BRAZIL - Kupa Botërore e Futbollit 2014 ka nisur me protesta të dhunshme. Mediat vendase kanë raportuar se pak orë para nisjes së ndeshjes së parë të Botërorit, protestues të shumtë kanë marshuar me sloganin “Pa të drejta, nuk do të ketë Kupë të Botës”

Në hyrje të stadiumit “Corinthias Arena” protestuesit kanë sulmuar mbrëmjen e së enjtes një studio televizive duke dëmtuar dy gazetarë dhe një regjizor të CNN. 

Protestuesit hodhën gurë dhe bënë thirrje duke fyer kundrejt punonjësve të televizionit. Gjatë protestës, mbeti i dëmtuar një fotograf, i cili mori fraktura të lehta në kokë.

Policia e vendit ka shpërndarë me plumba gome dhe gaz lotësjellës protestuesit, të cilët u organizuan nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ku mbi 10.000 persona konfirmuan pjesmarrjen.

Përveç San Paulos, priten protesta të tjera dhe në 11 qytetet e tjera mikritëse të Kupës së Botës 2014.

Kupa Botërore e Futbollit është shoqëruar me shumë të papritura, konflikte dhe protesta ende pa startuar.

Për muaj me radhë, qytetarët kanë protestuar në forma paqësore, nëpërmjet grafiteve të ndryshme, në mure apo edhe rrugëve të qytetit.

Por në natën e parë të startimit të Botërorit manifestimet e tyre janë kthyer në protesta.

Brazilianët janë shprehur të zemëruar për shpenzimin e miliarda dollarëve për organzimin e këtij turneu dhe jo për projekte sociale dhe strehim.


Redaksia Online
(f.i/Shqiptarja.com)