Vetëm 32 vjeçe, Erika Hilton vazhdon të rishkruajë historinë politike të Brazilit. Pas faktit që u bë gruaja e parë transgjinore e zgjedhur këshilltare komunale në São Paulo në 2020 dhe, dy vjet më vonë, e para që hyri në Dhomën e Deputetëve, ajo shënoi një tjetër arritje: drejtimin e Komisionit për mbrojtjen e të drejtave të grave. Një emërim që ndezi një debat të fortë në vend, i cili është njëkohësisht parajsë dhe ferr për komunitetin LGBTQ+: në letër është ndër më të avancuarit në botë, por me nivelet më të larta të dhunës.

Protesta e së djathtës

Ndërsa aktivistët dhe lëvizjet për të drejtat civile e festuan emërimin si një hap përpara në përfaqësimin e minoriteteve, grupet dhe politikanët e së djathtës ekstreme sulmuan pa pushim deputeten e Partisë Socializëm dhe Liri (PSOL), duke pretenduar se ajo nuk kishte asnjë legjitimitet për këtë detyrë. “Ne duam të përfaqësohemi nga gra të vërteta që kuptojnë natyrën tonë dhe sfidat tona biologjike”, deklaroi Clarissa Tércio nga Partia Konservatore Progresiste.

Unë, duke qenë një e bardhë, duke kaluar gjithçka që kam kaluar si e bardhë, tani në moshën 32 vjeç vendos të bëj makijazh dhe të vishem si një njeri me ngjyrë. Dhe këtu pyes veten: dhe tani? Jam bërë me ngjyrë?” tha deputetja e së djathtës Fabiana Bolsonaro ndërsa ngjyroste me kafe krahët dhe fytyrën gjatë një fjalimi në Asamblenë Ligjore të São Paulos. Sulmi ndaj Erika Hilton u ndërpre nga deputetja Monica Seixas (PSOL), e cila e akuzoi kolegen për transfobi, racizëm dhe ‘blackface’ (praktikë raciste dhe ofenduese që denigron një grup etnik në një stereotip dhe nxit diskriminime historike). Kundër Fabiana Bolsonaro, e cila nuk ka lidhje familjare me ish-presidentin brazilian, por vendosi të përdorë mbiemrin e tij në 2022 si “emër politik”, Seixas dhe 18 deputetë të tjerë paraqitën një kallëzim për shkelje të parimeve kushtetuese, detyrim të stigmatizimit ndaj personave transgjinor dhe diskriminim racor.

Hilton mbron pozicionin e saj

“Po, unë jam presidente e Komisionit për gratë. Dhe fakti që kjo shqetëson më shumë se vala e dhunës ndaj grave që na preku, tregon shumë për vendin tonë”, shkroi Erika Hilton në profilin e saj në Instagram, i ndjekur nga 4,3 milionë persona. Edhe pse në Brazil, sipas agjencisë së OKB-së për barazinë gjinore, janë bërë hapa të mëdhenj për të drejtat e grave, ende ka shumë për të bërë kundër dhunës gjinore. Në 2025, Brazili shënoi një rekord të ri me 1.470 femicide, numri më i lartë i regjistruar në dhjetë vitet e fundit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, kjo shifër përkthehet në një mesatare prej katër grash të vrara çdo ditë.

Dhuna ndaj grave transgjinore

Brazili vazhdon të jetë në krye të vendeve me numrin më të lartë të vrasjeve të grave transgjinore, me 80 raste të regjistruara në 2025. Sipas dosjes së fundit të Shoqatës Kombëtare të Personave Transvestitë dhe Transgjinorë (ANTRA), shumica e viktimave janë gra të reja transgjinore, me incidencën më të lartë në grupmoshën 18–35 vjeç.

Pikërisht në këtë kontekst, theksojnë lëvizjet për të drejtat civile dhe aktivistët, emërimi i Erika Hilton është vendimtar. “Kjo presidencë nuk është vetëm një emër, është simbol i një demokracie në rritje. Menaxhimi im do t’u drejtohet të gjitha grave: nënave të vetme, grave punëtore, indigjene dhe atyre që luftojnë për mbijetesë dhe dinjitet në çdo cep të këtij vendi”, theksoi Hilton.

Historia e Erika Hilton

Në një intervistë për Time, Hilton rrëfeu se u rrit me gra shumë të forta në një lagje punëtorësh në periferi të São Paulos. Megjithatë, në moshën 14 vjeç, familja e saj adoptoi fundamentalizmin fetar dhe e dëboi nga shtëpia ku deri atëherë kishte qenë e lirë të shprehej dhe të ishte vetvetja. Erika mbeti rrugëve, e vetme, dhe për gjashtë vjet mbijetoi duke punuar si punonjëse seksi. “Besoj se pas përvojës së dhunës, braktisjes dhe jetës në rrugë,” rrëfeu ajo, “zëri im u bë edhe më i fortë, sepse ndihesha e detyruar të afirmohem edhe më shumë”. Ndër prioritetet e saj janë mbikëqyrja e rrjetit të strehimoreve për gratë viktima të abuzimeve, lufta kundër dhunës politike ndaj grave dhe promovimi i politikave shëndetësore globale për gratë braziliane./La Repubblica