Ishte një nga uzinat më të famshme në Shqipëri, produkt i kohës së saj! Jetoi aq sa njeriut ia presin jetën kot në mes! Atje ku ndër të tjera prodhohej edhe Ar! Komunizmi, shkëlqimi, demokracia, rrënimi dhe viti 1997 i Uzinës së Bakrit në Rubik.
Inxhinieri metalurg Nikollë Gega na shoqëroi brenda këtij thesari të harruar nga njeriu, brenda një ish uzine tashmë të ndryshkur ku vetëm muret kanë vlerë. Amarcord me Eljan Taninin, e diel, ora 21:00 në Report Tv.
Shoqëruesi i këtij udhëtimi aspak imagjinar është Nikollë Gega, inxhinier metalurg në pension. Gega është i trishuar për këtë gjendje. Me të hyjmë në të gjitha departamentet që dikur ishin një fluks pune me rëndësi për ekonominë tonë! Brenda ish Uzinës së Bakrit ka vetëm erë trishtim, ndryshk, heshtje, vetmi, ish punë, shenja oraresh me turne dhe jetë.

Sipas inxhinierit Gega, teksa eci dhe shoh me të gjitha departamentet prodhuese të dikurshme, ndër të tjera ai tha:
Nikollë Gega: -Uzina e Bakrit në Rubik ishte një nga shtyllat kryesore të industrisë metalurgjike shqiptare gjatë periudhës socialiste. E ndërtuar në vitin 1966, kjo uzinë luajti një rol kyç në përpunimin e bakrit dhe prodhimin e metaleve të çmuara si ari dhe argjendi.
Eljan Tanini: -Si nisi?
Nikollë Gega: -Në vitin 1935, në Rubik filloi punën miniera e parë e bakrit në Shqipëri. Më pas, përveç minierës, u ndërtuan fabrika pasurimi dhe furra shkrirjeje të bakrit në Rubik, duke e bërë këtë zonë një qendër të rëndësishme industriale. Në vitin 1966, u inaugurua Uzina e Përpunimit të Bakrit në Rubik, e cila mundësoi prodhimin e bakrit elektrolitik. Në vitin 1968, filloi prodhimi i arit dhe argjendit si nënprodukte të procesit të elektrolizës së bakrit. Ari dhe argjendi i prodhuar në këtë uzinë dorëzoheshin në Bankën e Shtetit Shqiptar dhe ishin të standardizuar me pastërti 99.95%.
Eljan Tanini: -Roli ekonomik në atë kohë jo edhe aq të thjeshtë?
Nikollë Gega: -Industria e bakrit në Shqipëri ka prodhuar në kohë të ndryshme: 1 milion ton mineral bakri dhe piriti, 50 mijë ton koncentrat bakri, 12-15 mijë ton bakër elektrolitik, 8-10 mijë ton tela dhe kabllo, 20-25 mijë ton acid sulfuric, 3-4 mijë ton tunxh dhe bronz. Kjo industri punësonte rreth 12 mijë persona dhe gjeneronte 1.5-2 milion dollarë neto nga metalet e çmuara. Sipas statistikave, Shqipëria arrinte të prodhonte 1 ton bakër për çdo 200 banorë.
Eljan Tanini: Përse u mbyll uzina?
Nikollë Gega: -Pas viteve '90, me ndryshimet politike dhe ekonomike në vend, uzina filloi të përballej me vështirësi. Në vitin 2002, Uzina e Bakrit në Rubik u mbyll, duke lënë pas një histori të pasur industriale dhe një ndikim të madh në komunitetin lokal. Sot, ndërtesat e uzinës qëndrojnë si dëshmi e një periudhe të rëndësishme të industrializimit shqiptar dhe kujtojnë kontributin e saj në zhvillimin ekonomik të vendit. Fillimisht teoria “Çdo gjë në zero” viti 1992, pastaj punë pa asnjë strategji deri në vitin 1996, viti 1997 bëri të vetën, por realisht Rubiku ishte mirë pa u shkatërruar, natyrisht i amortizuar e shenja vjedhje në ndonjë sektor kishin nisur. 1998 e vijim, mungesë përsëri strategji zhvillimi, eleminim me ligj duke dhëne me koncension objektet më të mira minerare dhe mënjanuar Uzinën e Rubikut dhe Shkodrës si finalizuese e ciklit të plotë përpunues në vend, ndërkohë që vlera e pasurisë që vetëm një trup minerar në Munellë kishte, ishte pasuri e atillë që siguronte investim për përmirësim. Kjo beri qe pas vitit 2001 të shkatërrohet plotësisht sektori përpunues në Rubik dhe Shkodër, duke mbetur vetëm ana ndertimore e Uzinës së Rafinimit ( projekt kinez i viteve 1962 - 1966) të rehabilituara në vitin 2019, si dhe ato të Uzinës së Telave Shkodër por të amortizuara. Nëntoka nuk ka fajësi, ajo siguron të ardhura nëse mbitoka pra njerëzit e politikës dhe të zgjedhurit janë seriozë e punojnë në mirëadministrim të pasurive natyrore e aseteve publike te trashëguara. Dëmi i krijuar nga keqadministrimi me koncensionet e dhëna për burimet natyrore apo shumë asete publike është shumë i madh.
Në një kuptim më të gjerë, kur thuhet "Amarcord," mund të nënkuptohet një kujtim i ndjerë dhe ndonjëherë melankolik i një periudhe të kaluar, veçanërisht kur ajo është e lidhur me emocione të forta dhe nostalgji për diçka që ka humbur ose ka ndryshuar. Në lidhje me atë që u tha më sipër, ja çfarë mësova unë si Eljan dhe dashamirës hapësirash të tilla nga ky Amarcord në Uzinën e Bakrit dhe e disa sendeve të tjera:
1. Vendet e braktisura, si uzina dhe fabrika, shpesh mbajnë një ngarkesë historike dhe simbolike të madhe. Trishtimi që shoqëron këto vende është i lidhur me disa aspekte të ndryshme.
2. Dëmi ekonomik dhe shoqëror: Këto uzina dhe fabrika, kur ishin në funksion, ofronin mundësi pune për shumë njerëz dhe kontribuan në zhvillimin ekonomik të një rajoni. Kur ato mbyllen dhe braktisen, shumë herë është një shenjë e krizës ekonomike, mungesës së mundësive për punë dhe ndryshimeve të papritura në industrinë lokale ose kombëtare. Për banorët e zonës, kjo mund të jetë një humbje e madhe, jo vetëm financiare, por edhe sociale, pasi këto uzina shpesh ishin qendra të jetës shoqërore.
3. Rënia e një periudhe historike: Për shumë nga këto objekte, kjo braktisje mund të tregojë një periudhë të shkuar të një kohe të caktuar, kur ato ishin pjesë e një ekonomie të fuqishme dhe një jete të organizuar. Për shembull, uzinat që janë ndërtuar gjatë periudhës komuniste ose industrializimit mund të kenë qenë të lidhura me aspiratat dhe përpjekjet për zhvillim të shpejtë, por pas rënies së sistemeve politike ose ndryshimeve të tjera, ato u braktisën, duke mbetur si dëshmi e një kohe që kaloi.
4. Një pasqyrë e mjedisit të degraduar: Uzina dhe fabrika të braktisura shpesh janë simbol i degradimit mjedisor. Pas mbylljes, ato shpesh lënë prapa ndotje të tokës, ajrit dhe ujërave, duke shkaktuar probleme për komunitetet që i rrethojnë. Në Rubik te Uzina, nuk kishte ndotje.
5. Reflektim mbi humbjen e identitetit dhe të ardhmes: Këto fabrika dhe uzina që tani janë të braktisura mund të përfaqësojnë humbjen e një identiteti lokal, kulturor dhe industrial. Ata mund të tregojnë një realitet të ndryshuar, ku dikur kishte punë, zhvillim dhe shpresë, ndërsa tani mund të shohim vetëm rënie dhe zhgënjim.
6. Simbolika e kohës dhe nostalgjia: Për disa, këto vende mund të krijojnë ndjenja nostalgjie për një periudhë më të thjeshtë ose më të sigurtë. Kjo është e vërtetë sidomos për ata që kanë punuar aty dhe që lidhin kujtime me aktivitetin e dikurshëm. Uzina të tilla mund të shërbejnë si një simbol i së kaluarës dhe një reflektim mbi ndryshimet e shpejta dhe të ndjeshme që kanë ndodhur në shoqëri. Këto braktisje që nuk i kthehen dot së shkuarës mund të kthehen në qendra arti, universitare, qendra ku punohet në segmente të rënda, muzike, ku ndryshe janë jashtë dhe shumë ndryshe brenda.
7. Humbjet: Në përgjithësi, këto vende të braktisura janë një testament i asaj që ka qenë dikur, por gjithashtu një kujtesë e vështirësive dhe pasojave të ndryshimeve ekonomike, politike dhe shoqërore. Ato janë një hapësirë ku historia e industrializmit dhe e ndryshimeve shoqërore mund të lexohen përmes mbetjeve të tyre, duke treguar për humbjet, shpresat dhe zhgënjimet që kanë ndodhur me kalimin e kohës.
Komente

