Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti deklaroi sot se janë braktisur punimet për ndërtimin e rrugës së Lurës, e cila parashikohej të mbyllej në vitin 2023.
Sipas Hotit, fondet që duhej të përdoreshin për ndërtimin e kësaj rruge dhe zhvillimin e zonës, kanë ikur te investitorët strategjikë të qeverisë.
“Një projekt i premtuar vite më parë, i promovuar me bujë nga Kryeministri, sot qëndron i bllokuar, i harruar dhe pa asnjë shpresë për realizim. Projekti për rikonstruksionin e rrugës Perlat -Fushë Lurë- Arrëz, me vlerë 12.5 mil euro, zhvilluar nga Fondi shqiptar i Zhvillimit është një kontratë kryekëput korruptive. Punimet kanë filluar që në 2022 dhe kanë mbetur pezull”, theksoi ajo.
Hoti tha se nënkontraktori ka braktisur punimet, ndërsa deklaron se kontraktori bullgar në faqen zyrtare deklaron se kontrata e 23 shkurtit 2022, lidhur me FSHZH, ka nisur në mars 2023 dhe do përfundonte në mars 2024.
“Ndërkohë, paratë janë lëvruar, sepse kontraktori vetëm si likuidim TVSH-je ka marrë 7 këste pagesash për këtë kontratë me vlerë 681 mijë euro. Fondi u vodh dhe mirditorët e dibranët mbetën pa rrugë”, u shpreh deputetja Hoti.