SLLOVENI - Shqipëria ka humbur ndeshjen përballë Sllovenisë me rezultatin minimal 1 - 0, por nuk ka humbur shpresat për një kualifikim në Kampionatin Botëror, pasi lufta për vendin e dytë është akoma e hapur për tre ekipe.

Kuqezinjve të drejtuar nga De Biasi u ka munguar vetëm goli në një ndeshje që ka folur vetëm për ta. Përjashto pjesën e parë, që ishim të përgjumur, pjesa e dytë ishte e Shqipërisë, por fati ishte kundër këtë herë duke thyer zemrën e mbi 5000 tifozëve që ishin në stadium dhe mijëra të tjerëve që e ndiqnin nga ekrani.

Ndeshja mes dy ekipeve nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-trajnerit të Shpresave, Artan Bushati, i cili u largua nga jeta vetëm pak ditë më parë.

Shqipëria e nisi ndeshjen në mbrojtje, me idenë e kundërsulmeve të shpejta nga krahët për të furnizuar shtatlartin Cani që luante i vetëm në sulm, por i mbështetur nga 5 mesfushorë. Sinjalin e parë në fushë e jep Bulku me një goditje nga larg, por pa asnjë shqetësim për portierin Handanoviç.

Pas disa minutave, tempi fillon dhe bie; këtu përfitojnë vendasit, që nisin një top të shkurtër, duke çoroditur mbrojtjen kuqezi, Hampl driblon bukur dhe tenton nga një distancë prej 20 metrash, duke e ndalur sferën në katërkëndëshin e portierit Etrit Berisha, që nuk kishte se çfarë të bënte tjetër, veçse të nxirrte topin nga rrjeta.

Pas 10 minutash nga goli, tenton të reagojë Shqipëria me Valdet Ramën me një aksion individual nga e majta, duke u futur bukur në zonë, por në momentin e fundit mbrojtja largon topin.

Në minutën e 36-të, Kampl rrezikon sërish portën tonë, kësaj radhe goditja e tij nga jashtë zone është e dobët dhe kontrollohet nga Berisha.

Në minutën e 40 Shqipëria tenton të shënojnë me një goditje dënimi, por topi largohet nga këndi, aty ku tenton sërish, por pa rezultat, finalizimi i dobët. Pjesa e parë mbyllet për kuqezinjtë me një goditje të bukur të Roshit, e cila pritet nga Handanovic.

Në mbështetje të ekipit kombëtar, Kryeministri i zgjedhur Rama përmes një statusi shkruan se  "asgjë s’ka mbaruar, duhet kurajo”.

Në pjesën e dytë, De Biasi nxjerr Bulkun, fut Salihin duke luajtur me dy sulmues. Pjesa e dytë nis mjaft e mirë për kuqezinjtë që në harkun e 10 minutave kanë 5 raste për të shënuar me Salihin, Bashën dhe Ramën, por Handanoviç është heroi i vendasve, duke neutralizuar gjithçka.

De Biasi nxjerr edhe Canin dhe Bashën, fut Mehmetin dhe Abrashin duke rritur intensitetin e lojës. Kuqezinjtë sulmojnë pa pushim, por Sllovenia kthehet në bunker duke larguar çdo top nga mbrojtja.

Pas tre minutave shtesë, arbitri fiton duke zbritur Shqipërinë nga vendi i dytë. Pavarësisht humbjes, kreu i PS-së e mbyll shënimin e tij në Fb, duke thënë se kjo skuadër është krenari," ndërkohë që Shqipëria zbret në vendin e tretë me 10 pikë në grupin E, me pikë të barabarta me Islandën, me të cilën do të ndeshet pas pak ditësh.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)