Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytet. Një pistoletë e llojit TT është gjetur brenda një makine policie, por i zoti mbetet akoma mister. Një efektive e patrullës në Komisariatin nr. 1, së bashku me kolegun e saj, teksa ishin në patrullim me makinë, e gjetën armën e zjarrit brenda në mjet dhe habia nuk ishte e vogël. Pasi punonjësja e policisë kishte humbur një send personal në makinë, i hynë kontrollit me themel dhe pistoleta u gjet poshtë sediljes së pasme të pasagjerit.

Aty u gjet një çantë marsup që zakonisht përdoret nga djem, të cilën e kishte mbuluar pluhuri dhe brenda saj ishte arma. Në pamje të parë, për shkak të pluhurit, hetuesit mendojnë se mund të jetë fshehur muaj më parë nga ndonjë i shoqëruar në polici.

Me shumë mundësi, thonë burimet, i shoqëruari, për të shpëtuar një arrestimi të mundshëm për “armëmbajtje pa leje”, duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së policëve, ka fshehur armën. Pistoleta TT është dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekspertizë dhe shenja gishtash, e cila mund të qartësoj se kujt i përket, dhe në këtë fazë nuk dihet kujt i përket.

Hetimet janë ndarë në dy pjesë, nga policia për gjetjen e të zotit të armës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila do të verifikoj rregullat standarde të policëve që kanë kryer shoqërimin, detyrë e të cilëve ka qenë kontrolli i imtësishëm. Një mungesë e tillë vëmendje mund të kishte rezultuar fatale, me një person të armatosur brenda makinës së bluve, i cili për fat të mirë vendosi ta fsheh, kur mund edhe të kishte qëlluar drejt efektivëve.