Në Komisionin e Ekonomisë, deputeti socialist Erion Braçe e ka vënë theksin te kriza e çmimeve në vend, ku tha se Bordet e Transparencës të ngritura nga qeveria, për karburantet dhe ushqimet, po tregojnë pikërisht abuzimet dhe mosfunksionimet e tregjeve. Sipas Braçes ka një përqendrim të tregjeve ku janë vetëm pak operatorë që zotërojnë thuajse të gjitha tregjet.
"Jemi në mes të një krize çmimesh. Autoriteti i Konkurrencës nuk përcakton çmime, por ama është tregu, kërkesa dhe oferta që duhet t'i vendosin. Për të mbrojtur konsumatorin, qeveria ka krijuar bordet, një për çmimin e naftës dh enjë për mallrat kryesor ushqimor. Funksionimi i bordeve ka nxjerrë në pah faktin se ne po paguajnë edhe koston e abuzimit apo mosfunksionimit të tregjeve. Mungesa e konkurrencës në tregje është problem shumë i madh që po e paguan qytetari, pavarësisht ndërhyrjes së qeverisë me dy bordet. Puna që po bëjnë ato po verifikon se edhe në vitet e mëparshme, mosfunksionimi i tregjeve ka sjellë kosto për qytetarët. përgjegjësi të gjithë. Bordi po nxjerrë në pah, si te tregu i grurit, se kemi vetëm 4 operatorë që zotërojnë 98% të tregut, po kështu tregu i miellit, në tregun e vajit 4 operatorë zotërojnë 92% të tregut, te tregu u i sheqerit 3 operatorë zotërojnë 97% të tregut. Është problem i madh konkurrenca e ngushtuar në kaq pak duar. Përqendrimi i tregut në të tilla përmasa dhe kostot që vijnë nga kjo. Për të mos folur për reagimin e njëkohshëm në vendosjen e çmimeve në një konkurrencë banale që lëviz me një 1 apo 2 lekë për t'i hedhur hi syve institucioneve", tha Braçe.
Duke nënvizuar punën e Bordeve për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet, Braçe tërheq vëmendje se kjo ndërhyrje nuk duhet kurrsesi të deformojë konkurrencën në treg.
"Roli i qeverisë në dhënien e të drejtave ekskluzive, apo koncesioneve është kufizuar, por kjo nuk do të thotë që qeveria të mos zbatojë të gjitah detyrimet që ka ndaj tregjeve. Qeveria në asnjë rast nuk duhet që ndërhyrja e saj, edhe me të tilla instrumente, të deformojë konkurrencën në treg. Po iu prit që vetëm qeveria t'i drejtohet Komisionit të konkurrencës dhe të kërkojë miratim për çdo akt që ndikon në treg dhe në konkurrencën në treg, po u prit të ndodhë dhe kjo nga ana e qeverisë, duhet parë si ridimesionohet roli i autoritetit të konkurrencës", u shpreh Braçe.
Deputeti u ndal edhe te tragu i karburanteve, ku tha se ka jo vetëm përqendrim, por edhe mungesë transparence të plotë. Sipas Braçes 'dikush fsheh diçka' dhe askush nuk merr përsipër ta zbardhë deri në fund, duke shtuar se duhet kuptuar si blihet nafta nga kompanitë e shumicës, si furnizohen ato dhe si më pas furnizojnë kompanitë e pakicës.
"Nafta që është kthyer në një produkt ndër më të lakuarit të kohëve të fundit, ka jo vetëm përqendrim, por edhe mungesë transparence të plotë. Dikush fsheh diçka dhe askush nuk merr përsipër t'i shkojë deri në fund. Duhet kuptuar si blihet nafta nga kompanitë e shumicës, si furnizohen ato dhe si më pas furnizojnë kompanitë e pakicës, që janë po të njëjtat dhe që ndikojnë në nivelin e çmimeve. Bordi ende nuk po bën të qartë të gjithë transaksionin, nga blerja, në bursë thonë këta, deri te shitja në të gjithë vendin. Në bursë nuk blihet sot për nesër, por për 1 deri në 6 muaj. Blihet sot për dhjetorin, ndërsa skema që na është referuar, thonë që duhet të shesin me çmimin koherent të bursës në atë periudhë. Shitja me shumicë është përqendruar në 1 apo dy që kompanitë e naftës na i referojnë si broker, që blejnë në bursë dhe i shesin me çmimin e bursës. Është një skemë që ka përqendruar tregun, ka zbehur konkurrencën e që ka sjellë këto çmime. Gjithçka që ndodhi për 2-3 ditë, ku çmimi shkoi deri në 260 lekë për litër, në mënyrë abuzive, është abuzim në treg dhe reflekton përqendrimin", tha Braçe.