Briken Calja është rikthyer të shkëlqejë në garat e mëdha. Peshëngritësi i cili ka nderuar Shqipërinë, duke u shpallur kampionë bote dhe Evrope, ka vendosur 3 rekorde dhe ka fituar 3 medalje të arta në kampionatin ballkanik të peshëngritjes, i cili po mbahet në Durrës për herë të parë pas 25 vitesh mungesë.

Calja shkëlqeu që në provën e parë në shkëputje, duke ngritur 150 kilogramë dhe duke vendosur rekord ballkanik. Në dy provat e tjera Calja nuk ia doli megjithëse prova e parë rezultoi e mjaftueshme.

Në shtytje peshëngritësi shqiptar ngriti 180 kilogramë në provën e parë, dështoi në të dytën për 185 kilogramë, por të njëjtën peshë e finalizoi në provën e tretë, duke vendosur gjithashtu rekord ballkanik. Këto rezultate, me 335 kilogramë në total i dhanë Brikenit edhe medaljen e artë me rekord në dygarësh. Efekte

Gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar Calja u pa i përlotur, pasi rezultati i arritur ishte shpërblim për periudhën 3-vjeçare të mbushur me dëmtime por e vështirë edhe në aspektin personal për sportistin.

“Kjo ka qenë një ndër eksperiencat më të vështira të karrierës time. Duke patur parasysh dëmtimet dhe pengesat e këtij 3-vjeçari', tha Briken Calja, peshëngritës

Suksesi i Caljes solli entuziazëm në sallën e sportit.

“Vetëm me sport kemi arritur në Evropë, atje ku ne duam të shkojmë. Për këtë arsye falënderoj sportistët, trajnerët, Brikenin për këtë punë dhe i patë edhe lotët e tij sot', tha Fidel Ylli, president i KOKSH-it.

“Federata shqiptare e Peshëngritjes do prodhojë shumë shpejt medalje të tjera. Do ngremë sërish flamurin shqiptar, pasi jemi në rrugën e duhur me një brez të jashtëzakonshëm', tha Elez Gjoza, president i FSHP.

Në kategorinë 79 kilogramë garoi edhe Erkand Qerimaj, por peshëngritësi shkodran nuk arriti të realizonte provat si në shkëputje ashtu edhe në shtytje.