Një ndër elementet më të spikatur që doli prej censusit ishte fakti që popullsia shqiptare ka vijuar të rrudhet prej emigracionit. Numri i shtetasve shqiptarë që banon në Shqipëri del që është goxha afër numrit të votuesve të zgjedhjeve të fundit cka lë të kuptohet që listat janë të fryra prej emigrantëve dhe pjesëmarrja në votim e të qeverisurve shqiptarë është goxha më e lartë se shifra zyrtare.

Pjesëmarrja politike është një çështje që ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e botës akademike qoftë për rëndësinë apo domethënien që ka për demokracinë e një vendi por qoftë edhe për kompleksitetin dhe larmishmërinë e formave. Format më të cilat qytetarët orvaten të ndikojnë vendim-marrjen variojnë nga pjesëmarrja formale apo institucionale politike në ato jo-formale e të dhunshme. Në rastin e parë materializohet me votimin, kandidimin, peticionin apo përfshirjen në parti politike ndërsa në rastin e dytë me bojkote, demonstrata, mosbindje civile, greva, revolucione, grushte shteti apo vrasje politike.

Megjithatë barometri kryesor i pjesëmarrjes politike ngelet votimi dhe studiuesit e sjelljes elektorale kanë nxjerrë në pah që faktorët social-ekonomik kanë pasur gjithnjë ndikim të ndjeshëm në nivelet e pjesëmarrjes politike. Megjithatë një tjetër faktor që është parë se është goxha ndikues është niveli i korrupsionit. Për hir të së vërtetës duhet të përmendet edhe që korrupsioni është një formë alternative me anë të së cilës ndikohet vendim-marrja duke anashkaluar mekanizmat tradicional të politikës.

Mund të hamendëesohet që në vendet ku fenomeni i korrupsionit është më i dendur dhe me përmasa më të mëdha edhe ndikimi i këtij faktori në pjesëmarrjen politike i bie të jetë më i madh. Rezultati që Transparency International nxorri për Shqipërinë gjatë vitit të kaluar ishte me të vërtetë dramatik pasi e poziciononte vendin tonë në vendin e fundit të Evropës për sa i përket transparencës ose në vendin e parë kur flitet për korrupsionin. Në mes 176 vendeve që merren në shqyrtim lidhur me transparencës vendi ynë shkoi tatëpjetë nga pozicioni i 95-të që mbante në vitin 2011 në atë të 113-të në 2012.

Shumë përfaqësues të opozitës, politikanë të rinj apo opinion-bërës e gazetarë e marrin nivelin e lartë të korrupsionit në një vend si një premisë të mirëqenë ose për të sharë vetëm qeverinë pa treguar gishtin gjithashtu tek një nivel jo dhe aq i ulët I bashkëfajësisë në shoqërinë tonë, ose për të pritur një reagim dramatik shoqëror. Faktikisht marrëdhënia korrupsion e angazhim politik nuk është kaq e thjeshtë. Madje shpesh është kundërveprues, e në shumë vende korrupsioni shkakton cinizëm, zhgënjim, dëshpërim e për rrjedhojë apati politike e mospjesmarrje në votim. Ky padyshim nuk është rasti i vendit tonë sikurse dëshmohet nga përqindja e lartë e rezidentëve shqiptarë që dalin rregullisht në votime.

Atëherë ndikimi nxitës apo shtues i korrupsionit vjen ose si kundërshtim ndaj korrupsionit ose si joshje prej korrupsionit. Ose si një reagim për të ndëshkuar korrupsionin ose si një tendencë për t’u përshtatur e për tu përlyer në korrupsion. Pra në rastin e parë studiuesit e fushës kanë vënë re se kur korrupsioni është i lartë njerëzit janë të revoltuar, indinjuar dhe dalin masivisht në votim për të zëvendësuar politikanët apo partitë e korruptuara me politikanë apo parti që perceptohen si të ndershëm. Mbase deri diku e tillë mund të konsiderohet vota e dhënë në vitin 2005 në Shqipëri. Në rastin e dytë shumë studiues ia kanë atribuar nivelin e lartë një aspekti të veçantë të korrupsionit që quhet klientelizëm. Shumë studime kanë nxjerrë se banorët e vendeve në zhvillim janë të përfshirë në një marrëdhënie korrupsioni sipas të cilës padronët e korruptuar u japin rryshfete qytetarëve që të shkojnë e të votojnë në favor të tyre.

Përshtypja ime në këtë rast është se gjatë zgjedhjeve të fundit gjithmonë e më shumë po ka peshë modeli i dytë i klientelizmit masiv e gjithnjë e më pak modeli i parë i qytetarisë aktive. Mund të thuhet që në kushte dëshpërimi, varfërie, krize dhe negativiteti edhe tendenca për të rënë pre e klientelizmit pra për t’u joshur nga patronazhi që ushtrojnë politikanët është më i madh. Kjo sitatë ilustrohet më së miri nga fabula e famshme e bretkosës dhe ujit që vlon dhe që lidhet me de-sensitivizimin e shoqërisë. Disa shkencëtarë kishin vënë re në shekullin e 19-të që nëse e hedh bretkosën në një enë të mbushur me ujë që është duke vluar ajo do të kërcejë menjëherë tutje ndërkohë që nëse e vendos në një enë me ujë të ftohtë dhe më pas fillon ta ngrohësh enën në mënyrë graduale, bretkosa do t’i përshtatet , nuk do ta dallojë rrezikun dhe do të qëndrojë pa lëvizur derisa të ngordhë e zjerrë.

Kjo anektotë është përdorur dendur për të shpjeguar paaftësinë e njerëzve për të reaguar ndaj ndryshimeve të mëdhaja që ndodhin në mënyrë të ngadaltë. Në rastin tonë ngelet për t’u parë e për t’u studiuar se si do të sillet elektorati shqiptar në zgjedhjet e qershorit 2013 mirëpo ndërkohë që maksimumi i debatit politik në këtë fushatë që po çel përqëndrohet tek përbaltja apo akuzat e ndërsjellta, shumë pak vëmendje po shkon tek rritja e vetëdijes apo ndjeshmërisë së “bretkosës” .

Është e kotë të flitet për blerje votash nëse votuesit janë masivisht të gatshëm t’i shesin , të shahen politikanët e korruptuar kur në procesin e korrupsionit ka mit-dhënës përveçse mit-marrës dhe kur korrupsion nga rrugë bëhet autostradë dykahëshe. Pra kur politikanët jo vetëm marrin por edhe japin për të siguruar vota duke korruptuar në një kohë të dytë individë të thjeshtë të publikut që t’ua japin atyre votën. Me pak fjalë përveç e përtej denoncimit ndaj elitës së përlyer gjë që është më se legjitime, gjithnjë e më shumë vëmendje e përpjekje i duhet kushtuar ndryshimit të kulturës sonë politike duke i edukuar njerëzit që të mendojnë afatgjatë e mos të shesin të ardhmen për përfitimin e sotshëm.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 7 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)