Shtrenjtimi i pronave nuk ka të ndalur në Shqipëri. Vetëm në 6-mujorin e dytë të 2025-ës, çmimet u rritën me 28% në rang kombëtar në raport me vitin 2024, kurse në krahasim me janar-qershor të vitit të kaluar rritja ka qenë me 11.7%.

Për shkak të çmimeve të larta edhe kredia me qëllim blerje banese ka regjistruar shifra rekord gjatë 2025-ës. Vjet u morën nga qytetarët 675 milionë euro kredi vetëm për këtë qëllim, duke u rritur me 101 milionë euro krahasuar me 2024-ën.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë rreth 61% e pronave për banim janë blerë me hua bankare, e cila në 38% të rasteve ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Banka qendrore thotë se shtrenjtimi po udhëhiqet nga kërkesa e lartë për prona në zonat bregdetare, të cilat po kushtojnë gjithnjë e më shumë. Ndikim në këtë shtrenjtim vijojnë të kenë të huajt, të cilët janë edhe më shumë të përqendruar në prona me vlera të mëdha kryesisht në zonat më të kushtueshme të Tiranës, dhe përgjatë vijës bregdetare. Afro 25% e pronave të shitura vjet u blenë nga shtetas të huaj.

Tregu i pasurive të patundshme është kthyer në të preferuarin e të huajve, e që merr më shumë se 30% të investimeve. Vetëm gjatë vitit të kaluar investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën në 561 milionë euro nga 379 milionë euro në vitin 2024.

Sa i takon kostove të ndërtimit, ato janë rritur lehtë, të udhëhequra nga shpenzimet për paga dhe makineri, - thotë Banka e Shqipërisë