Bregu: Programe për parandalimin
e kancerit dhe sëmundjeve të zemrës

Bregu: Programe për parandalimin<br />e kancerit dhe sëmundjeve të zemrës
TIRANË - Është prezantuar sot para stafit drejtori i ri i Institutit të Shëndetit Publik, dr. Arjan Bregu. Kjo u bë nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj para administratës dhe punonjësve të institucionit.

Në fjalën e tij, gjatë prezantimit të kreut të ri të ISHP-së, ministri i Shëndetësisë Beqaj tha midis të tjerash, se "jemi të bindur që dr. Arjan Bregu me përvojën e tij profesionale dhe njerëzore do të dijë të zbatojë programin e qeverisë së re për shëndetin publik."

Bregu vjen në këtë detyrë pas një përvoje të rëndësishme profesionale në drejtimin e sektorit të Higjienës dhe Epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Ministrisë së Shëndetësisë dhe detyra të tjera menaxheriale, si dhe ato të kërkimit shkencor, vazhdoi më tej ministri, duke shprehur bindjen se kjo përvojë do ta ndihmojë atë në drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Drejtori i ri i ISHP-së, Bregu, në fjalën e tij, falënderoi ministrin e Shëndetësisë për besimin, duke nënvizuar gatishmërinë dhe angazhimin e tij për të qënë në lartësinë e detyrave që kërkohen nga programi qeverisës të "Shqipërisë së Gjeneratës Tjetër". Sipas Bregut, një nga angazhimet kryesore të programit të qeverisë së re është rritja e rolit të shëndetit publik dhe programeve të parandalimit e të promocionit shëndetësor.

“Për këtë qëllim, do të zhvillojmë programe kombëtare të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumoriale dhe sëmundjeve kardiovaskulare, në kushtet kur veçanërisht këto sëmundje janë kthyer në ndikues të ndjeshëm në shkurtimin e jetëgjatësisë dhe jetës së shëndetshme. Brenda vitit 2014 do të fillojë zbatimi i një programi kombëtar për kontrollin bazë të shëndetit për popullsinë në intervalin moshor 40-60 vjeç,” vazhdoi më tej Beqaj.

Puna e ISHP-së duhet të jetë në përputhje me synimin parësor të programit të Qeverisë për kujdesin shëndetësor, i cili është zgjatja e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës shqiptare dhe parandalimi i fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur dhe përmirësuar shëndetin.

“ISHP duhet të identifikojë dhe të vlerësojë faktorët e riskut për sëmundjet kronike, përfshi faktorët konvencionalë të riskut, ato të lidhura me stilin/mënyrën e jetesës, si dhe faktorë të tjerë mjedisorë apo psiko-socialë,” vazhdoi më tej ministri, duke theksuar se “kjo bëhet mirë sot, vetëm përsa i përket sëmundjeve infektive.”

Ndërkohë, misioni dhe roli i ISHP-së duhet të spostohet nga ofrimi i shërbimeve rutinë në një agjenci të mirëfilltë shkencore, e cila duhet të ketë në fokusin kryesor të saj, vlerësimin e riskut lidhur me sëmundshmërinë e popullatës.

Gjithashtu, z. Beqaj theksoi se “ISHP duhet të jetë aktori kryesor në hartimin dhe përditësimin e një sistemi unik kombëtar të informacionit shëndetësor, ku ky institucion duhet të jetë institucioni përgjegjës për hartimin dhe mirëmbajtjen e regjistrave kombëtarë, përfshi regjistrin e sëmundjeve tumorale, atyre kardiovaskulare, diabetit, frymëmarrjes.”

ISHP duhet të jetë aktori kryesor në hartimin dhe përditësimin e një sistemi unik kombëtar të informacionit shëndetësor dhe ky institucion duhet të fillojë së prodhuari raporte shëndetësore vjetore, një standard i munguar prej kohësh në traditën e këtij institucioni. “Me emërimin e Arjan Bregu në krye të ISHP-së, jemi të bindur se do t'i përgjigjemi sfidave me të cilat përballet sot sistemi i kujdesit shëndetësor”, tha ministri i Shëndetësisë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

'Aktrimi në politikë s'i shërben të rinjve', Kryemadhi: Jam gladiatore me taka e jo grua burrë! Ka ardhur koha të shoh prioritete të tjera

'Aktrimi në politikë s'i shërben të rinjve', Kryemadhi: Jam gladiatore me taka e jo grua burrë! Ka ardhur koha të shoh prioritete të tjera