Deputeti i PS, Erion Braçe në një intervistë për Report Tv thotë se ka ardhur koha që të shfuqizohet ligji për investitorët strategjikë. Sipas tij tashmë Shqipëria është bërë atraktive për shkak të biznesit që bëhet në të dhe nuk ka nevojë për favore. I hapur shprehet edhe për një prej kërkesave të protestuesve për rishikimin e ligjit për zonat e mbrojtura, duke thënë se nëse do jetë e nevojshme të ndryshohet për të garantuar me shumë garanci për të mos cenuar natyrën.
“Nëse ligji duhet të ketë shumë më tepër garanci, patjetër ta shohim. Edhe unë e kam patur këtë shqetësim kur u diskutua ligji. Ajo seanca kur ka kaluar ligji nuk është bërë as diskutim se opozita kishte zënë sheshin e Kuvendit. Nëse duhet të rishihet ligji për të dhënë garanci maksimale për të mos cenuar natyrën në këto hapësira patjetër ta shikojmë.
Ligji për investitorët strategjikë i ka ardhur koha të abrogohet. Kush ka pasur një favor e ka kaluar kohën, s’ka nevojë për favore, Shqipëria është bërë atraktive jo për favoret, por për shkak të biznesit që mund të bëhet për të. Paketa? Bëhet fjalë për banorët e atyre zonave, por nëse duan të ndërtojnë në atë tipologji që ka pasur veriu jetë e mot, patjetër që ata duhet të përfitojnë. Gjithë ajo zonë nuk ka titujt pronësie, nuk është çmendur Erioni të shkojë në tokën e tjetrit. Sa kohë që ata e kanë vendosur këtë lloj legjitimitet, duhet t’iu jepet certifikata. Ai ligj iu jep certifikatën atyre. Po pse unë nuk duhet ta zhvilloj pronën time. Kush janë këta që u thonë njerëzve atje ti s’ke për ta zhvilluar se unë dua malin. Është prona ime, po ndërtoj në truallin tim. Si qenka kjo histori, ti s’do ndërtosh, s’do e bësh kullën, sepse nuk dua unë. Po kush je ti. Këta që shkruanin për paketën e maleve nuk ishin fare nga ai territor, ishin nga jugu”, tha Braçe në Report Tv.
Lajmi kryesor:
Planet që fshihen pas protestës/ Braçe për Report Tv: Na kthejnë në epokën e gurit! Qeveria legjitime, jo kufizim mandatit të kryeministrit






