BRAZIL - Anglia bëhet Kombëtarja e dytë evropiane që ishte një nga pretendentet kryesore të Botërorit Brazil 2014 që përgatit “valixhet” për t’u kthyer në shtëpi kokë ulur. Ashtu si kampionët në fuqi, Spanja, edhe Anglia ka pësuar humbjen e dytë radhazi këtë botëror duke humbur çdo shans për kualifikim.

Eliminimi i Anglisë ka ardhur pas humbjes me Uruguain me të njëjtin rezultat si me Italinë 2-1.

Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë e barabartë mes dy ekipeve me raste të shumta, por të shpërdoruara. Goli i parë i uruguaianit, Luis Suarez në minutën e 37-të të pjesës së parë ka rritur shpresat e Uruguajit për një fitore ndaj “Tre luanëve”.

Shpresat e anglezëve për kualifikim janë rikthyer pas një goli të Wayne Rooney në minutën e 75-të. Por gëzimi dhe shpresat e tyre janë venitur brenda 10 minutave.

 “Tre luanët” janë kthyer në “tre macet” pas golit të dytë të Suarez në minutën e 85-të. Luis Suarez ishte në dyshim nëse do e niste apo jo ndeshjen nga minuta e parë, por ai tregoi edhe njëherë klasin e tij duke u shndërruar në njeriun e ndeshjes.

Uruguai në Grupin D me këtë fitore i bashkëngjitet me 3 pikë Italisë dhe Kosta Rikës të cilat kanë për t’u përballur me njëra-tjetrën.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)