TIRANE - Pas lajmit se Spartak Braho kishte shkuar në spital për të takuar deputetin Mark Frroku, ka reaguar menjëherë shefi i Komisionit të Sigurisë.

Braho përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat thotë se nuk ka asnjë lidhje vizita e tij në spital me një takim të mundshëm me deputetin Frroku.

Sipas Brahos e gjithë kjo është një sajesë e mediave që kanë si qëllim dezinformimin. 

Deklarata e plotë e Spartak Brahos

Jam befasuar dhe kam ndjerë keqardhje e neveri që ndonjë media vazhdon të mbetet përhapëse e lajmeve dizinformuese, mision ky që jo vetëm nuk i ka hije një televizioni, por i katandis ato në si mos më keq e në përdorim klientelist të soj e sorollopësh intrigantë e aspak profesionalë. Nuk e di dhe për llogari të kujt këto televizione transmetuan pamje dhe sekuenca filmike në qendër të të cilave vendosesha unë duke dalë nga dera kryesore e Spitalit Gjerman të kardiologjisë dhe që kjo pamje u komentua si ‘vizitë e dyshimtë e Brahos në këtë spital, pasi aty ndodhej i shtruar i akuzuari Frroku!’.
 
Ndonëse as nuk ia vlen të merresh me sqarimin e këtij dyshimi që hedh në eter kova e ndryshkur propagandistike për të bërë gjoja “lajm”, prania ime në këtë spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore, e planifikuar dhe e dokumentuar ditë më parë ku kontaktova mjekun përkatës të laboratorit në katin e parë.
Kanë rast ‘investiguesit seriozë’ të shkojnë të kontrollojnë kamerat e sigurisë së spitalit të cilat regjistrojnë çdo gjë, policët përkatës në shërbim dhe të zbulojnë lajmin e saktë, që s’është lajm fare. Është e vërtetë se praninë e Frrokut në atë spital e kam marr vesh vetëm kur dola nga ambientet e spitalit dhe për çudinë time pashë që disa kamera televizive po më filmonin. Nuk iu dhashë rëndësi pasi bashkëshoqëruesi më sqaroi se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e kateve të sipërme të spitalit ndodhej i shtruar Mark Frroku.
 
Me kaq lidhej qenia ime dhe lajmi i saktë zotërinj drejtues, pronar, gazetar të disa mediave që fabrikuat lajm kot. Kini kujdes mos i kriminalizoni televizionet shqiptare dhe veten e tuaj. Ky sugjerim s’ka të bëjë me korrigjimin e bindjeve tuaja, por me etikën, korrektesën dhe profesionalizmin shpeshherë të munguar.
 
Mjaft djem, investigues! Bëhuni seriozë e të ndershëm, se na sëkëlldisët kalamajt, miqtë e shokët, sikur ç’ka ndodhur e ç’keni zbuluar. Muhabet kot që i interesoi vetëm ndonjë gazete si “RD”. Mos harroni se në gjendje arresti me polic te koka është Mark Frroku e Tom Doshi. Unë isha tek dera spitalit, as në ndonjë aeroport apo hotel e në duar mbaja vetëm letra! Qesharake!”

braho


Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)