Bregdeti i Fierit po pret çdo ditë e më shumë pushues, ndërsa bashkia po përgatit zhvillimin afatgjatë të vijës bregdetare pa nxituar me ndërtime apo investime të pakontrolluara. Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, tha se ende nuk ka projekte konkrete për ndërtimin e hoteleve, pasi fillimisht po hartohet një masterplan në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT).

I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri”,në Report TV Subashi u shpreh se qëllimi është që bregdeti i Fierit të zhvillohet ndryshe nga zonat e tjera turistike të vendit.

“Ende nuk ka një gjë konkrete. Në bashkëpunim me AKPT po hartojmë një masterplan pasi zona është e virgjër. E keqja është që nuk është investuar, por e mira është se hartimi i një masterplani do të na ndihmojë të mos bëjmë gabime që janë bërë në zona të tjera të Shqipërisë. Duhet bërë gjëja e duhur për këtë vijë bregdetare prej 25 kilometrash”, tha Subashi.

Duke folur për sezonin turistik, ai u shpreh se vija bregdetare e Fierit frekuentohet kryesisht nga pushues ditorë, ndërsa këtë vit është rritur edhe numri i plazheve publike. Sipas tij, përveç zonave që janë në funksion, bashkia ka përcaktuar edhe plazhe të tjera publike, por ato nuk do të hapen derisa të plotësohen kushtet e sigurisë.

“Përpos plazheve që kemi përcaktuar në fillim, kemi ende shumë të tjera që janë vendosur të jenë plazhe publike. Nuk këshillojmë që të frekuentohen për shkak të mungesës së rojeve. Nuk mund të merret kushdo si roje plazhi. Në momentin që plotësojmë personelin do t’i hapim plazhet e reja. Plazhet publike janë falas”, tha ai.

Subashi theksoi se siguria mbetet prioritet gjatë sezonit veror. Ai bëri të ditur se në plazhin e Darëzezës janë vendosur tre kulla vrojtimi, ndërsa dy të tjera janë ngritur në Seman. Në plazhet publike ku ende nuk ka roje bregdetare, sipas tij, bashkia ka vendosur tabela sensibilizuese për të paralajmëruar pushuesit.

Kryebashkiaku foli edhe për problemin e mbetjeve që sjellin lumenjtë Vjosa dhe Seman, duke thënë se pas ndërhyrjeve të kryera plazhi është aktualisht i pastër. Ai shtoi se plazhet publike pa roje nuk frekuentohen, ndërsa plazhi i Ndërmenasit vazhdon të ndikohet nga mbetjet që sjell lumi Seman.

Një tjetër objektiv i bashkisë, sipas Subashit, është krijimi i një poli të katërt zhvillimi përgjatë vijës bregdetare të Fierit.

“Do të hapim një pol të katërt në gjithë vijën bregdetare të Fierit, pra katër pika të rëndësishme për të gjithë banorët e zonave, nga Mallakastra, Roskoveci apo edhe Berati”, u shpreh ai.