Partia e Lirisë kërkon hetim për rastet e dhunës së policisë ndaj protestuesve përgjatë 13 ditëve proteste (sot nuk pati asnjë incident).
Deputetja Erisa Xhixho shprehet se “skena e krimit” nuk mund të injorohet dhe çdo dhunues duhet të përgjigjet para drejtësisë.
Ajo kritikon edhe urdhrin e ri të policisë për identifikimin e punonjësve me simbolet përkatëse. Sipas Xhixhos, ky është dokumenti që policia “ka pranuar krimin dhe shkeljen e ligjit.”
Deklarata e plotë:
Janë 13 ditë dhunë barbare të bandave me dhe pa uniformë ndaj studentëve dhe të rinjve. Jemi bërë dëshmitarë të tërheqjes zvarrë të protestuesve, të përgjakjes së fytyrave, humbjes së shikimit dhe thyerjes së këmbëve.
Kemi dëgjuar qartë urdhrin për të mos kursyer askënd. Mbi studentët është hedhur pa kursim gaz lotsjellës, lëndë helmuese, ujë me presion dhe plumba gome.
Kam pasur mundësinë të mbledh dëshmitë e dhjetëra të rinjve, të cilëve u është rrezikuar jeta nga duart e atyre që duhej t’i mbronin.
Megjithë këto akte të rënda dhune, Prokuroria e Tiranës nuk ka nisur ende asnjë hetim. Skena gjigante e krimit, për gati dy javë me radhë në mes të Tiranës, nuk mund të injorohet. Çdo rast dhune duhet hetuar dhe çdo dhunues duhet të përgjigjet para drejtësisë.
Pas 13 ditësh, policia, e kapur në faj dhe në paligjshmëri, u kujtua të nxjerrë një urdhër për të shpëlarë atë që ka bërë.
Po për 13 ditët kur qindra të rinj protestuan dhe u konsumuan qindra vepra kriminale, kush do të mbajë përgjegjësi?
Me këtë dokument, policia ka pranuar krimin dhe shkeljen e ligjit. Ndaj, është detyrë e drejtësisë t’i çojë përgjegjësit para bankës së të akuzuarve.











Komente
Komento