Ndryshe nga sa pritej, pak ditë përpara fillimit të kampionatit botëror Brazili është përfshirë nga kaosi dhe protestat masive në disa qytete të vendit. Punonjësit e metrove janë hedhur në protesta për rritje të pagave duke e kthyer transportin në një kaos.

Protestat shumë herë kanë precipituar edhe në dhunë dhe përleshje me forcat e policisë. Policia përdori gaz lotsjellës dhe u përlesh me protestuesit pranë një stacioni të metrosë në qendër të Sao Paulo. Gjysma e stacioneve të metrosë në Sao Paulo të mbyllura duke shkaktuar kaos në trafikun e qytetit më të madh të Brazilit, në të cilin do të luhet edhe ndeshja hapëse e Kupës së Botës, Brazil-Kroaci.

Punëtorët kërkojnë një rritje të pagës të paktën 10%. Protestat dhe vonesat për përgatitjen e botërorit kanë frikësuar në maksimumin edhe FIFA-n, aq tepër pas deklaratës së ministrit të Sportit se akoma nuk është gjati gjithçka dhe se po punohet 24 orë në 24.

Oscar: Do jem në fushë nga minuta e parë
Neymar dhe Oscar janë dy  nga futbollistët tek të cilët do të mbështet më shumë Brazili për të fituar kupën e Botës. Oscar pas një edicioni pozitiv me Çelsin kërkon që të fitojë trofeun më të lakmuar në botë me ekipin e tij kombëtar, teksa eventi zhvillohet në vendin e tij. 

Në prag të finaleve, Oscar u shpreh se “Shtypi po tenton që të më nxjerrë nga ekipi, por gazetat le të flasin, unë jam i qetë dhe kam besim. Uillian po luan shumë mirë, por secili e ka momentin e tij. Unë besoj se do të jem në formacionin e parë”, tha Oscar.

Holanda me 5 mbrojtës ndaj Spanjës
Holandës akoma nuk i ka dalë frika nga humbja në finalen e kampionatit botëror të Afrikës së Jugut ku humbi përballë Spanjës. Një gjë e tillë duket nga deklarata e trajnerit Luis Van Gal,  i cili deklaron se përballë kampionëve të botës dhe Europës në fuqi do të luajë me 5 mbrojtës.

“Spanja na detyron të luajmë me 5 mbrojtës, pasi duam t’u lejojmë atyre sa më pak hapësira. Spanja është një kombëtare e madhe dhe nëse i lejon hapësira mund të godasë nga momenti në moment, pasi ka kualitete që mund të zgjidhin gjithçka me veprime individuale” tha trajneri i ardhshëm i Manchester United.

Torres: Jemi favoritë për të bërë dopietë
Sulmuesi i Spanjës, Torres pranon se kombëtarja e tij është favorite për të fituar trofeun. Gjatë një interviste për mediat spanjolle në prag të fillimit të botërorit, sulmuesi shprehet “Spanja është favorite për të fituar kampionatin botëror, pasi ka në përbërje futbollistë ndër më të mirët në qarkullim.

Rruga nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Gjermania, Argjentina, Anglia, Italia, por edhe Brazili që është vendi organizator do të kërkojnë që të fitojnë trofeun. Megjithatë ne shpresojmë do të mbërrijmë deri në ndeshjen e fundit. Cikli ynë ende nuk ka përfunduar dhe këtë gjë do ta tregojmë” tha ai.


d.b/shqiptarja.com