Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të përfundojë brenda qershorit 2026, duke mbyllur një nga proceset më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe një prej kushteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një tryeze trepalëshe me përfaqësues të Komisioneve të Ligjeve dhe Këshillave të Lartë Gjyqësorë e të Prokurorisë të Shqipërisë, Rumanisë dhe Moldavisë.
Duke paraqitur bilancin e procesit, Gogu tha se nga 417 vendimet e pritshme të vetingut, 56% kanë përfunduar me shkarkim dhe 44% me konfirmim në detyrë. Sipas tij, këto shifra nuk janë thjesht statistika, por një tregues i qartë se shteti nuk toleron papërgjegjshmërinë në sistemin e drejtësisë.
Ministri ndau edhe disa nga treguesit kryesorë të reformës. Sipas tij, buxheti i konsoliduar i institucioneve të drejtësisë për vitin 2026 ka arritur në 296 milionë euro, ndërsa Gjykata e Lartë ka ulur me 60% numrin e dosjeve të prapambetura krahasuar me vitin 2020. Po ashtu, sistemi JURONIX pritet të digjitalizojë mbi 13 milionë faqe vendimesh gjyqësore të dhëna që prej vitit 1950.
Tryeza u zhvillua në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, pas hapjes së grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, përfshirë edhe grupkapitullin e themeloreve.
Gjatë diskutimeve u vu theksi te bashkëpunimi mes Shqipërisë, Rumanisë dhe Moldavisë. Rumania u paraqit si një shembull i një vendi anëtar të BE-së që ka kaluar fazën e reformave në drejtësi, ndërsa Moldavia si një shtet që po ndërton institucionet e saj në një kontekst të vështirë politik dhe gjeopolitik. Ky bashkëpunim u vlerësua si një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në forcimin e shtetit të së drejtës.
Në fjalën e tij, ministri Toni Gogu veçoi tre shtyllat kryesore të rolit të Parlamentit në reformën shqiptare në drejtësi: miratimin e paketës kushtetuese dhe ligjore të vitit 2016, procedurat për zgjedhjen e anëtarëve jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe mbikëqyrjen institucionale përmes raportimeve dhe dëgjesave parlamentare.
Ministri pranoi gjithashtu se raportet ndërkombëtare, përfshirë Raportin e Komisionit Europian për Sundimin e Ligjit 2025, kanë evidentuar se mbikëqyrja parlamentare mbi ekzekutivin mbetet e kufizuar dhe se proceset e emërimeve në institucione kanë ende nevojë për forcim të standardeve meritokratike.
Gogu iu referua edhe dy autorëve të njohur ndërkombëtarë. Ai përmendi tezën e Daron Acemoglu dhe James Robinson në librin “Korridori i Ngushtë”, sipas së cilës liria dhe shteti i së drejtës ndërtohen përmes balancës mes institucioneve dhe jo nga vullneti i njëanshëm politik. Po ashtu, ai citoi edhe juristin britanik Lord Tom Bingham, autor i librit “Sundimi i Ligjit”, i cili argumenton se shteti i së drejtës nuk kërkon vetëm ligje të mira, por edhe institucione që garantojnë mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimi me pushtetin.
Komente









