, Prokurori nuk ishte i tij, Kryetarët e Gjykatave nuk ishin të tij. Sali Berisha u dorëzua tani, pasi Presidenti është i tij. I gjithë sistemi institucional i pushteteve që varen prej Presidentit, tashmë është në dorën e tij, sekretarit të Parë të Partisë!”

“Kjo është partia-shtet”, shkruan Braçe, ndërsa thekson se PD sot është shumë e ngjashme me Partinë e Punës: “Kështu e kishim Partinë dhe Shtetin për 46 vite rresht. Partia ishte Shteti dhe Shteti ishte në Parti. Sali Berisha u kthehu përsëri partinë-shtet e Shtetin e futi në Parti. Qytetarët nuk kanë Shtet, atë e ka Partia”.

Një situatë të tillë deputeti socialist e krahasoi me atë të vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik: “Kështu është në Rusi, Bjellorusi, Korenë e Veriut. Qytetarët po vuajnë në secilin prej këtyre vendeve prej sistemit të partisë-shtet”.

Ndërsa i kujton shqiptarëve se e kanë vuajtur një herë këtë sistem, Braçe thekson se Kryeministri Berisha, përkundrazi, atëherë “ishte ‘Aga’. Me imunitet në atë sistem, me imunitet edhe tani prej sistemit të partisë-shtet që ka ndërtuar, për vete dhe familjen e tij”.

(im/shqiptarja.com)