Spanja-Brazil do të jetë finalja e Kupës së Konfederatave për 2013. Kampionët e botës dhe të Evropës kanë mundur në gjysmëfinale Italinë nga pika e bardhë e penalltive. Pjesa e parë ka qenë mjaft e mirë për ekipin e Spanjës dhe Italisë, të cilat kanë realizuar një lojë të barabartë me sulme dhe kundërsulme të shpejta nga të dyja krahët duke vendosur portën në shënjestër shumë herë, por si Casillas dhe Buffon kanë lënë të pa prekur rrjetën në 45’ e para me shumë pritje spektakolare.

Spanja tenton e para që të gjejë golin me anë të sulmuesit kryesor Torres në minutën e 18’, por nuk tregohet i saktë para portës duke humbur një rast të artë për iberikët që të kalonin në avantazh. Xhakerini përgjigjet për ekipin e Italisë me një sulm të shpejtë dhe pas një pasimi nga Maxho gjuan në drejtim të portës, por kapiteni Casillas ka grushtuar bukur topin duke e rikthyer përsëri në mesfushë.

Pjesa e parë mbyllet me një gjuajtje të De Rosit që vendos në provë Casillas, por ‘gardiani’ i Realit është në kohën dhe vendin e duhur për të neutralizuar gjithçka në kohë reale. Në pjesën e dytë ekipi i trajnerit Del Boske hidhet i gjithë në sulm për të kërkuar golin e fitores me cdo kusht. Në minutën e 55 është Xavi që hedh një top të bukur në zonë nga një goditje dëmi, aty është Ramos që kërcen më shumë se të gjithë godet, por topi kalon ngjitur me traun e portës së mbrojtur nga Buffon duke humbur një rast të mirë për shënim.

Në të 57 është Navas që tenton nga larg me Navas, por Buffon pret në kohë në vështirësi. Por pavarësisht shumë rasteve edhe pjesa e dytë mbyllet në barazim pa gola duke i dërguar dy ekipet në shtesë. Pjesa e parë e shtesës përsëri pa gola, ndërsa në fund të pjesës së dytë, Spanja kishte mundësi të mbyllte gjithçka në minutën e fundit, por nuk tregohet e saktë duke dërguar ndeshjen në gjuajtjet e penalltive. Nga pika e bardhë Spanja ka shtatë të sakta, ndërsa Italia gjashtë, pasi Bonuci ka gabuar duke e dërguar topin mbi tranvers.  Kështu Spanja fiton të drejtën që të luajë në finale përballë ekipit të Brazilit më datë 30 qershor për Kupën e Konfederatve, e cila është e nënta në histori.