TIRANË- Ky 18-vjetor i shpalljes së Pavarësisë, e gjeti Kosovën si rrallë herë mes festës dhe protestës, ndërsa 4 ish-krerët e UÇK-së po presin dënimin nga Gjykata e Hagës. Në Kuvendin e Kosovës u mbajt një ceremoni solemne që mblodhi krerët e shtetit dhe politikës, mes tyre edhe Presidentin Bajram Begaj, por pak orë më vonë sheshi “Skëndërbeu” u mbush me mijëra shqiptarë nga të gjithë trevat, me flamujt e Kosovës, Shqipërisë, UÇK-së dhe thirrjet “drejtësi, jo politikë” për çlirimtarët.

Prishtina dhuroi pamje madhështore. Numri i pjesëmarrësve në protestë raportohet të ishte rreth 250 mijë. Tubimi bashkoi politikën në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Për herë të parë u shfaq edhe Presidentja Vjosa Osmani, e cila u pa krah kreut të grupit të PS, Taulant Balla dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

18 vite më parë, Hashim Thaçi shkroi historinë duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur. Por, sot në shesh, drejtësi për të atin kërkonte i biri, Endriti. Krah tij edhe personazhe të botës së showbizit.

 

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:24
Ish-ushtarja e UÇK-së: Kam parë nëna që qanin fshehurazi që fëmijët të mos ua shihnin lotin! Vetëm një gjë nuk u shua, shpirti i këtij populli

Ish-luftëtarja e UÇK-së, Shqipe Krasniqi, ka thënë se si sot, kurrë më të bashkuar e më të zëshme nuk e ka parë Kosovën. Shqipe Krasniqi tha se në ditën e Pavarësisë nuk janë mbledhur vetëm për të festuar, por për të kujtuar sakrificën e popullit.

“Kam parë familje të poshtëruara, nëna që qanin fshehurazi, studentë të përndjekur vetëm pse ishin shqiptarë. Kam parë baballarë të përulur dhe nëna që qanin fshehurazi që fëmijët të mos ua shihnin lotin Kam parë gra që i përcillnin bijtë në luftë me zemra të copëtuara por me kokën lartë. Ato nuk dolën në histori me tituj, por historia nuk do të ekzistonte pa to. Heshtja është dorëzim dhe ky popull nuk di të dorëzohet. Si shumë vajza dhe gra shqiptare e mora armën dhe dola në front. Jo pse e doja luftën por sepse e doja lirinë. Shtëpitë na u dogjën e fshatrat na u zbrazën. Një gjë nuk u dogj e as nuk u shua, dhe ai është shpirti i këtij populli”, ka thënë ajo.

Ora 14:52
Tre breza në skenë, Ilir Shaqiri këndon bashkë me djalin e nipin para turmës së protestuesve në Prishtinë (VIDEO)

 

Këngëtari i njohur Ilir Shaqiri është ngjitur në skenën e protestës në Prishtinë bashkë me djalin, Korabin, dhe nipin. Tre breza në skenë si një simbolikë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, të cilët kanë emocionuar me një këngë patriotike.

Ora 14:51
Marshimi në Prishtinë, përlotet e mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi: Liria erdhi me gjak e sakrificë, ish-krerët e UÇK-së duhet të lirohen (VIDEO)

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman, është ngjitur në podiumin e protestës në Prishtinë me shumë emocione. Ajo tha se kjo ishte pjesëmarrja e saj e parë në paradën e ushtrisë dhe “një ndjenjë e jashtëzakonshme që vetë bijat e Adem Jasharit sot mbrojnë Kosovën”.

E përlotur, ajo tha se liria erdhi nga gjaku dhe si e mbijetuar nga dhuna seksuale, ajo do që zëri i saj dhe i viktimave të dëgjohet, teksa bëri thirrje për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

“Sot kjo ditë e shenjtë për popullin tonë, 18-vjetori i Pavarësisë, është një ditë krenarie për të gjithë ne dhe një përkujtim për të gjithë ata që u flijuan për lirinë tonë. Ajo nuk erdhi vetvetiu, ajo u flijua në gjak, sakrificë që qëndron në shekuj. Kam nderin që të flas si e dërguar speciale nga presidentja Vjosa Osmani si e mbijetuar seksuale që zëri i viktimave po dëgjohet anembanë botës. Ne flasim për drejtësi dhe krimet që kreu Serbia në Kosovë. Ne jemi të gjithë këtu për t’i liruar nga Haga sepse popullin shqiptar e bashkon cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit që i shërbyet atdheut kur kishte nevojë më së shumti! Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi... Ata duhet të lirohen! Ata mbrojtën popullin e vet!”, tha Krasniqi.

Ora 14:44
Familjarët e liderëve të UÇK-së bëhen bashkë, ndjekin nga Haga protestën në Prishtinë

Familjarët e liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të bashkuar po e ndjekin nga Haga protestën që po mbahet në Prishtinë.

Ora 14:35
Protesta në Prishtinë, Lyrical Son emocionon me këngën për UÇK-në, thirrja e fortë: Kur liria cenohet, duhet ta kthejmë me zor

1771337636_s5ksrjxw1nrmw0cwdfsbjcpnsr.png

Reperi i njohur, Lyrical Son (Festim Arifi) dhe një nga pjesëtarët e platformës “Liria ka Emër”,është ngjitur në skenë për të çelur protestën ‘Drejtësi, jo politikë’, me një këngë patriotike.

Ai performoi këngën “Ushtria Çlirimtare” duke ngjallur emocione tek të gjithë pjesëmarrësit.

“Kur liria cenohet, ne duhet ta kthejmë me zor. Liri!”, thirri ai pasi përfundoi.

Ora 14:33
FOTOT/ Nuk i ndal as bora, mijëra shqiptarë në protestë në Kosovë! Kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë.  Mijëra shqiptarë nuk i ndali as moti i keq dhe dëbora që ka përfshirë Prishtinën.

Ora 14:25
Marshimi paqësor në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pjesë dhe djemtë e çlirimtarëve

1771334787_endritthaci.jpg

Yll Limani dhe Endrit Thaçi

Në marshimin e paqes në ditën e pavarësisë së Kosovës që zhvillohet në mbështetje të 4 ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, pjesëmarrës dhe djali i ish-presidentit Hashim Thaçit, Endrit Thaçi, ashtu si dhe djemtë e Kadri Veselit. Në marshim janë pjesë dhe figura të fushave të tjera përveç politikës, si Yll Limani, Festim Arifi, Albina Kelmendi e të tjerë.

Ora 14:22
Protesta në Kosovë për liderët e UÇK-së, Vjosa Osmani në krah të Taulant Ballës e Ali Ahmetit

Presidentja Vjosa Osmani i është bashkuar protestës që po mbahet në Prishtinë për liderët e UÇK-së. Osmani shihet pranë kreut të Grupit të PS, Taulant Balla dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmetit.

Ora 12:49
Marshimi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Taulant Balla me Endrit Thaçin dhe Ylli Limanin: Të gjithë shqiptarët në Prishtinë! (VIDEO)

Taulant Balla u bëri thirrje sot të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen marshimit në mbështetje të ish komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën moton ‘Drejtësi, jo politikë’.

Në postimin e tij të fundit në Facebook, kreu i grupit parlamamentar të Partisë Socialiste u shfaq në krah të Endrit Thaçit, djalit të Hashim Thaçit dhe këngëtarit Ylli Limani.

“Të gjithë shqiptarët, në Kosovë, në diasporë, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Çamëri, ejani në Prishtinë” tha Balla

Marshimi i sotëm organizohet nga platforma “Liria ka Emër”. Tubimi do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”.

Organizatorët parashikojnë një pjesëmarrje prej 200 mijë qytetarësh nga të gjitha trevat. Sipas tyre marshimi synon të kundërshtojë procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe të kërkojë trajtim të paanshëm në drejtësi.

Programi përfshin pjesë muzikore dhe aktivitete të ndryshme.  Autoritetet kanë angazhuar forca policore, zjarrfikës dhe ekipe emergjente për të garantuar rendin dhe sigurinë. Organizatorët kanë siguruar transport me autobusë nga të gjitha komunat për të mundësuar pjesëmarrjen në kryeqytet.