Emisioni Esencë për 80 min në Report Tv këtë herë ndalet e tregon: Zeja dhe koha kur jorgani ishte i shenjtë dhe na mbante më ngrohtë, po sot? Amarcord: Bunkerët e famshëm në hyrje të Pogradecit, kush i ndërtoi? Eksluzive, vitet 70, kthesa jetike e shqiptareve, drejt lindjes apo perëndimit?
Ditar nga e kaluara: 3 Nëntorët e famshëm nga historia shqiptare. Flasin për Report Tv: Ermal Sela, Ledjon Zeqollari, Budjon Xhelo dhe Uvil Zajmi. Esencë, çdo të premte me Eljan Taninin, ora 21:00 në Report Tv.
Studiuesi Ledjan Zeqollari për bunkerët e famshëm në hyrje të Pogradecit tha:
Në hyrje të Pogradecit, përballë liqenit që flet me qetësi, ngrihen dy bunkerë, heshtakë prej betoni, të vendosur si roje të një kohe që nuk kthehet më. Ato nuk janë më thjesht struktura ushtarake, por simbole të një periudhe frike, izolimi dhe kontrolli të ndërtuara gjatë luftës italo-greke.
Njëri prej tyre duket si një sy që vështron pa pushim, tjetri si një vesh që dëgjon edhe heshtjen. Kanë mbetur aty, të pathyeshëm ndaj kohës, por të mbushur me kujtime të një realiteti të ngurtë. Ato nuk janë të mëdhenj në madhësi, por kanë peshën e rëndë të historisë mbi supe.
Ndërsa pogradecari Budjon Xhelo, ish gazetar dhe fotoreporter u shpreh se:
Në vend që të shihen si pengesa apo si relikte të padobishme, ato mund të trajtohen si pika reflektimi: për të mësuar nga e shkuara dhe për të kuptuar sesa e rëndësishme është liria që kemi sot. Bunkeri është libri i mbyllur që nuk ka faqet, por ka mesazhin. Pogradeci nuk ka vetëm liqen, ka edhe kujtesë të derdhur në beton.
Uvil Zajmi, si gazetar sportiv dhe kronikan i viteve të arta të sportit shqiptar, shpesh ka reflektuar për vitet 70 si periudha ku Shqipëria jo vetëm u mbyll politikisht, por edhe shpirtërisht. Në rrëfimet e tij del një Shqipëri që kishte filluar të prekte dritën përmes sukseseve në sport, art, marrëdhënie ndërkombëtare e që u ndërpre brutalisht nga izolimi total.
Në një koment tipik të tij, ai u shpreh se:
Shqipëria e viteve 70 kishte një frymë që kërkonte të dalë nga vetja, të mësonte, të konkuronte, të përfaqësohej. Por një ditë u mbyllën dritaret dhe u fikën projektorët.
Zajmi e sheh atë periudhë si momentin kur shpresa për t’u afruar me botën filloi të shuhet, jo menjëherë, por me një heshtje të ngadaltë dhe të frikshme. Dhe sporti, për të, ishte pasqyra më e qartë e kësaj shprese që nuk u lejua të rritej.
Ermal Sela, trashëgimtar tirons por jo tiranas i dijebërjes së jorganit, tregon me pasion dhe gjendje emocionale të sinqertë, si erdhi në Shqipëri jorgani dhe çfarë çudirash fsheh ai!
Sela: -Në Shqipëri jorgani nuk të ngroh vetëm natën, ai të mbulon me kujtime, me histori, me aromën e gjyshes dhe me zhurmën e sobës me dru. Jorgani ynë është i trashë, i rëndë dhe shpesh qepur me dorë. Si vetë historia jonë: me copa të mbetura, me durim, me dashuri, por edhe me pak varfëri. Në kohën kur bota flinte me ngrohje qendrore, ne ende palosnim jorganin dhe e ruanim në qese plastike.
Sipas Selës, jorgani në Shqipëri është më shumë se send, është kujtesë, është mbijetesë, është ajo pjesë e nostalgjisë që nuk ndahet nga identiteti ynë i përbashkët.
Në fund emisioni Esencë u mbyll Ditarin e së kaluarës në lidhje me 28 nëntorët e famshëm të historisë së Shqipërisë. Cilët janë ata? Shih Esencën.
Komente












