‘Libri i Bardhë 2025-2029’,i shoqatës së Investitorëve të Huaj, vjen ngjyrë ‘gri’ E me nota të shumta kritike për ekonominë shqiptare. Në raportin e publikuar së fundmi thuhet se pavarësisht se ekonomia është në rritje, biznesi vijon të përballet me sfida të vazhdueshme si informaliteti, zbatimi i dobët i kontratave, korrupsioni deri tek zhvlerësimi i valutave.
“Investitorët e huaj e vlerësuan klimën aktuale të biznesit në Shqipëri me 45 nga 100 pikë, duke shënuar një rënie prej 4 pikësh krahasuar me vitin 2024 (49 pikë)”, thuhet në raport.
Edhe mungesa e punonjësve vlerësohet si problematike nga investitorët e huaj, të cilët thonë se ky boshllëk mund të cenojë rritjen ekonomike në përgjithësi dhe të aktivitetit të tyre në veçanti.
“Mungesat e mëdha të fuqisë punëtore të kualifikuar, të nxitura kryesisht nga emigrimi dhe mospërputhjet e aftësive, vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi bizneset dhe të kufizojnë potencialin e rritjes”, vijon më tej raporti.
Problematik, investitorët e huaj kanë vlerësuar edhe kuadrin tatimor të Shqipërisë, duke e vënë theksin tek dëmi që u shkaktohet nga ndryshimet e shpeshta ligjore.
“Ndryshimet e shpeshta në legjislacionin tatimor dhe interpretimi i paqëndrueshëm i rregullave fiskale vazhdojnë të krijojnë pasiguri dhe rreziqe për përputhshmërinë”, nënvizohet në raport.
Pavarësisht sfidave të sipërpërmendura, komuniteti i biznesit mbetet me optimizëm të kujdesshëm thuhet në raport, duke evidentuar se progresi i qëndrueshëm në integrimin në BE, do të jetë kyç për forcimin e konkurrueshmërisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja të qëndrueshme.

Kliko këtu për të lexuar ‘Librin e Bardhë 2025-2029’ të plotë
Komente











